4.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleHomelia e Papa Françeskut; Shkëlqe, dëgjo, e mos ki frikë.
HomeKisha UniversaleHomelia e Papa Françeskut; Shkëlqe, dëgjo, e mos ki frikë.

Homelia e Papa Françeskut; Shkëlqe, dëgjo, e mos ki frikë.

Fjalët e Pjetrit Apostull në Malin e Shndërrimit janë ato që pas këtyre ditëve intensive duam t’i bëjmë tonat: «Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu!» (Mt 17,4). Është e bukur ajo që kemi përjetuar me Jezusin, ajo që kemi jetuar së bashku dhe si jemi lutur. Por, pas këtyre ditëve të hirit, pyesim veten: çfarë marrim me vete duke u kthyer në luginën e jetës së përditshme?

Bazuar në Ungjillin që kemi dëgjuar, do të doja t’i përgjigjem kësaj pyetjeje me tri folje: shkëlqe, dëgjo, mos ki frikë.

Shkëlqe. Jezusi është shndërruar dhe – thotë teksti – «fytyra i shkëlqeu porsi dielli» (Mt 17,2). Ai, pak kohë më parë, kishte kumtuar mundimin dhe vdekjen e tij në kryq, duke shkërmoqur kështu përfytyrimin e një Mesie të pushtetshëm dhe mondan dhe duke zhgënjyer pritshmëritë e dishepujve. Tani, pikërisht për t’i ndihmuar ata që ta pranojnë planin e dashurisë së Hyjit, i cili arrin në lavdi përmes rrugës së kryqit, Jezusi merr tre prej tyre, Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, i çon në mal dhe shndërrohet: fytyra e tij bëhet e shndritshme dhe petkat e tij të bardha. Kjo «banjë drite» i përgatit ata për natën që do të duhet të kalojnë; kjo pamje e ndritshme do t’i ndihmojë ata për të përballuar mundimet e orëve më të errëta, ato të Gjetsemanit dhe Kalvarit.

Miq, edhe ne kemi nevojë për disa rreze drite për të përballuar errësirën e natës, sfidat e jetës, frikën që na shqetëson, errësirën që shohim shpeshherë rreth nesh. Ungjilli na zbulon se kjo dritë ka një emër. Po, kjo dritë që erdhi për të ndriçuar botën është Jezusi (krh. Gjn 1,9). Ai është drita që nuk perëndon kurrë dhe ndriçon edhe natën. Më kujtohen fjalët e priftit Esdra, të cilat i gjejmë në Shkrimin e Shenjtë e të cilat mund t’i përsërisim edhe ne pas këtyre ditëve të kaluara së bashku: «Hyji ynë u dha dritë syve tanë» (Esd 9,8). Të ndriçuar nga Krishti, edhe ne jemi “shndërruar”: sytë dhe fytyrat tona mund të shkëlqejnë me një dritë të re. Vëllezër dhe motra, kjo është ajo që Kisha dhe bota presin prej jush: që të jeni të rinj ndriçues, që e çojnë ngado dritën e Ungjillit dhe që përftojnë rrezatime shprese në errësirën e kohës sonë!

Dëshiroj t’ju them një gjë: nuk bëhemi të ndritshëm kur vihemi qendër të vëmendjes, kur shpërfaqim një imazh të përsosur dhe ndihemi të fortë e të suksesshëm. Jo. Ne shkëlqejmë kur, duke pranuar Jezusin, mësojmë të duam si ai, sepse kjo është bukuria e vërtetë që shkëlqen: një jetë që rrezikon për dashurinë. Një filozof ka shkruar se bukuria e mesazhit revolucionar të Krishtit qëndron në faktin që «atë që është i padëshirueshëm e sheh si të denjë për dashuri» (S. Kierkegaard, Gli atti dell’amore, Milano 1983, 579), domethënë të duash të afërmin ashtu siç është: jo vetëm kur ai është në sintoni me ne, por edhe kur s’kemi simpati për të dhe ka anë që nuk na pëlqejnë. Me dritën e Jezusit kjo është e mundur! Ju të rinj mund të doni në këtë mënyrë dhe të rrëzoni disa mure, disa paragjykime, duke sjellë në botë dritën e dashurisë që shpëton. Shkëlqefshi gjithmonë me këtë dashuri, shkëlqefshi Jezusin, «drita e botës» (Gjn 8.12)!

Folja e dytë është të dëgjosh. Në mal, një re e ndritshme i mbuloi dishepujt dhe zëri i Atit tregon se Jezusi është Biri i dashur. Urdhri që dorëzon Ati është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: «Dëgjoni atë» (Mt 17,5). Gjithçka qëndron këtu: gjithçka që duhet bërë në jetën e krishterë qëndron në këtë fjalë, e fundit që Ati shqipton në Ungjillin e Mateut: dëgjojeni atë. Të dëgjojmë Jezusin, të bisedojmë me Të, ta lexojmë Fjalën e tij dhe ta vëmë në jetë, ta ndjekim: sepse Ai ka fjalë të jetës së pasosur për ne; sepse Ai zbulon se Hyji është Atë dhe dashuri; sepse falë Shpirtit të tij edhe ne bëhemi bij të dashur. Kjo është ajo që na duhet në jetë: jo fama, suksesi, paratë, por të dimë se nuk jemi vetëm, se kemi gjithmonë Dikë pranë, që ta fillojmë dhe ta mbyllim ditën me sigurinë e përqafimit të Zotit; ta dëgjojmë atë, për të besuar se jemi të dashur dhe të shoqëruar nga një dashuri që nuk mungon kurrë. Dhe le ta kujtojmë këtë: të dëgjuarit e Zotit, duke qëndruar i hapur ndaj surprizave të tij, na bën njerëz të aftë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të dëgjuar realitetin që na rrethon, kulturat e tjera, zërin e vuajtur të të varfërve dhe më të brishtëve, britmën e Tokës së plagosur dhe të keqtrajtuar. Sa bukur është të dëgjosh Jezusin, ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të rritemi në dialog, në një botë ku kaq shumë njerëz udhëtojnë të mbyllur në vetminë e tyre, duke menduar për veten e tyre.

Shkëlqeni, dëgjoni dhe së fundi, mos kini frikë. Këto janë fjalët e fundit që Jezusi thotë në mal për t’u dhënë zemër dishepujve të frikësuar: «Çohuni e mos u trembni» (Mt 17,7). Tani që ata kanë pasur një hershim të lavdisë pashkore, që janë zhytur në dritën hyjnore dhe kanë dëgjuar zërin e Atit, dishepujt mund të zbresin nga mali dhe të përballen me sfidat që i presin poshtë. Kështu është edhe për ne: nëse e ruajmë dritën e Jezusit dhe fjalët e tij, ne mund të ecim në jetë çdo ditë me një zemër të liruar nga frika.

Juve, të rinj, që kultivoni ëndrra të mëdha, por shpesh të errësuara nga frika se s’do t’i shihni të realizuara; juve, të rinj, që ndonjëherë mendoni se nuk ia dilni dot; juve, të rinj, të tunduar në këtë kohë për t’u shkurajuar, për ta gjykuar veten të papërshtatshëm ose për ta fshehur dhimbjen tuaj duke e maskuar atë me një buzëqeshje; juve, të rinj, që dëshironi të ndryshoni botën dhe të luftoni për drejtësi dhe paqe; juve, të rinj, që keni ofruar mundin dhe imagjinatën tuaj, por ju duket se nuk mjaftojnë; juve, të rinj, që Kisha dhe bota kanë nevojë si toka për shiun; juve, të rinj, që jeni e tashmja dhe e ardhmja; po, pikërisht juve të rinj, Jezusi u thotë: «Mos u trembni!».

Fjalët që shën Gjon Pali II tha gjatë njërës prej DBR-ve jehojnë më të gjalla se kurrë: «Në realitet, është Jezusi ai që ju kërkoni kur ëndërroni për lumturinë; Ai është që ju pret kur asgjë nuk ju kënaq nga ajo që gjeni; Ai është bukuria që ju tërheq aq shumë; është Ai që ju provokon me atë etje për rrënjësoren që nuk ju lejon të përshtateni me kompromise; është Ai që ju nxit të hiqni maskat që e bëjnë jetën false; është Ai që jua lexon në zemër vendimet më të vërteta që të tjerët do të donin t’i mbysnin. Është Jezusi ai që ju ngjall dëshirën për të bërë diçka të madhe me jetën juaj. […] Mos kini frikë t’i besoni Atij» (Vigjilja e Lutjes, Romë, 19 gusht 2000).

Të dashur të rinj, do të dëshiroja që ta shihja secilin prej jush në sy dhe t’i thoja: mos ki frikë! Por po ju them diçka shumë më të bukur: vetë Jezusi ju shikon tani, Ai që ju njeh dhe ju lexon brenda: ju shikon në zemër, ju buzëqesh dhe ju përsërit se Ai ju do gjithmonë dhe pafundësisht. Gjithmonë dhe pafundësisht. Shkoni, atëherë, dhe çojuani të gjithëve buzëqeshjen rrezatuese të Hyjit! Shkoni dhe dëshmoni gëzimin e fesë, shpresën që ju ngroh zemrën, dashurinë që vini në çdo gjë. Shkëlqeni prej dritës së Krishtit. Dëgjoni Atë që të bëheni edhe ju dritë e botës. Dhe mos kini frikë, sepse Zoti ju do dhe ecën përkrah jush. Me Të jeta ngjallet, gjithmonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme