“Mos kij kurrfarë frike se unë jam me ty…ja unë po vej, fjalët e mia në gojën tënde!” (Jer)
I dashur Imzot Frendo, të dashur besimtarë, në momentin kur po filloj shërbimin tim Baritor, në Kishën e Hyjit në Tiranë- Durrës, fjala profetike e leximit të parë, më ngushëllon e më mbështet! Duke menduar që vij si Arqipeshkvi i III-të mbas rënies së diktaturës, por pasardhës i Shën Çezarit, Shën Astit dhe martirit të kohës sonë të lumit Vinçens Prennushit, ndërmjetësisë të së cilit veçanërisht i besohem si pajtor dhe sot e ndjej edhe fizikisht në zemër, duke mbajtur dhe kryqin e tij pektoral, nuk mund të mos jem plot emocion shpirtëror përballë kësaj përgjegjësie. Por fjala profetike e sapo dëgjuar, na mëson se e gjithë forca e njeriut vjen nga besimi në Zot, dhe që frytet e veprave tona e kanë fillimin tek Feja në të!
Për këtë arsye, duke e filluar shërbesën time baritore, të dashur besimtarë, akoma më shumë dua të rrënjosem në fenë në Krishtin, Shëlbuesin tone; e duke fiksuar vështrimin në Të, të dëftoj gjithmonë ndaj njerëzve dhe shoqërisë shqiptare: Ja Qengji i Hyjit, ja Shpëtimtari i vetëm i njeriut. Ai i jep dinjitet çdo njeriu!
Shikoni Atë, e do të jeni të shndritshëm, të lirë, do të keni jetën me bollëk!
Në këtë shërbim të Ungjillit, më inkurajon fakti që nuk jam vetëm, por përkundrazi jam në komunitet me bashkëvëllezërit e mi ipeshkvij e që sot dëshmojnë këtë me prezencën e tyre, por veçanërisht ndihem thellësisht i lidhur në fe e në dëgjesë me Papa Françeskun, që ka dashur të më besojë këtë shërbim, duke më manifestuar gjithë mbështetjen dhe afrimitetin e tij edhe këto ditë. Atij i shkon dashuria ime mirënjohëse nëpërmjet Nuncit Apostolik që e përfaqëson këtu, duke e bërë të dukshme këtë lidhje dhe dashuri të Papës për mbarë Shqipërinë dhe shqiptarët si i quan dhe ai: Shqiponjat që fluturojnë lart!
Në këtë shërbim të Ungjillit, në këtë Kishë Apostolike, mirënjohja ime është për paraardhësin tim Imzot George Frendo, që na ka dëshmuar një fe të gjallë me dashuri të madhe për Kishën dhe të varfrit, i angazhuar për një Kishë në ecje që së bashku me popullin e Hyjit, dëshirojmë ta çojmë përpara.
Në shërbim të Hyjit të Abrahamit, që në vendin tonë adhurohet nga besimet e ndryshme, janë krerët e komuniteteve fetare të cilët sot i falenderoj përzemërsisht për prezencën e tyre: Haxhi Bujar Spahiu, Imzot Asti Bakallbashi, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, e pastor Ylli Doçi, që si një mozaik këtu së bashku shprehim që në Zotin jemi vëllezër të gjithë.
Ju përshëndes juve të nderuara autoritete shtetërore,
Zoti President Ilir Meta,
Zonja kryetare e Kuvendit Lindita Nikolla,
Zoti Kryeministër Edi Rama,
Zonja Rama,
Kryetarë bashkiakë dhe autoritete të ndryshme të jetës publike të vendit tonë, që na kujtoni qytetin e njerëzve me të cilët Kisha jeton, shërben e do, sepse e ndjen thellë si fushë ku e thërret Hyji për të mbjelle shpresën që nuk zhgënjen dhe paqen që vetëm Zoti dhuron.
Të dashur vëllezër meshtarë, rregulltarë e rregulltare, të dashur besimtarë katolikë dhe të gjithë ju vëllezër e motra që shikoni me shpresë drejt Kishës Katolike ose që jeni në kërkim të asaj bukurie që stolis shpirtin dhe mund ç ‘rregullsitë e një jete pa Zotin!
Dëshiroj t’iu them atë që Shën Pali thotë në leximin e dytë: “Fort i dashur u duk Hiri i Hyjit, që u sjell shëlbim të gjithë njerëzve… Jezu Krishti!”
Është Jezu Krishti që nga zemra e nxit Shën Palin, i cili thotë: “Mjerë për mua nëse nuk predikoj Ungjillin” (1Kor 9,16). Për këtë arsye ju lutem të gjithëve, pa asnjë dallim: Ndihmoni ipeshkvin tuaj, ndihmoni barinjtë tuaj të shpallin mbi të gjitha Ungjillin.
Po jua them të gjithëve pa dallim, sepse ekzistojnë vlera që çdo njeri i arsyeshëm dhe vullnetmirë bashkëndan me dishepujt e Jezusit, dhe për këtë arsye dhe në Shqipërinë tonë të dashur është e mundur një angazhim i përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e të mirës së personit, të familjes natyrore të themeluar nga një babë e nënë, që është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe me të ardhme.
Për inkurajimin e brezave të rinj, që të zbulojnë që toka e premtuar është kjo në të cilën kanë lindur, e se dielli askund nuk lind më bukur se këtu, nëse sadopak do të hapin perdet që pengojnë për të parë dritën dhe shpresën që kanë ditur të shohin të parët tanë, që na e kanë lënë si trashëgimi, ashtu sikurse vetë Zoti hapi në epifaninë e tij duke na dëftuar të birin Jezus. Sa bukur e shpreh këtë dëftim leximi i Ungjillit të sotëm në prolog që tregon se Hyji nuk është mjaftuar vetëm duke na dhënë fjalën e Tij, por Ai nëpërmjet po-së së Virgjërës Mari të Papërlyer ka ardhur dhe ka banuar midis nesh duke u bërë mish.
Pra, sot, këtu midis nesh Ai banon në mishin e njeriut të brishtë, të vuajtur, të varfër, të etur për dashuri e paqe që është secili prej nesh, ndonëse nga klasa sociale të ndryshme, pasi vetëm Zoti dhuron atë për çka jemi të etur sepse jemi të krijuar nga Ai, sikurse thonte Shën Agustini: ‘Zemra jonë nuk do të ketë paqe derisa të pushojë në Të!’ (Rrëfimet)
Po, miqtë e mi, këtu sot nuk ka asnjë të përjashtuar nga ftesa e Jezusit; ‘Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t’ju çlodh’ (Mt 11,28).
Jezus, sa të lumtur jemi të dëgjojmë zërin tënd të ëmbël që na fton të pushojmë!
Sa të lodhur jemi Jezus, nga zërat që ulërasin, që përçajnë, që akuzojnë, që dënojnë e ndonjëherë edhe mallkojnë duke menduar që kështu mbrojnë drejtësinë, të ardhmen dhe kombin!
Por ‘Jezusi e pa dhe e deshi’! (Mk 10,21) Jezus, drejtoje vështrimin tënd plot ëmbëlsi dhe dashuri sot në këtë Katedrale, e na beko!
Princ i paqes, bekoje popullin tonë kaq të lashtë dhe njëkohësisht të ri, bekoji të varfrit, të sëmurët, të papunët, edukatorët, mjekët, artistët, gazetarët, përgjegjësit e të mirës së përbashkët e të gjithë ne, që të jemi të prekur nga fjala jote e mishëruar pasi fjalët e tjera edhe ato të mira e hyjnore i merr era, por fjala jote, ajo e mishëruar është prezenca që nuk kalon edhe nëse toka e qielli kalojnë! (Lk 21, 33)
Zgjoje pra, Jezus, në të pagëzuarit vetëdijen që Ti banon me të vërtetë në ta e që janë realisht bijtë e Hyjit, drita e botës, kripa e tokës! Mos ta fshehin këtë dritë duke te braktisur, o Zot, pa përvojën e sakramenteve, e mos ta humbin shijen e prezencës Tënde larg urdhërimeve të Tua!
Zbraze frymën e Shpirti Shenjt mbi ata që kanë njohur Jezusin, që dashuria e Tij t’i udhëheqë në të qënurit një me Të!
Çliroji nga errësira dhe nga mashtrimi ata që kërkojnë mirëqenien nëpërmjet korrupsionit, manipulimit dhe abuzimit të përgjegjësive që iu janë besuar, që dhurata e inteligjencës që Zoti iu ka bërë, të jetë në shërbim të ndërtimit të qytetit të Hyjit!
E dashura shenjta jonë Nënë Tereza, nëna me të cilën krenohemi në të gjithë botën, mos lejo të harrojmë se edhe ne këtu mund ta rimëkëmbim Kishën dhe shoqërinë, duke bërë ndonëse gjëra të vogla por me dashuri të madhe.
O Mari, Nëna Jonë, Mbretëreshë e Paqes, Ylli i Mëngjesit e Zojë e Këshillit të Mirë, ti që ke ndriçuar dhe udhëhequr të lumin Vinçens Prennushi me shokët martirë për të dëshmuar me gjakun e tyre fenë dhe dashurinë për Zotin dhe për popullin tonë, ji nëna jonë përherë, mos na e lësho kurrë dorën e në dallgët e detit ku lundrojmë, bëj që barka e Krishtit që është Kisha, të shohë Ty si prijëse drejt Krishtit Mbret! Amen.