11.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleE ETUR PËR TË SHUAR ETJEN
HomeKisha UniversaleE ETUR PËR TË SHUAR ETJEN

E ETUR PËR TË SHUAR ETJEN

fr. Gazmend Tinaj, ofm

Shën Nënë Tereza e Kalkutës, merr si motiv të jetës së saj Fjalinë e pestë të shtatë fjalive të fundit të jetës tokësore të Zotit tonë Jezu Krishtit, ose siç quhen ndryshe shtatë fjalët: “Kam Etje”.

1. Konteksti Biblik

Jemi në momentet e fundit të jetës së Krishtit, tashmë Ai është i varur dhe i gozhduar në Kryq. Këtu, për Shën Gjonin Ungjilltar, tregimi i jetës së Jezusit arrin kulmin, tashmë gjithçka është plotësuar. Jezusi tha: “Gjithçka është plotësuar!”, Dhe duke përkulur kryet, dha shpirt), (Gjn 19,30). Por, përpara se të jepte shpirt, Jezusi shpreh një ndjenjë njerëzore sa të zakontë aq dhe ngarkuar me peshë domethënieje ekzegjetike dhe teologjike. Ai tashmë ka humbur shumë gjak, gjuha e tij është e thatë, prandaj në Gjn 19,28 Krishti thotë “Kam etje”.

Në ungjijtë sinoptik nuk ilustrohet kërkesa e Jezusit për të pirë, pra nuk e gjejmë këtë shprehje, por vetëm fjalinë që ushtarët duan ti japin të pijë uthull të përzier me vrer. Në Markun e Mateun, por jo në Lukën, thuhet se një pije i qe ofruar Jezusit përpara se të kryqëzohej: I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori (Mk 15,23). Por Marku dhe Mateu shkruajnë se, Jezusit i qe ofruar edhe një pije për të dytën herë në kryq përpara se të vdiste. Mbasi Jezusi tha fjalët e tij të fundit, një prej të pranishmëve e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë (Mk 15,36; Mt 27,48). Nuk na thuhet nëse Jezusi piu me të vërtetë. Luka sjell vetëm episodin ku përmendet uthulla. Ky episod vihet në mes të tregimit të kryqëzimit, përpara fjalëve të fundit të Jezusit: “Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i dhënë uthull” (Lk 23,36). Për Lukën kjo gjë është një motiv talljeje, gjë që nuk është për Markun dhe Mateun.

Gjoni na jep një version të tretë të kësaj ngjarjeje të përafërt me versionin e dytë të Mk dhe Mt, por me një hollësi më shumë dhe me qëllime teologjike të ndryshme, kurse konkordon me versionin e Lukës vetëm në përshkrimin e një pije që i jepet Jezusit. Jezusi ka etje thjeshtë sepse ky është vullneti i tij, sepse është i vetëdijshëm që ekziston një profeci që duhet plotësuar. Jezusi është i vetëdijshëm që gjithçka tashmë është plotësuar, Ai është i vetëdijshëm që për Të, tashmë kishte ardhur ora që të kalonte nga kjo botë tek Ati (Gjn 13,1). Prandaj etja e Jezusit dhe ofrimi i uthullës duhet të vihen në relacion me plotësimin e veprës së madhe të tij “të orës, momentit”. Duhen të vihen në relacion me vdekjen e tij, sepse ai është momenti i plotësimit të gjithçkaje, të momentit të madh. Ai çon në plotësim Shkrimin e Shenjtë. Po për cilën pjesë të shkrimit bëhet fjalë? Ky përshkrim përputhet me skenën që e gjejmë në Ps 69,22, ku i drejti i persekutuar kërkon diçka për të shuar etjen, por kundërshtarët e tij i japin uthull. Këtë psalm Gjoni e citon edhe dy herë të tjera në ungjillin e tij Gjn 2,17, ku citon rreshtin 10 të psalmit dhe Gjn 15,25 ku citon rreshtin 5. Pra Gjoni citon qoftë etjen qoftë uthullën. Gjoni citon edhe Ps 22,16, ku edhe pse nuk thuhet haptas fjala etje por nën imazhin e gojës së thatë dhe gjuhës së kapur për qiellzë, nënkuptohet etja, edhe këtu etja është e lidhur ngushtë me vdekjen. Goja ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur për qiellzë; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes (Ps 22,16). Prandaj kërkesa e Jezusit në ungjillin e Gjonit, nuk mund të kuptohet përveç se në dritën e domethënies së foljes greke Διψῶ, dipsõ që në formën veprore do të thotë kam etje, jam i etshëm, po thahem prej etje, (Gjn 19,28). Kërkesa e diçkaje për të pirë në momentin e vdekjes është ironike, sepse Jezusi tashmë kishte dhënë ujin e gjallë për të mos pas kush më etje, pra ujin e jetës së pasosur. Duke i ofruar Samaritanes ujin e gjallë Ai thotë: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë kurrë më etje; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që rrjedh për jetën e amshuar”. Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!” (Gj 4,13-15). Kurse në kapitullin 6,35 të ungjillit të Gjonit, Jezusi thotë se besimi në të është shuarje e etjes “Kush beson në mua nuk do të ketë më etje”. Për më tepër në festën Judenjve, ajo e Tabërnakujve Jezusi shpall: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç thotë Shkrimi Shenjt, prej kraharorit të tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjn 7,37-38). Pra Ai duhet të vdesë përpara se të japë ujin e gjallë, dhe nga kraharori i tij rrjedh uji (Gjn 19,34).

Edhe Pjetrit në momentin e arrestimit të tij i thotë: “Fute shpatën tënde në mill, a nuk do ta pi unë kelkun që më ka dhënë Ati?” (Gjn 18,11). Prandaj nuk mund të shohim në këtë shprehje të Gjonit vetëm një kujtim të veçantë që paraprinë vdekjen e tij, por duhet të kuptojmë domethënien teologjike të autorit, ku etja është shprehje simbolike e nevojës dhe e urgjencës së shëlbimit që Ai e pret, jo nga njerëzit, por për njerëzit dhe prej veprës shpëtimprurëse dhe gjallëruese të Hyjit. Ai duhet ta pijë këtë kelk deri në pikën e fundit kur do të shijojë hidhërimin e vdekjes. Prandaj fjala e Jezusit “kam etje” duhet të vihet në relacion me foljen “u plotësua”, sepse shpreh dëshirën e Jezusit për të realizuar me vdekjen e tij planin hyjnor. Atij që ka etje, Ai do t’i japë si dhuratë nga burimi i ujit të jetës (Zb 21,6). Jezusi bën për vete fjalët e Ps 42,3 dhe në të, të gjithë ata që besojnë në të: Shpirti im ka një etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë. Kur do të vij dhe do ta kundroj fytyrën e Hyjit?

2. Aspekti Teologjik

Duke kaluar në pjesën teologjike të ngjarjes mund ta pranojmë që Jezusi kishte etje më të vërtetë dhe kjo është e justifikuar mbas gjakut të derdhur, lotët e derdhura, djersitja në Gjetseman, netët pa gjumë të kaluara në agoninë e tij, mundimet më të ndryshme të pësuara, ndjesia e braktisjes së brendshme të Hyjit, Atit të tij.

Mbas britmës së dhimbshme të drejtuar Atit dhe mbasi ia dorëzoi Nënën Gjonit, Jezusi shpreh një dëshirë të përvujtë, që shpesh herë dëgjohet nga buzët e thata të atyre që janë në fill të vdekjes: “Kam etje”. Por etja e Jezusit nuk mund të shuhet vetëm prej një sfungjeri të zhytur në uthull. Sepse etja e tij është mbi të gjitha shpirtërore, që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës tokësore. Është etje dashurie. Në fillim të misionit të tij publik, i ulur afër pusit i kishte kërkuar Samaritanes: “Më jep të pijë ujë”, dhe më vonë ai vetë e shuan etjen e saj, duke u zbuluar si Ai që duhet të vijë për të na shëlbuar. Për çfarë tjetër ka etje Jezusi nëse jo për ne, për shëlbimin tonë, për fenë tonë, për dashurinë tonë?

Etja e Jezusit është etje Hyjnore, por është edhe një nevojë e natyrës së tij njerëzore, i dobët dhe i munduar deri në vdekje në kryq. Këtu e shohim njeri mes njerëzve: ka etje e nuk mund t’ia shuajë etjen vetes, ka nevojë për ndokënd që ta ndihmojë. Edhe në kopshtin e Gjetsemanit Jezusi e ndien dobësinë njerëzore, ku pothuajse me përvujtërinë e një fëmije të frikësuar u kërkon tre nxënësve të vet të rrinë zgjuar sepse shpirti i tij është i trishtuar deri që të vijë vdekja (Mk 14,34), e ndjen nevojën që mos të jetë vetëm. Dhe përsëri në Gjetseman Ai i drejtohet Atit: “O Atë, nëse është e mundur hiqe prej meje këtë kelk, por jo si dua unë por si do ti” (Mt 26,39). Etja e Jezusit është etje për të kryer vullnetin e Atit, është dëshirë për shëlbimin tonë. Ai na do dhe ka etje për dashurinë e secilit prej nesh, sepse secili prej nesh vlen më shumë se gjithë bota për të. Prandaj, nëse ne nuk i kthejmë dashurinë me dashuri, Ai mbetet i etur dhe gjithnjë vazhdon të na kërkojë. Po si mund t’ia kthejmë këtë dashuri nëse, për shkak të mëkatit, jemi të paaftë të duam? Vetë Jezusi, i etshëm dhe duke vdekur, bëhet burim i pashtershëm uji të gjallë, sepse prej kraharorit të tij rrjedhin gjak dhe ujë. Nga ky burim mund të nxjerrim dashurinë dhe jetën. Ora, momenti i kryqëzimit dhe i vdekjes së Jezusit është momenti i triumfit të Dashurisë. Në atë masë në të cilën ne pimë në këtë burim, në atë masë edhe e shuajmë etjen tonë dhe nga zemra jonë gurgullon një burim uji të gjallë që u dhurohet të gjithë atyre që janë të etur për Zotin, për Zotin që është Dashuri e pashtershme. “Jezusi nuk e mori uthullën vetëm për të plotësuar profetësinë e për të freskuar gjuhën e tij të thatë, Ai e mori uthullën për të plotësuar misterin e dashurisë së tij; mori nga ne uthullën e veseve tona, për ta kthyer në verën e shkëlqyeshme, burimi i secilës është Ai vetë” (Shën Ambrozi). “E vërtetë, reale qe etja që e dogji trupin e Jezusit; por ajo qe simboli i një etje më të vërtetë, më reale, më djegëse, etja e shëlbimit të gjithë njerëzve” (Shën Çipriani). “Zoti duke u thënë judenjve: ‘Kam etje’, nuk u kërkoi ujin e tyre, por fenë e tyre” (Shën Agostini).

3. E etur për të shuar etjen

Ja konteksti ekzegjetik dhe teologjik ku Nënë Tereza u motivua dhe e beri pjesë të jetës së sajë. Ajo arriti të merrte gjithë kuptimin e fjalisë dhe Fjalës së Jezusit dhe ia doli mbanë ta përkthente në motivin e të jetuarit dhe të vepruarit të saj. Ja motivi i thirrjes, i veprimit, i dashurisë dhe i fesë së saj. Nënë Tereza, nëpërmjet kraharorit të shporuar të Jezusit, depërtoi në misterin e dashurisë së tij, duke prekur në burimin e dashurisë ajo u ndez flakë nga dashuria për Jezusin dhe për ata që i përkasin atij, d.m.th të gjithë. Duke shkuar tek burimi i ujit të gjallë, Jezusi, ajo shoi etjen e vet dhe mori ujin e gjallë për të shuar etjen e të tjerëve, për të shuar etjen e Krishtit në secilin njeri që ka nevojë për dashurinë, bamirësinë, ndihmën e tij. Ajo hyri në misterin e Krijuesit dhe i shërbeu krijesës. Ajo e dëgjoi çdo fjalë, çdo dhimbje, çdo ndjenjë të Jezusit, dhe e bëri për vete duke u bërë kështu dishepulle e Mësuesit. Pra, ajo hyri në Krishtin, jetoi prej fesë në Të, prej Krishtit, prej dashurisë. Ajo thotë: “më parë do të mohoja jetën time se sa të mohoja fenë. Pa atë nuk do të kishte jetë. Dhe vepra jonë, nëse duam që të jetë e frytshme, e gjitha për Zotin dhe e bukur, duhet të jetë e rritur dhe e ndërtuar mbi fenë në Krishtin Jezus”.

Gjithë jeta e saj ishte a bazuar në këto shprehje të Jezusit “Kam etje” (Gjn 19,28) dhe “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mt 25,40). Ajo e kuptoi më së miri ungjillin e Jezusit. Krejt aktiviteti i saj ishte i gjallëruar nga feja, sepse, ajo, feja që të jetë e vërtetë është e nevojshme që të jetë dashuri që dhurohet. Dashuria dhe feja shkojnë gjithmonë në mënyrë paralele dhe përplotësojnë njëra-tjetrën. Qëllimi i veprës së saj ishte që të shuante etjen që Krishti në kryq ka për dashurinë e shpirtrave, duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve. Në një letër që i shkruan Jacqeline de Decker thotë: “Për të shuar etjen e Jezusit duhet të jemi si një kelk, dhe ju burra, gra, fëmijë, të moshuar, të varfër e të pasur, jeni të mirëseardhur për të formuar këtë kelk”. Nënë Tereza u bë kelk që ushqehej, mbushej ajo vetë më së pari në burimin e jetës për të qenë pastaj ajo që shuan etjen dhe mbush jetën e më të varfërve dhe të braktisurve nga të pasurit, nga padrejtësitë, nga politikat e hartuara në mënyrë të tillë që të shfrytëzohen vendet e varfra. Ajo ishte e vetëdijshme që në botë ka njerëz që shtojnë gjithnjë dozën e kënaqësisë së tyre dhe ka prej atyre që do të jetonin vetëm me tepricat e të pasurve.

E gjithë jeta e saj ishte e kushtuar Jezusit. Do t’i jepte Hyjit çfarëdo lloj gjëje që Ai ti kishte kërkuar, pa i refuzuar asgjë. Ajo merrte frymë dhe shikonte vetëm për Të. Ajo donte tu jepte Zotin të varfërve, por jo një prej zotave tanë, të imagjinuar nga ne, apo të krijuar, por Zotin e gjallë, Zotin e vërtetë, Zotin që është dashurues dhe Dashuri. Kishte zbuluar dashurinë e Zotit, prandaj ju përkushtua dashurisë për Zotin dhe njeriun. Kishte zbuluar ujin e gjallë, prandaj u bë vegël, enë në duart e Krishtit. Ajo, pa Krishtin, nuk do të ishte asgjë, mund të ishte një grua e njohur, por jo Shenjte e dashuruar mbas Krishtit. Kush nuk dashuron, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri (1 Gjn 4,8-10).

Në homelinë e lumnimit të Nënë Terezës, Papa thotë: “Britma e Jezusit në kryq ‘Kam etje’, që shpreh dashurinë e thellë të Zotit për njeriun, depërtoi në shpirtin e Nënë Terezës dhe gjeti në zemrën e saj një tokë pjellore”. Prandaj, arsyeja e vetme e ekzistencës së saj ishte të shuante etjen e Jezusit që thahej e vazhdon të vyshket në të varfrit dhe të fundit të shoqërisë sonë. Për këtë arsye, Zoti ka etje, ka etje për ty, për dashurinë tënde, ka etje për dashurinë e më të varfërve. Ai ka etje edhe për fenë tënde.

Nënë Tereza është bija më e bukur e kombit tonë, ajo është gonxhja më e mrekullueshme që ka nxjerrë toka jonë. Rrënjët e saj ishin të zhytura në ujin e gjallë, Krishtin, për këtë arsye ajo kurrë nuk u vyshk, por lulëzoi në mbarë tokën duke e shpërndarë erën e mirë të Ungjillit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme