32.5 C
Tirana
HomeKISHFJALA HYRËSE E IMZOT GJERGJ METËS NË TAKIMIN VJETOR TË SEKRETARËVE TË...
HomeKISHFJALA HYRËSE E IMZOT GJERGJ METËS NË TAKIMIN VJETOR TË SEKRETARËVE TË...

FJALA HYRËSE E IMZOT GJERGJ METËS NË TAKIMIN VJETOR TË SEKRETARËVE TË PËRGJITHSHËM TË KONFERENCAVE IPESHKVORE TË EVROPËS

Shumë i nderuari Shkëlqesi, Imzot Grusas,

të dashur Sekretarë të Përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvore Evropiane,

të dashur anëtarë të Sekretarisë së Përgjithshme të San Gallo-s,

të nderuar përkthyes,

Në emër të Presidentit të Konferencës Ipeshkvore, Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra ofm, i cili këto ditë është në udhëtim me meshtarët e tij në Greqi, të të gjithë Ipeshkvijve katolikë të Vendit dhe stafit të Sekretarisë së Përgjithshme, ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri.

Mirë se vini!

Mendimi im i parë shkon te vëllezërit dhe motrat tona të Ukrainës në personin e Sekretarëve të Përgjithshëm këtu të pranishëm. E ndjejmë thellësisht dhimbjen e shkaktuar nga lufta në vazhdim e sipër. E lusim dhe e përgjërojmë Zotin që të frymëzojë mendime paqeje tek ata që kanë përgjegjësi, në mënyrë që të gjenden mënyra dialogu në respekt të të drejtave të secilit dhe të kombeve. Ndjejmë afërsi dhe dhimbje për ata që kanë humbur të afërmit, shtëpitë dhe pronat për shkak të luftës, pa fajin e tyre. Ne vazhdojmë të lutemi dhe të angazhohemi për të mbështetur proceset e paqes në Ukrainë dhe në të gjitha rajonet ku janë duke u zhvilluar luftëra apo konflikte të armatosura dhe ku të drejtat dhe dinjiteti i personit njerëzor, veçanërisht të më të dobëtëve, cenohen.

Tema për të cilën jemi mbledhur këtë vit si Sekretarë të Përgjithshëm lakon tre realitete të rëndësishme: Kisha, Evropa dhe Sinodi.

Kisha është mbi të gjitha një mister që reflekton Dritën e popujve, Krishtin Zot. Ajo bëhet Lumen gentium! Një mister që tejkalon dhe është përmbi të mirën ose të keqen që mund të bëjnë bijtë e Kishës. Ajo është nusja e Krishtit, Trupi Mistik i Krishtit, dhe duhet dashur dhe shërbyer, në mënyrë që edhe ajo të mund ta dojë botën në të cilën ndodhet dhe t’i shërbejë asaj. Nuk mund të harrohet kurrë ky dimension i mistershëm i Kishës, heqja e të cilit bën që Kisha të rrëshqasë drejt një përkthimi sociologjik, siç thotë Papa Françesku, një OJQ.

Kisha është në botë, ajo jeton brenda dinamikës së historisë. Nuk është pala kundërshtare e botës, siç gjykohet shpesh, që i kundërvihet botës. Duke jetuar në botë, ajo merr pjesë në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e saj. Në këtë kontekst, ne gjendemi duke reflektuar për Kishën që është në Evropë, për Kishat tona. Ne e njohim rolin e Kishës në formimin e Evropës dhe në idenë e Evropës, së bashku me filozofinë greke dhe të drejtën romake. Por mbi të gjitha Kisha e ka përshkuar Evropën me Ungjillin, nga i cili burojnë vlera si solidariteti, dinjiteti i personit njerëzor, e drejta për jetën, martesën dhe familjen, por mbi të gjitha urdhërimi i madh i dashurisë.

Kisha tani është e përfshirë në një proces sinodal. Nëse kthehemi për një çast pas, në kohën e Koncilit II të Vatikanit, zbulojmë se qendra e diskutimeve konciliare, veçanërisht gjatë trajtimit të skemës apo skemave të De Ecclesia, ishte mënyra për të ushtruar kolegjialitetin, si rrugë e parapëlqyer e marrëdhënieve ndërmjet ipeshkvijve mes tyre dhe mes tyre me Papën. Një shtrirje thuajse e natyrshme, ndonëse e së drejtës kishtare, e këtij kolegjialiteti ishte Sinodi i Ipeshkvijve, i themeluar nga Pali VI, i cili me papatin e fundit, Papa Françeskun, po merr forma të paprecedentë. Kolegjialiteti, së bashku me sinodalitetin, i japin mish realitetit të Kishës, si popull i Hyjit. Më lejoni edhe një referencë mbi Koncilin II të Vatikanit. Në fazën e parë ekzistonte tundimi për ta orientuar diskutimin sipas shtytjeve të Kuries Romake, por Ipeshkvijtë e pranishëm morën menjëherë frenat në dorë, të mbështetur nga Gjoni XXXIII, dhe kështu ai mori një drejtim që ishte i paparashikueshëm për shumëkënd, por sigurisht i parashikueshëm për Shpirtin Shenjt. Kështu e imagjinoj edhe Sinodin që po kremtojmë: është Shpirti Shenjt që drejton dhe jo llogaritjet njerëzore, ideologjitë konservatore apo përparimtare. E Zoti na ndihmoftë!

Lidhur me Evropën: bashkëndaj një reflektim, duke hedhur shikimin nga historia e Shqipërisë, me konflikte, por me kaq shumë bashkëjetesë midis dallimeve. Ne shohim një Evropë të përshkuar nga erërat e luftës në Ukrainë, por turbulenca ndihen edhe në Ballkan. Këtu jemi shumë afër kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Si mund të dalim nga kjo morsë? Çfarë mund të bëjë Kisha?

Do të doja të parafrazoja atë që Kardinali Parolin tha disa ditë më parë në Slloveni, duke theksuar se si duke forcuar dialogun midis kombeve dhe midis feve mund t’i bëhet ballë ekstremizmit. Natyrisht, vetëm duke pranuar njëri-tjetrin, duke respektuar, edhe së bashku, njëri-tjetrin, duke dialoguar, mund të shmanget gjithmonë më e keqja, madje mund të ndërtohen ura dhe jo mure për një bashkëjetesë paqësore mes të ndryshëmve. Kjo është ajo që ne përjetojmë këtu në Shqipëri!

Me një stil sinodal, të vërtetë dhe të mishëruar në histori, Kisha mund të jetë ndihmesë për shoqërinë evropiane dhe më gjerë. Në fjalën e tij për 50-vjetorin e krijimit të Sinodit të Ipeshkvijve, Papa Françesku pohoi ndër të tjera se “vështrimi ynë shtrihet edhe kah njerëzimi. Një Kishë sinodale është si një flamur i ngritur midis kombeve (krh. Is 11,12) në një botë që – megjithëse bën thirrje për pjesëmarrje, solidaritet dhe transparencë në administrimin e çështjeve publike – shpesh e dorëzon fatin e mbarë popullsive në duart e pangopura të grupeve të vogla të pushtetit. Si një Kishë që ‘ecën së bashku’ me njerëzit, duke marrë pjesë në travajet e historisë, kultivojmë ëndrrën që rizbulimi i dinjitetit të pacenueshëm të popujve dhe i funksionit të shërbimit të autoritetit do të jetë në gjendje të ndihmojë edhe shoqërinë civile që të ndërtohet në drejtësi dhe vëllazëri, duke lindur një botë më të bukur dhe më të denjë për njeriun për brezat që do të vijnë pas nesh”.

Të dashur miq, besoj se shërbesa jonë pranë Sekretarive të Përgjithshme mund dhe duhet të jetë një nxitje për të krijuar kushte të favorshme, siç është skelaria e një ndërtese, në mënyrë që Ipeshkvijtë të mund të punojnë së bashku. Gjatë gjithë vitit baritor, me durim, jemi të thirrur të thurim fijet e pëlhurës së një Kishe me shumë ngjyra, e cila e parë në tërësi, bën të nëpërduket fytyra e Nuses, pasqyrim i fytyrës së Krishtit. Puna jonë, edhe pse në prapavijë, është e domosdoshme për punën sinodale të Kishave tona.

Urojmë ditë pune dhe të bashkimi mes nesh, për të mirën e Kishave në Evropë dhe të mbarë shoqërisë evropiane!

Faleminderit!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme