Shkruajnë: Don Robert Kola & Anton Nikë Berisha
“Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë”.
JORGE LUIS BORGES
“Për një ëndërr mund të thuhet gjithçka, përveç se është një gënjeshtër”.
ERNESTO SABATO
Një tekst kuptimisht i pafund
Poezia e Jorge Luis Borgesit me titull “Duke e harruar një ëndërr” është një tekst poetik sa i veçantë aq dhe kuptimisht i pafund. Ajo na zhyt në një det çështjet dhe është një nga tekstet më të hapur që lexuesit mund t’i ketë takuar ta njohë dhe të ndikohet prej tij.
Madhështia dhe veçantia e kësaj poezie përligjet në dy rrafshe: si vlerë poetike dhe si pafundësi kuptimore. Të dyja janë rrjedhojë e gjuhës poetike që përdor poeti dhe e mënyrës së shtjellimit të tekstit. Këta dy përbërës janë shkrirë në njëri-tjetrin sa nuk mund të flasësh për njërin pa qenë brenda edhe të dytit.
Me këtë krijesë poetike Borges-i na ka dhënë një nga shembujt e rrafshit më të lartë se çka duhet ta cilësojë një tekst poetik dhe si mund të shtjellohet – të ndërtohet ai për të bërë një ndikim estetik të duhur në marrësin. Pikërisht për këto cilësi po e vështrojmë në vijim nga disa rrafshe e aspekte.
Pse Borges-i e zgjodhi ëndrrën për objekt vështrimi poetik?
Shkrimtari Jorge Luis Borges njihet për aftësinë dhe shkathtësinë që t’i zgjedhë dukuritë që i bën objekt vështrimi poetik dhe për kujdesin e skajshëm që i kushton hartimit të tekstit në mënyrë që ai të jetë sa më poetik dhe si i tillë të bëjë ndikimin estetik sa më të madh në marrësin. Arsyet pse pikërisht e zgjodhi si objekt vështrimi poetik ëndrrën, nuk janë të rastit. Të ëndërruarit, ëndrra dhe ajo që ngjet brenda saj si dhe kujtimi për të – rrëfimi i saj, janë çështje që lidhen me jetën e njeriut dhe me natyrën e tij. Pra, është një gjë e pandashme nga jeta e njeriut si dje, si sot, si nesër. Pikërisht për këtë fakt ëndrra ka nxitur që të flitet për të nga kohët më të lashta dhe nga njerëz të shtresave e të vendeve të ndryshme. Vetë Borges-i pyet: “[…] a nuk është e kaluara jonë një seri ëndrrash? Ç’ndryshim mund të ketë midis kujtoj ëndrrat dhe kujtoj të kaluarën?”
Ëndrra në qenësinë e vet është një shqiptim dhe ndërtim i njëmendësisë së ekzistuar ose të dëshiruar, përkatësisht shmangie nga realiteti jetësor, ku veprimet janë të kufizuara dhe zhvillohen brenda një rendi dhe logjike të caktuar; në shumicën e rasteve synimet dhe dëshirat e njeriut në jetën konkrete mbesin vetëm si të tilla. Në një mënyrë ose një tjetër, ëndrra është edhe kundërvënie dhe mohim i realitetit konkret, që përkon edhe me atë që ndodh në botën e përrallës. Kjo ngjet për arsye se ëndrra është shprehje më vetjake e ndërdijes dhe e përvojës së njeriut, ajo shpreh njeriun në formën e tij më të plotë. Bota e saj është e pakufi dhe e pakufizuar; funksionon mbi parime të mëvetësishme, që janë krejt të tjera në krahasim me ato të botës konkrete, me atë që ngjet në veprimin e përditshëm të njeriut. Siç dihet, në ëndërr thyhen parimet dhe logjika e përditshmërisë; brenda saj ndodhin ngjarje të ndryshme (edhe kundërshtore); të kohëve e të natyrave të ndryshme; ato afrohen dhe njësohen – mes tyre, sikur të ishin të një vendi dhe të një kohe. Pikërisht për këto veçanti të ëndrrës një varg shkrimtarësh i krijuan veprat e tyre dhe i krijojnë duke u mbështetur në këtë botë. Në mënyrë të veçantë për këtë dukuri ndikon rendi dramatik që shfaqet në ëndërr.
Në ëndërr njeriu nuk di se çka ndodh kur sheh ëndërr, as pse e shohim atë ëndërr. Thuhet se njerëzit e parë nuk e kanë dalluar gjendjen e ëndrrës nga zhgjëndrra; ata kanë menduar se ëndrrat janë gjendje e të qenit zgjuar. Këtij përcaktimi poetët i dhanë një përmasë edhe më të thellë. Sipas tyre, në rrafshin poetik, çdo zhgjëndërr është ëndërr.
Paul Groussac thoshte se zgjohemi nga ëndrra pasi kemi përshkuar zonat e hijes, labirintet e ëndrrës sonë. Sipas Thomas Brown-it, ëndrrat japin një ide të epërsisë së shpirtit të njeriut, meqë shpirti është i pavarur nga trupi dhe priret të luajë e të ëndërrojë (Petrone do të thoshte “shpirti pa trupin loz”), ndërsa në një sonet të Gongora-s thuhet:
Ëndrra, autor shfaqjesh,
në teatrin e saj prej ere
nganjëherë vesh trajta të bukura hijesh.
Se bota e ëndrrës është për shumëçka e rëndësishme dhe e ndërliqshme, e dëshmon edhe ky mendim i vetë autorit të poezisë “Duke e harruar një ëndërr”, Jorge Luis Borges-it: “Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë”.
Në “Epin e Gilgameshit”, ndër veprat letrare poetike më të lashtat, e shkruar me shkrimin kuneiform, ëndrra gjashtë herë paralajmëron ose shënjon diçka të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të veprimit të asaj që ngjet në këtë vepër.
Shekspiri thoshte se ëndrra është gjëja që jam; në tragjedinë e tij “Hamleti”, princi Hamlet i drejtohet Ofelisë, po aq dhe vetes dhe tjetrit: Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë-vdekje, (Akti III, Skenë I). Edgard Allan Poe-ja ishte ndër poetët e rrallë që dëshmoi aftësinë të përshkojë atë “truall” të magjishëm midis reales dhe botës së ëndrrave, atë brez të hijëzuar kufitar, ku përvojat e krijuesit ndërlidhen e gërshetohen në mënyrë të çuditshme me përbërës të të dy anëve të mbretërive: jetës e vdekjes. Kjo gjë përligjet sidomos në poezinë e tij “Tokë – ëndërr”, që është një pamje e botës së ëndrrës e kthyer përmbys.
Një nga përbërësit e qenësishëm të kryeveprës poetike të Zherar dë Nerval-it “Silvia” është ndërtimi i saj mbi botën e ëndrrës, që i jep një përmasë sa të veçantë aq dhe komplekse. Edhe bota e veprës “Princi i vogël”, një vepër poetikisht tepër e rrallë, është e përftuar kryesisht sipas botës së ëndrrës. Për këtë arsye çdo qasje dhe interpretim që i bëhet kësaj vepre, duhet të niset nga kjo botë. Shembuj të tillë të thuash se janë të pafund.
Ëndrra dhe kujtimi për të
Borges iu qas dhe e bëri objekt vështrimi poetik ëndrrën (dhe akthin) për arsye se ajo është shumë më e ndërliqshme sesa mendohet në të parë. Kjo ndërliqësi dëshmohet nga procesi i ëndërrimit, vetë ëndrra si dhe rrëfimi i saj, pra përmes kujtimit, pastaj ëndërruesi përballë Hyjit.
Ëndrra si proces është një mister dhe vështirë i pranon përcaktimet dhe rregullat. Në qenësinë e vet ëndrra i njëson të kaluarën, të tashmen dhe të ardhshmen. Pra, ajo ngërthen shtresime kohësh e dukurish të shumta e të ndryshme. Në veprën “An Experiment with Time”, Dunne thekson dhe një dukuri të rëndësishme të ëndrrës e të natyrës së saj: “Çdo njeriu ëndrra i fal një përjetësi të vogël që i lejon të shohë të kaluarën dhe të ardhmen e tij të afërt. Tërë këtë, ëndërruesi e sheh në një çast të vetëm ashtu si Zoti që sheh nga përjetësia e tij e pafundme procesin kozmik”. Këtë e thotë vetë Borges-i: “Ëndrra është njëherësh e shumëfishtë (shumështresore) dhe e atypëratyshme”.
Pa dyshim se veçantitë e këtilla të shumta të ëndrrës, pafundësia e asaj që mund të thuhet për të, e ka nxitur Borges-in ta bëjë ëndrrën objekt vështrimi poetik dhe t’i shpreh disa nga këto veçanti përmes tekstit poetik dhe pamjeve poetike.
Duke bërë fjalë për ëndrrat Erich Fromm (Erih From) thoshte: “Forcat tona që përcaktojnë ëndrrat tona, janë dëshirat tona irracionale. Në gjumë u japim jetë atyre impulseve, ekzistencën e të cilave nuk duam ose nuk guxojmë ta pranojmë kur jemi të zgjuar […] Prirjet irracionale, që në ëndërr shprehen si të plotësuara, i kanë rrënjët te fëmijëria jonë…”.
Bota e ëndrrës, shumësia e dukurive dhe e vlerësimeve që nxit ajo, dyshimet që mbesin edhe pas përgjigjeve të ndryshme, dëshmon se ajo ndërlidhet me shumë çështjeve të jetës dhe se ato mëdyshje në një mënyrë ose në një tjetër ndodhin dhe në veprimet e jetës së njeriut. Është ajo që ka thënë poeti austriak Walter von der Vogelweider, kur e pyet veten “Ist es mein Leben geträumt oder ist es war?” A është e ëndërruar (ëndërr) jeta ime ose ajo është njëmendësi”.
Një dukuri tjetër po aq e rëndësishme që ngërthen ëndrra dhe ajo që ndodh pas saj, ose interpretimeve që i bëhen asaj (nga paraardhësit dhe vetë Frojdi) është ndryshimi që ngjet midis ëndrrës dhe kujtimit të saj, përkatësisht të treguarit të saj (pas çastit të ëndërrimit), që nuk është i vogël. Thomas Brown thotë se “[…] kujtimi për ëndrrat është më i varfër se realiteti i tyre i shkëlqyer”.
Ëndrra frymëzim i vizionit
Thuhet se poeti është mburoja e ëndrrës zanafillore, ndërsa poezia zgjimi i saj. Përmes saj (ëndrrës) endët një mister i pafund. Ëndrra është frymëzim i vizionit. Vizioni është shndritje. Shndritja është përmbushje e trajtës. S’ka vizion pa shndritje dhe s’ka përmbushje të trajtës pa frymëzim. Misioni i poetit dhe i poezisë qëndron në shndritjen e trajtës.
Pra, poezia është thurje e njëmendësisë me dritën virgjërore të krijimit, ndërsa poeti ëndërrimtari që mbjell dritën e zanafillës..
Poezia e Borges-it “Duke e harruar një ëndërr”, e ndërtuar mbi ëndrrën e këputur të zanafillës, është, siç thamë, njëra prej poezive më të thella të tij. Duke shquar natyrën e poetit, autorja spanjolle M. Zambrano, thotë: “[…] Poezia kërkon të rifitojë ëndrrën zanafillore, nga e cila njeriu u zgjua pas rënies së parë; kërkon ëndrrën e pafajësisë së mëparshme, ajo që ishte para pjekurisë së tij. Poezia është njësim, pajtim, përqafim që shtrëngon në bashkim qenien njerëzorë me ëndrrën prej së cilës vjen, duke shlyer hapësirat. Metafizika, përkundrazi, është largim i përhershëm nga ëndrra zanafillore. Filozofi beson që vetëm duke u larguar, e vetëm duke u zhytur në humbëtirën e lirisë dhe vetëm duke mbetur deri në fund vetvetja, do shpëtojë, do jetë.”
Nga vargu i parë kjo poezi e Borges-it na ballafaqon me misterin e ëndrrës. Ajo e përshkon poetin me dritën e saj. Nga ëndrra e ëndërruar, poeti nuk kujton asgjë tjetër, pos dyerve të shumta që e rrethojnë.
Në mëngjesin e dyshimtë pashë një ëndërr.
Mbaj mend se në ëndërr kishte disa dyer.
Drita e vizionit kalon përmes derës, por nuk mbyllët përmes saj. Drita e saj hap dyer aq sa përhapen edhe rrezet e saja. Misteri hyn përmes derës, por nuk mbyllët nga asnjë derë. Sa i thellë del vëzhgimi i M. Buber-it, i cili duke folur për takimin e përsosur që kërkon heshtja e trajtës së krijesës, heton se si të gjitha dyert e saj bashkohen në një derë të vetme dhe njeriu nuk di përmes cilës ka hyrë brenda saj: “Mund të rrëmbehemi nga jeta përmes natyrës, botës ‘fizike’, të konsistencës; nga jeta me njerëzit, botës ‘psikike’, të ndjesisë; nga jeta me qenësinë shpirtërore, botës ‘noetike’, të vlefshmërisë, dhe kështu mund të përshkohet tejdukshmëria e tyre, kuptimi i tyre. Secila nga këto sfera mund të bëhet dhe bëhet e rëndësishme, apo të mbesin dhe të pashndritura, pa marrë parasysh si do t’i quajmë ato, edhe nëse i emërtojmë me emra të shkëlqyer, si kozmos, eros dhe logos. Në të vërtetë, për njeriun kozmosi qëndron, nëse gjithësia bëhet shtëpia e tij, një vatër e shenjtë, ku kryen flitë e kushtuara; për njeriun qëndron erosi, vetëm nëse për të qenia bëhet ikonë e amshimit dhe bashkimi me qeniet e tjera një zbulesë; për njeriun qëndron logosi, vetëm nëse apelon në mister duke vepruar dhe duke shërbyer shpirtin. Kërkimi i heshtjes që lyp trajta, gjuha dashamirëse e njeriut, shpallja e heshtur e krijesës: të gjitha janë dyer që na udhëheqin kah prania e fjalës. Mirëpo, kur vjen koha të ndodhë takimi i përsosur, dyert bashkohen në një derë të vetme të jetës reale dhe nuk dihet se nga cila derë ke hyrë brenda”.
Në çastin e zgjimit poeti është në mëdyshje. Përmallimi për ëndrrën e thellë që e ka përshkuar shpirtin e tij, nuk e shuan kërkimin. Ëndrra e tij bëhet e pakapshme, sidomos nga hija e miteve antike, që i thuren ëndrrat e njerëzimit përmes mitologjisë aq thellë, siç rrëfen edhe miti i Tiresias. Ëndrra bëhet edhe më e pavëzhgueshme nga shfaqja e premtimit të Abrahamit nën qiellin e Urit të Kaldesë, kur Hyji i premton së pasardhësit e tij, do të jenë pa fund, si yjet e qiellit dhe si rëra e detit. (krhs Zan 15, 1-21) Po ashtu, vëzhgimet që vijnë nga Spinoza, trullosin mendjen e poetit, mbase ky mendimtar Hyjin e njëson më natyrën, kur tha: “Deus sive natura.”
Vizioni i ëndrrës së poetit bëhet sa i pakapshëm, po aq edhe i përmallueshëm; nuk pajtohet që ëndrra e tij të tretet me zgjimin e mëngjesit.
Zgjimi im në mëngjes bëri të shuhet
ajo përralla intime që tani
është më e pakapshme se hija
e Tiresias ose e Urit të Kaldesë
ose e mëtimeve të Spinozës.
Poeti nuk ndalon vetëm në përbluarje e përimtime filozofike; nuk gjen prehje derisa ëndrra e tij, nuk lartësohet në gjirin ngushëllues, ku përmblidhet çdo ëndërr dhe çdo lot i derdhur.
Është e njohur që një irlandez thoshte
që në vëzhgimet e Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë,
çdo ëndërr bashkohet në amshim
çdo kopsht i zbrazët dhe çdo lot.
Pra, poezia është rruga e njësimit me transcendencën. Ajo pret ngadhënjimin e dashurisë. “Poezia është ikje dhe kërkim, nevojë dhe frikë, është vajtje dhe ardhje, është thirrje për ikje; është ankth pa fund dhe dashuri pa mbarim. Nuk mund të përqendrohet mbi zanafillën, sepse dashuron botën dhe krijesat e saj dhe nuk gjen prehje derisa ato nuk do të njësohen me të në zanafillë. Nga kjo rrjedh se poezia është dashuri e birit, e të dashurit dhe dashuri e vëllait. Jo vetëm që dëshiron të kthehet në soditjen e zanafillës, por gjakon që të kthehet së bashku me të gjithë dhe s’mund ta arrijë këtë, pos në saje të shoqërimit, përmes shtegtarëve, fytyrat e të cilëve i ka parë nga afër, i ka ndier ofshamat e tyre së bashku me të vetat, në mundimin e udhëtimit […] Poezia nuk ngërthen individualitetin, por bashkësinë. Ajo synon njësimin e gjithmbarshëm: ngadhënjimin e dashurisë”.
Vizioni i ëndrrës është fshehtësia e gjërave; shfaqet vetëm përmes dashurisë. Me ngulmim poeti kërkon të kapërcejë pragun e vizionit, dhe të gjendet në vatrën që shndrite thelbin e fshehtësisë të çdo gjëje:
Po të dija çka ishte ajo ëndërr
që ëndërrova ose çfarë do të kem ëndërruar,
do t’i dija të gjitha gjërat.
Poezia “Duke e harruar një ëndërr” është “shifër e transcendencës”. Përmes saj poeti kërkon të qëndrojë në pragun e vizionit, nga merret drita e trajtës. Tërë krijesa pret të përmbushet me dritën e amshuar.
Përmasat poetike të tekstit
Përbërësi kryesor që i jep shpirtin dhe pafundësinë kuptimore kësaj poezie të Borges-it, që nxit komunikim të pazakonshëm dhe një ndikim estetik të skajshëm është teksti i saj. Pikërisht kjo poezi e përligj atë mendimin e njohur të studiuesit të shquar rus, Jurij. M. Lotman, i cili thoshte: “Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë”.
Veçantia e parë që e cilëson tekstin e kësaj poezie të Borges-it është ngjeshësia apo dendësia e tekstit. Autori ka hequr nga teksti çdo gjë të tepërt; ka lënë vetëm atë tekst që mjafton të kapën çështjet dhe kuptimet kryesore, që shkaktojnë pastaj degëzime të pafundme. Për këtë do të bindemi nëse synojmë të heqim qoftë edhe një varg madje edhe një fjalë dhe më nuk e kemi poezinë përkatëse. Pra, poezia “Duke e harruar një ëndërr” ka një tekst skajshmërisht të kursyer dhe të menduar mirëfilli.
Shumëkuptimësia e tekstit fillon në pjesën e parë të vargut të parë: Në mëngjesin e dyshimtë, me çka dyshimi parashënjon qenësinë që e përshkon gjithë krijimin. Si mund të jetë mëngjesi i dyshimtë dhe për çka shërben ky mëngjes i dyshimtë? Natyrisht, në tekstin poetik është e mundur, madje një mënyrë e këtillë e shqiptimit parapëlqehet. Pikërisht në këtë mëdyshje të mëngjesit, zënë fill mëdyshjet e tjera, po dhe shprehjet e tjera figurative që i japin shpirtësinë e poezisë si tërësi. Shprehja tjetër, sa e veçantë, aq dhe kuptimisht e pafund, është përralla intime […] / më e pakapshme se hija / e Tiresias ose e Urit të Kaldesë, ku shumësia kuptimore degëzohet, në dy rrafshe kryesore: në atë poetik dhe në atë teologjik e mitik. Në rrafshin e parë teksti të vë para një pafundësi dyshimesh (vazhdon dyshimi nga vargu i parë): Cila është përralla intime e njeriut? Njëmendësia? Ëndrra? Synimi? Dëshira? E kaluara? E Ardhmja? Ose të gjitha së bashku?
Vargu tejet i rrallë: Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë, ndërlidhet ngushtë me vetë aktin e ëndërrimit, të ëndrrës. Në rrethana të rëndomta nuk thuhet se Hyji nuk fle (rëndom thuhet është gjithnjë i zgjuar, roje e përhershme etj.), po këtu njësohet mirëfilli me ëndrrën dhe me harrimin e saj. Kjo është në lidhje të ngushtë me vargun tjetër: çdo ëndërr bashkohet në amshim, që i përket Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe të gjithëkohshëm. Edhe vargu: Vijon dyshimi dhe hijësimi rritet dëshmon për vazhdimësinë e rrafshit të lartë të të shprehurit poetik: ndërlidhet me dyshimin të shfaqur në vargun e parë dhe në vijim, po këtu pos dyshimit kemi dhe hijësimi; të fshehtën, të pathënshmen; atë që secili lexues, në mënyrë të mëvetësishme, e imagjinon. Pra, edhe dyshimi, edhe hijësimi shkojnë e rriten sa më shumë që i afrohem fundit të tekstit, po jo dhe fundit të mendimeve që nënkuptohen dhe nxiten nga teksti.
Edhe fundi i poezisë, që në vështrim të parë duket i qartë, dëshmon për vijimësinë e dyshimit që nis me pjesën e parë të vargut të fillimit: Po të dija çka ishte ajo ëndërr dhe […] çfarë do të kem ëndërruar, / do t’i dija të gjitha gjërat.
Nga këto vargje lind pyetja: çka di njeriu? Pse është dija e tij e kufizuar? Mos kjo të shpie vetvetiu tek ideja se vetëm Hyji është i gjithëdijshëm? Ose sa shumë i mbetet njeriu të mësojë për qenien dhe ekzistencën e vet?
Edhe fundi i tekstit të kësaj poezie e përligj atë që thamë në fillim: tekstet i saj është nga më të hapurit që është përftuar nga Borges-i po dhe nga poetë të tjerë.
Dhjetor 2021
DUKE E HARRUAR NJË ËNDËRR
Në mëngjesin e dyshimtë pashë një ëndërr.
Mbaj mend se në ëndërr kishte disa dyer.
Pjesa tjetër më treti. Zgjimi im
në mëngjes bëri të shuhet
ajo përralla intime që tani
është më e pakapshme se hija
e Tiresias ose e Urit të Kaldesë
ose e mëtimeve të Spinozës.
E kalova jetën duke përimtuar
dogmat me të cilat përballeshin filozofët.
Është e njohur që një irlandez thoshte
që në vëmendjet e Hyjit, i cili nuk fle asnjëherë,
çdo ëndërr bashkohet në amshim
çdo kopsht i zbrazët dhe çdo lot.
Vijon dyshimi dhe hijësimi rritet.
Po të dija çka ishte ajo ëndërr
që ëndërrova ose çfarë do të kem ëndërruar,
do t’i dija të gjitha gjërat.
Përkthyen nga italishtja (krahasuar dhe me origjinalin spanjisht): Don Robert Kola dhe Anton Nikë Berisha.