26.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësFjala përshëndetëse e Imzot Arjan Dodaj në shpalljen si Arqipeshkvi i ri...
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësFjala përshëndetëse e Imzot Arjan Dodaj në shpalljen si Arqipeshkvi i ri...

Fjala përshëndetëse e Imzot Arjan Dodaj në shpalljen si Arqipeshkvi i ri Metropolitan i Tiranë-Durrës

Vëllezër e motra të dashur, në këtë ditë në të cilën bëhet publik emërimi im si Arqipeshkëv i kësaj Kishe të dashur në Tiranë- Durrës, dua t’iu përshëndes të gjithëve me fjalët me të cilat etërit tanë fillonin festat e tyre, por që falë Zotit sot po rikthehet në takimet tona: QOFTË LËVDUAR JEZU KRISHTI!

Në këtë kohë të ardhjes në të cilën presim Jezusin Princin e Paqes, është në Paqen e Tij që përshëndes e falënderoj vëllazërisht Arqipeshkvin e dashur Imzot George Frendo, që në këto vite na ka udhëhequr në udhën e Ungjillit; bashkë me të përshëndes Nuncin Apostolik Imzot Luigi Bonazzi, i cili në këtë moment këtu në Katedralen tonë i jep zë Papa Françeskut, dhe vullnetit të Tij për Arqidioqezën tonë.

Në fakt veçanërisht Papa Françeskut i shkon e gjithë mirënjohja e thellë plot dashuri për vëmendjen që ka ndaj Kishës sonë, të cilën ia beson angazhimit tim si bari. Zoti na njeh e më njeh mirë në brishtësitë dhe kufizimet njerëzore, por në jetën time gjithmonë e më shumë kam njohur dhe kam besim në mëshirën Hyjnore: e për këtë dua të them me psalmistin “ Do të këndoj për amshim Mëshirën e Zotit”(Ps. 88,2)

Me këto fjalë dëshiroj t’iu përshëndes ju vëllezërit e mi në meshtari, që së bashku të jemi instrumente të mëshirës Hyjnore jo vetëm në kremtimet e sakramenteve, por akoma më shumë e me më shumë dedikim në veprat e mëshirës!

Përshëndes të gjitha motrat e Arqidioqezës sonë, që në mënyrë kaq të përkushtuar, e në të njëjtën kohë të heshtur dhe diskrete, janë samaritani i mirë nëpërmjet misioneve të ndryshme që jetojnë.

Përshëndes çdo gjymtyrë që përbën trupin e kishës sonë këtu: lëvizjet kishtare, laikët e angazhuar e të gjithë besimtarët, veçanërisht të rinjtë që banojnë në këtë Arqidioqezë! Të rinjtë janë një destinacion i veçantë i dashurisë së Jezusit, i cili din të ndezë për ta edhe në vendin tonë “shpresën që nuk zhgënjen”( Rom 5,5).

Data e sotme 30 Nëntori, na kujton festën e Shën Andreut Apostull, i thirruri i parë, që aq shumë kremtohet nga vëllezërit tanë Ortodoksë, dhe për këtë arsye ky emërim dëshiroj që të jetë ogur i mirë i vëllazërisë me ta. Shën Andrea në fakt gjithmonë ka qenë një urë lidhje midis lindjes dhe perëndimit, ashtu sikurse në fakt ka qenë gjithmonë vendi ynë. I besojmë ndërmjetësisë së Shën Andreut ecjen tonë Ekumenike, po ashtu bashkë dhe me vëllezërit tanë në Krishtin që janë Ungjillorët. Veçanërisht një përshëndetje i drejtoj komunitetit Mysliman dhe atij Bektashinj, sepse në harmoninë ndërfetare që karakterizon vendin tonë, të jemi gjithmonë të angazhuar për ato vlera që na bashkojnë e që së bashku promovojmë. Tirana është një Metropol plot gjallëri dhe sfida, të cilat kanë nevojë për përkushtimin e të gjithë aktorëve që e përbëjnë atë, për këtë arsye një lutje dhe kujtim i veçantë i shkon autoriteteve qeveritare qendrore dhe vendore sepse së bashku mund të jemi arsye shprese për popullin tonë!

Në këto ditë në të cilat po përgatitemi për festën e Zojës së Papërlyer dua të rinovoj aktin e përkushtimit tim, dhe me mua të gjithë Arqidioqezës sonë ndaj zemrës së papërlyer të Marisë: “Totus Tuus Maria”. Nën mbrojtjen tënde Maria duam të mësojmë të duam, të shërbejmë e të shpallim Birin Tënd Jezusin! Amen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme