20.5 C
Tirana
HomeKryesorE Premtja e Madhe e Krishtit dhe e të gjithë neve. Turpi...
HomeKryesorE Premtja e Madhe e Krishtit dhe e të gjithë neve. Turpi...

E Premtja e Madhe e Krishtit dhe e të gjithë neve. Turpi dhe dëgjimi

Kush bërtet? Është Jezusi ai që bërtet. Po të tjerët? Të tjerët nuk bërtasin më, bëjnë thashetheme mbi ngjarjen, duke zbritur nga kodra apo duke u larguar. Të tijtë, shprehimisht, kanë heshtur. Pasi kanë mërmëritur diçka, për të maskuar sikletin e tyre (e bën edhe Juda), ata nuk kanë më fjalë. Do të duhen gratë për t’i zgjuar, duke njoftuar se, pas asaj klithjeje dhe heshtjes mortare që ia shuan jehonën asaj, po ndodh diçka e padëgjuar.

Ne jemi bërë shumë të qytetëruar, nuk bërtasim më drejt Hyjit. Kur ngremë zërin, si në debate televizive, apo në stadiume – shpesh dy variante të të njëjtit fenomen – sigurisht që nuk e bëjmë për t’u dëgjuar nga Zoti.

Britma e atyre që vuajnë vërtet duket se është bërë e heshtur, si klithma e Munch. Kush e dëgjon? Ata janë dorëzuar, e shndërrojnë britmën në një rënkim dhe më pas as s’është më as ai. Shoqëritë tona – ndoshta edhe kishat tona – kanë probleme me dëgjimin.

Sigurisht se britmat e protestave i dëgjojnë dhe përpiqen të përgjigjen me britmat e premtimeve. S’ke ç’të thuash, më mirë se asgjë. Por është ende një shkëmbim zërash mes të shpëtuarve, nuk është dëgjimi i të mbyturve. Shumë burra, gra, fëmijë, të përkulur nga poshtërimi dhe të kryqëzuar nga indinjata, kanë frymë edhe për një klithmë të vetme.

Nëse e humbim atë, ata janë të mbaruar. Por edhe nëse e dëgjojmë dhe vazhdojmë rrugën. Britma e dhimbjes kumbon dobët, por heshtja e vdekjes gjëmon, shprehimisht, brenda nesh. Le të përqendrohemi mbi këtë tani, nesër është tashmë shumë vonë. Nesër do të fillojmë të gjejmë arsye, të zhvillojmë analiza, të mbyllim gropën. Le të identifikohemi sot me tmerrin e kësaj heshtjeje vdekjeje dhe të përpiqemi ta dëgjojmë në kohë britmën e dhimbjes.

I Kryqëzuari ka kohë vetëm për të na besuar njëri-tjetrit. I Kryqëzuari na qorton: ja çfarë ndodh kur nuk i besojmë njëri-tjetrit, kur sfidojmë njëri-tjetrin, kur mësojmë të mos i besojmë njëri-tjetrit. Britmat humbasin, bëhen të heshtura, të padëgjueshme, vdekjeprurëse.

Kujt duhet t’i besojë brezi që vjen tani në botë? Kujt mund t’i besojnë të rinjtë që kërkojnë një pjesë të projektit të jetës së përbashkët? Nuk e gjejnë në familje (qoftë e vjetër apo e re, asgjë nuk ndryshon në këtë drejtim: asgjë) nuk e gjejnë në shkollë, nuk e gjejnë në punë, nuk e gjejnë në politikë. Shumë britma përgjigjeje ngelen të patrazuara: kjo nuk është detyra jonë specifike. Dhe e kujt, atëherë? Ndërkohë, zërat e dëshpërimit bërtasin brenda të rinjve, të cilët as nuk e dinë më se nga vijnë zërat: ata humbasin në një brendësi tashmë shumë të pasigurt, gjuajnë në ajër si të verbër fantazmat e tyre, duan të largohen nga bota jonë: dhe dikush, atëherë, e bën me të vërtetë.

“Djema, unë po shkoj përpara, në krahinat e errëta të përuljes dhe poshtërimit.

Ju më nderoni të paktën në këtë: doni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë. Nuk do t’ju lë jetimë, do të dërgoj një Erë të Hyjit që do të fshijë gjethet e thata dhe do të bëjë që gruri të mbijë përsëri, hardhia të ketë lëng të ri, fiqtë të japin fryt. Dhe siç është e vërtetë që tani unë ju paraprij, në hijet e vdekjes dhe në rrugën e jetës, është e vërtetë se do të kthehem.

Ne do të hamë dhe do të pimë së bashku: dhe do ta dini se hijet kanë kaluar me të vërtetë dhe bota ka ndryshuar përnjëmend”.

Pak a shumë me këto fjalë, Jezusi kishte hershuar tmerrin e së Premtes së Madhe, ditë në të cilën duhet dëgjuar me dhimbje në shpirt britma e të përndjekurve dhe ta vuajmë me turp heshtjen e të qytetëruarve. Nuk ka mënyrë për ta imagjinuar – përvoja e dëshmon këtë çdo ditë – aftësinë tonë për të lejuar që të përshkohemi nga ajo britmë dhe ta përqafojmë me pasion premtimin që përmban. Është mirëfilli hir, e Premtja e Madhe. Nëse nuk e kërkojmë tani, kur? Hiri i së Premtes së Madhe duhet t’i rezistojë – gjatë gjithë vitit – provës së dështimit të programimeve tona për një jetë të imunizuar nga lëndimet, të bashkëfajësive tona, të profesionalizmit tonë që na përligj para humanitetit që rri jashtë procedurave.

Edhe Apostujt kishin bërë planifikime. Më pas vjen e Premtja e Madhe dhe duhet ditur si të improvizohet kujdesi për të lënduarit, kërkimi i të braktisurve, butësia për të përjashtuarit nga protokollet. (E megjithatë Ai kishte thënë se mbretëria e Hyjit vjen papritur, në mënyrat më të pamenduara, me butësi dhe dhunë: dhe duhet rrokur në të dyja). I Kryqëzuari ecën para, ai na lë në jetë në mënyrë që ta dëgjojmë britmën e të Premtes së Mundimit dhe ta brendësojmë hirin e saj. Kështu, kur të vijë Era e Hyjit, nuk do të mbyllemi në shtëpi – apo në kishë – dhe do të kemi sy e veshë të rinj për t’i parë mbeturinat e shoqërisë së qytetëruar dhe për të dëgjuar rënkimin e krijesës së shtypur. Dhe do të na përmallojë dhe gëzojë, madje edhe forca që do të gjejmë për ta bërë këtë.

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme