Në festën e Pagëzimit të Zotit – një ngjarje e veçantë, të cilën liturgjia na e paraqet pas së kremtes së Dëftimit të Zotit – Arqipeshkvi, Imzot Arjan Dodaj F.d.C. udhëhoqi kremtimin e Meshës së Shenjtë në Famullinë e Sh. Dominikut – Durrës, ku edhe ftoi katekumenët të hyjnë në Kishë.
Pas ripërtëritjes së premtimeve pagëzimore dhe stërpikjes me ujë të bekuar në përkujtimin e pagëzimit tonë, Imzot Arjani ua dorëzoi Katekumenëve Ungjijtë. Njëzet të rritur, kanë filluar ashtu një ecje përgatitore drejt marrjes së Sakramenteve fillestare – të ashtuquajtura “Të hyrjes në jetën e krishterë”.


Arqidioqeza jonë Tiranë-Durrës ka ndërmarrë një angazhim serioz, duke u treguar ashtu sensibilizuese ndaj të rriturve të cilët i afrohen Kishës, duke kërkuar që të bëhen të krishterë. Një kërkesë të tillë parashtron një rrugëtim hyrjeje në fe që globalisht quhet “Katekumenati”, i cili kulmon në kremtimin e sakramenteve të hyrjes në jetën e krishterë (Pagëzimi, Përforcimi dhe Eukaristia). Ky kremtim paraprihet, shoqërohet dhe ndiqet, nga një kohë katekeze dhe disa rite.


Që nga fillimi i marrjes së shërbimit të tij, Arqipeshkvi ynë, në shumë raste, ka theksuar pa reshtur, rëndësinë e një angazhimi të tillë drejt një kishë vendore të ripërtërirë. Duke theksuar ashtu rëndësinë e sakramentit të Pagëzimit, synojmë të shkëputemi nga koncepti i sakramenteve, si njëfarë arsyeje krenarie lidhur me pohimin kulturor ose thjesht një anëtarësim në krishtërim. Synojmë gjithashtu të shmangim ndonjë tundim për klientelizëm, kur pranojmë aspirantët për pagëzim, duke shpejtuar përgatitjen.
Festa e Pagëzimit, na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Nga Pagëzimi, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë “shoqëria e vëllezërve”. Krijuesi në Jezusin u bë i vogël, fëmijë, e duke u bërë i vogël, bëri të ndritë drita e madhështisë së Tij.