12.5 C
Tirana
HomePërshpirtëriE URRENTE KISHËN DHE ISHTE PRO ABORTIT. PASTAJ THIRRJA E PABESUESHME
HomePërshpirtëriE URRENTE KISHËN DHE ISHTE PRO ABORTIT. PASTAJ THIRRJA E PABESUESHME

E URRENTE KISHËN DHE ISHTE PRO ABORTIT. PASTAJ THIRRJA E PABESUESHME

Dëshmia e mrekullueshme e vajzës që u bë misionare në Shqipëri

Nga një vajzë rebele, antiklerikale, pro abortit në murgeshë françeskane. Tërë shqetësim, por gjen paqen duke i thënë Po-në e saj Zotit dhe zbulon një dashuri që nuk mbaron.

Sot bashkëndajmë me ju një dëshmi të madhe, atë të motrës KiaraMotrave të vogla të Zemrës së Papërlyer. Një histori që tregon vërtet sesi Zoti mund të na arrijë dhe të mbretërojë në jetën tonë, madje dhe mbi të gjitha kur ne duket se jemi shumë larg tij dhe Kishës.

E dyta nga katër fëmijët, Motër Kiara lindi në një familje praktikante, por shpejt u largua nga famullia dhe jetoi në një rebelim të gjatë dhe të thellë që e bëri atë të vinte në dyshim të gjitha vlerat e përçuara nga prindërit e saj.

Motra Kiara: “Mendova se për të qenë e lirë duhej të kapërceja kufijtë”

«Gjithmonë e kam pasur në zemër dëshirën për liri, për mua liria kapërcente edhe lumturinë (…) për mua liria ishte gjithçka (…). Mendoja se për të qenë e lirë duhej të kapërceja kufijtë. (…) Kjo ngjallte në mua një rebelim të madh».

Kjo dëshirë e madhe për liri bie ndesh me mësimet e Kishës:

«Dhjetë urdhërimet ishin dhjetë imponime (…) një mënyrë për të qenë e lirë ishte të dilja kundër këtij Institucioni».

Nëna mbetet shtatzënë dhe vajza shpreson se do ta abortojë

Ndërkohë nëna zbulon për herë të katërt se është shtatzënë, një shtatzëni e paplanifikuar dhe e papritur që e zemëron vajzën. Ajo nuk do një vëlla tjetër dhe beson se gjëja më e mirë është që nëna e saj ta abortojë.

«Kur nëna ime mbeti shtatzënë me këtë fëmijë unë u zemërova shumë sepse tashmë ishim të rritur (…) kishim qetësinë tonë (…) më shqetësonte (…) fëmija i katërt ishte një barrë ( …) në zemrën time doja që ajo ta abortonte. Unë isha pro abortit, mbrojta të drejtat e grave (…)».

Gëzimi i lindjes së vëllait

Por kur lind vëllai i vogël, gjithçka ndryshon:

«Kur lindi ky fëmijë, unë u lidha marrëzisht pas tij (…) deri në atë masë sa, ndoshta për të heshtur brejtjen e ndërgjegjes ngaqë kisha dëshiruar ta vrisja, e llastova tejmë. E përkëdhelja shumë, ai u bë vërtet qendra e jetës sime (…) mirëpo, kjo nuk përkonte me besimin tim, isha shumë larg nga Kisha, isha kundër katolikëve, kjo ngelte».

Motra Kiara dhe lufta kundër Kishës

Qëllimi i saj ishte të zbulonte të gjitha të metat e priftërinjve dhe më pas t’i përdorte këto prova për të diskredituar katolikët:

«Kur kapja keq ndonjë një katolik, më duhej ta vija me shpatulla pas muri (…)».

Por të dielave, pavarësisht gjithçkaje, ajo shkonte në Meshë “e detyruar” nga prindërit.

Sëmundja e vëllait dhe ndjenja e fajit

«Për mua ishte një luftë (…) Unë isha e tmerrshme (…) në këtë kontekst – tashmë isha diplomuar dhe po vazhdoja studimet – ky vëllai i vogël (9 vjeç) u sëmur. Iu diagnostikua një sëmundje e tmerrshme në stomak, që shfaqej në një mënyrë të egër. Një sëmundje që nuk e ndalej (…) përparimi i saj ishte dërrmues, deri në atë pikë sa i rrezikohej jeta».

Motra Kiara dhe prova më e vështirë e jetës së saj

Kjo sprovë e shkurajoi dhe dëshpëroi të renë, ajo ka frikë se mos e humbet vëllain e saj dhe ndihet fajtore ngaqë kishte menduar se ai nuk duhej të kishte lindur.

«Ishte momenti më i keq i gjithë jetës sime. Jo vetëm që isha e shqetësuar, me keqardhje (…), por u ndjeva përgjegjëse, mendova në zemrën time se ky ishte dënimi që Hyji po më jepte. Meqenëse kisha dashur ta vrisja këtë vëlla të vogël, tani po mendoja se Zoti po e merrte për të më thënë: “A e pe? Ti deshe ta hiqje qafe dhe tani po e marr vërtet”».

Motra Kiara: “Mendova se me Zotin gjërat mund të bliheshin”

Një periudhë shumë e vështirë, një peshë e tmerrshme në zemër, ajo nuk di çfarë të bëjë. Dëshiron të lutet, por çfarë lutjesh të bëjë? Ajo nuk e duron dot “avazin” e Rozares së shenjtë, megjithatë është e bindur se me Zotin mund të bisedohet për të arritur një kompromis; e jeton fenë sipas mënyrës jap marr:

«Mendova se me Zotin gjërat mund të bliheshin, ishte pak si “ti bëj diçka për mua dhe unë do të bëj diçka për ty”. Dhe i thashë Zotit: “kushdo që ti je, kudo që je, unë të kërkoj ta shpëtosh jetën e këtij fëmije (…). Unë jam e gatshme të bëj gjithçka, merr gjithçka që kemi (…) bëj që të jemi të varfër, merr gjithçka, por shpëtoje jetën e këtij fëmije. Dhe unë, në shkëmbim, jam e gatshme të bëj gjithçka”. Edhe gjënë që urreja më shumë, që ishte shoqërimi me katolikët. “Nëse ti ndërhyn fuqishëm në jetën e këtij fëmije, unë jam e gatshme ta paguaj duke shkuar në një grup katolik, në RiFra, rinia françeskane”».

«Duhet të paguaja borxhin tim»

Zoti nuk vonon të përgjigjet dhe sëmundja ndalon papritur. Prandaj, vajzës nuk i mbetet tjetër veçse të paguajë borxhin e saj dhe të frekuentojë këtë grup që ajo çmon se përbëhet nga njerëz të depresionuar, mjeranë, të mërzitshëm. Motra tashmë ishte pjesë e grupit. Herët e para qëndron fare mënjanë: nuk i beson askujt, qëndron e distancuar, nuk flet. Por më pas diçka ndryshon: ajo ngelet e mahnitur nga thjeshtësia e këtyre të rinjve. Ata nuk kanë frikë të tregojnë të metat e tyre, dobësitë e tyre.

Misioni në Shqipëri dhe shikimi i Hyjit

Ajo vazhdon të marrë pjesë me gëzim në grup dhe më pas vendos të niset në mision në Shqipëri për të ndihmuar të sprasmit dhe të jetë e dobishme. Atje, në pasigurinë absolute, përjeton një paqe dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, një lumturi që s’ia rrokte mendja duke pasur parasysh vendin e varfër dhe mungesën totale të argëtimit. Ajo kujdeset për pastrimin dhe rregullimin e kishës, merr pjesë në Adhurimin Eukaristik dhe aty, para Zotit, ndihet, për herë të parë, e shikuar dhe e dashur prej Tij.

Thirrja e motrës Kiara

Me kthimin në Itali, asgjë nuk ishte si më parë: pjesëmarrja në Meshë ishte e përditshme, marrëdhënia me të fejuarin e saj u bë më e ndërlikuar dhe për herë të parë i lind ideja për t’u bërë murgeshë.

Pavarësisht frikës, kundërshtive, dyshimeve, thirrja bëhej gjithnjë e më e fuqishme. Me Po-në thënë Hyjit, Motër Kiara zbulon një dashuri që nuk njeh fund. Dhe përjeton se plotësia arrihet duke bërë vullnetin e Tij, duke i dhënë lavdi Atij.

Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht;

të mrekullueshme janë veprat e tua,

po, shpirti im mirë e di (Ps 139).

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme