11.5 C
Tirana
HomeKulturëDante ALIGIERI, profet i shpresës dhe poet i dëshirës njerëzore - Esma...
HomeKulturëDante ALIGIERI, profet i shpresës dhe poet i dëshirës njerëzore - Esma...

Dante ALIGIERI, profet i shpresës dhe poet i dëshirës njerëzore – Esma Dodaj

Esma Dodaj

Esma Dodaj:

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, organizoi dje konferencën: Dante ALIGIERI, profet i shpresës dhe poet i dëshirës njerëzore, në sallën “Aula Magna” të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Konferenca u moderua nga Prof. Aljula Jubani, e cila ia dha fjalën së pari Mons. Angelo Massafrës, kryetarit të KISH, për të bërë përshëndetjen e tij. Ndër të tjera, Mons. Massafra sugjeroi që të lexoheshin edhe vepra të tjera të Dantes si p.sh.: “De vulgari eloquentia”.

Pas tij bëri përshëndetjen e radhës edhe Zëvendës Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. as. dr. Bernard Dosti.

Kumtesën e parë të kësaj konference e bëri Ipeshkëvi i Rrëshenit, Mons. Gjergj Meta. Nëpërmjet saj ai komentoi Letrën Apostolike të Papa Françeskut, “Candor Lucis aeternae”, mbi 700 vjetorin e vdekjes së poetit Dante Alighieri, të përkthyer mjeshtërisht në shqip nga Aida Baro.

Mons. Gjergj Meta paraqiti Letrën, duke u ndalur te preambuli i saj, ku papa Françesku shpjegon përse-në e një letre të tillë nga ai, pasi “Dantja

më mirë se kushdo tjetër, ka ditur të shprehë, përmes bukurisë së poezisë, thellësinë e misterit të Zotit të dashurisë. Poema e tij, shprehje e lartë e gjenisë njerëzore, është fryt i një frymëzimi të ri e të thellë, për të cilin poeti është i vetëdijshëm kur e quan:

…kjo e shenjtë poemë,

Te e cila qielli e toka kanë vu dorë.”

Ai u ndal te kapitulli i parë “Papët e shekullit të fundit dhe Dante Alighieri” ku Papa Françesku bën një ekskursus të asaj çka paraardhësit e tij kanë shkruar rreth Dantes, duke filluar me Benediktin XV e papa Palin VI.

Mons. Gjergji u ndal në veçanti në numrin 4 të Letrës, ku papa Françesku e quan Danten, poet i dëshirës njerëzore.

Kapitulli i pestë mban titullin “Poet i dhembshurisë së Zotit dhe i lirisë njerëzore.

Mons. Gjergji u ndal në veçanti edhe te kapitulli i 6-të i cili flet për shëmbëlltyrën e njeriut në vizionin e Zotit. Ndërveprimi midis lirisë dhe dëshirës nuk sjell zhvleftësim apo mpakje të konkretësisë njerëzore. Njeriu për poetin është trup dhe shpirt, madje të gjitha dimensionet njerëzore janë të vlerësuara në vargjet e poetit.

Në numrin 7-të të Letrës zënë vend tri gratë e Komedisë Hyjnore: Maria, Beatriçja dhe Luçia, përkatësisht Nëna e Hyjit, figura e gruas së dashur dhe martirja e besimit. Sipas Mons. Gjergjit, në vargjet e Dantes gjendet një nga këngët më të bukura për Marinë. Ai i recitoi në italisht vargjet për të, të shkëputura nga kënga 33 e Parajsës.

Numrin e fundit Papa Françeskua ia kushton Françeskut të Asizit në veprën e Dantes.

Mons. Gjergj Meta e përfundoi kumtesën e tij me një reflektim. Ai tha se Letra e Papës na jep një këndvështrim, një mënyrë leximi, e cila niset nga përmasat religjioze të poetit dhe veprës së tij, por jo vetëm. Dante është një humanist i madh, kumti i parë i Rilindjes europiane që vendosi në qendër njeriun, por asnjëherë të shkëputur nga Hyji, së paku në gjenezën e tij. Për ne shqiptarët të merresh me Danten do të thotë të rikuperojmë një rrugëtim të ndërprerë, së paku në rrafshin kulturor dhe filozofik. Rikthehet sot me forcë edhe në reflektimin teologjik, nevoja e një rithemelimi të humanizmit, si hapësira dhe mënyra me të cilën Hyji ka zgjedhur ta thotë fjalën e tij, pikërisht në atë humanizëm empatik që kundrohet në inciptin e dokumentit Konciliar “Gaudium et spes”.

Kumtesa e dytë ishte ajo e Prof. as. dr. Teuta Toskës me temë “Dante në shqip: si histori e pasurimit të gjuhës”. Ajo u ndal te çështja e neologjizmave të Dantes dhe procesi i përkthimit dhe më tej i leximit të poemës.

Fjalën “trasumanar”, nga Kënga e Parë e Parajsës, vargu 70, një neologjizëm (fjalë e re e Dantes) , që shënon një përvojë që shkon përtej njerëzores, Dante e përdor në këtë varg për të treguar afrimin e njeriut tek Zoti, por sot ajo mund të përdoret në italisht për të treguar çdo gjendje njerëzore që shkon përtej asaj që mund të shprehet me fjalë, të një gjendjeje ku fjalët vetë nuk mjaftojnë. I pari që i është qasur kësaj fjale ka qenë Pashko Gjeçi. Ai e përkthen fjalën si “të hyjnizohesh” , duke zgjedhur një fjalë të shqipes dhe duke ia zgjeruar kuptimin asaj. Ka zgjedhur të ngushtojë kuptimin që ka dashur të japë Dante dhe të zgjerojë kuptimin e foljes së shqipes.

Një gjuhë e vogël si shqipja (në raport me numrin e folësve që e flasin) për ironi ka fatin të ketë 5 përkthime të Komedisë Hyjnore, ndër to 2 integralë. I pesti dhe më i fundit është në proces. 5 përkthime në një kohë kaq të shkurtër, tregojnë edhe gjallërinë e pazakontë të zhvillimit në kulturën e shkruar të shqipes, por edhe tregues i fatit unik të kësaj poeme në Shqipëri. Profesoresha i mori  me radhë përkthimet e Dantes në shqip: më i njohuri është përkthimi i Pashko Gjeçit (1918-2010), përkthimi i parë i plotë në shqip.

Përkthimi i dytë është nga Mark Ndoja (1912-1972), përkthimi është botuar pas vdekjes së tij. Ai është përpjekur të ruajë 11-rrokëshin, rimën ABA, BCB etj. Edhe ky përkthim është në gegnisht. Ky përkthim ka veçantinë se është botuar edhe në alfabetin brajl.

Përkthimi i tretë është nga Çezar Kurti, i cili përkthen vetëm “Ferrin”. Shkruan “shqipëroi Ç.K.”. “Ferri” është përkthyer gjatë viteve të internimit të tij, por botimi i parë në “Kurti publishing New York” u bë vetëm në 1996, botimi i dytë 2004, me parathënie nga vetë Kurti. Botimi ka shpjegime figurash, vargjesh, figura historike në formën e footnotave, por pa shënime lart.

Përkthimi i katërt është po përkthim i “Ferrit”, nga poeti Hektor Shënepremte (1921-1997). Ky përkthim ka dy veçanti: ai është përkthyer gjatë kohës që ka qenë i dënuar në internim me punë të rënda. Dhe veçoria e dytë është se ky përkthim është ad literam, dhe në standard. Botimi është nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në janar 2018. Përkthimi i pestë në shqip është nga Meritan Spahija, përkthyesi më fatlum. Në vitin 2018 Meritan Spahija boton “Ferri”, jo vetëm të përkthyer prej tij, por edhe të komentuar. Për herë të parë në shqipe kemi një përkthim të komentuar varg pas vargu.

Profesoresha e mbylli kumtesën e saj duke thënë se poema më e madhe e shkruar në historinë e letërsisë botërore ka një fat të përveçëm në shqip. Ajo mund ta shënojë edhe një pjesë të historisë

shpirtërore dhe të kulturës së shkruar të shqiptarëve. Dhe me risjelljet në shqipe sa herë ndërrojnë periudhat e këtij vendi, e prin shqipen në hapësira përtej asaj që mund të shprehet, në realitete të tjera të shpirtërores dhe mendores.

Edhe Prof. Belfjore Qose mbajti kumtesën e saj “Rizbulimi i Dantes, influenca dhe ndërtekstorësia në letërsinë e shekullit XX”.

Profesoreshë Belfjore përmendi se Dante si qendër e kanonit letrar klasik vijon të jetë në qendër edhe në letërsinë moderne, në kulmin e eksperimentit me formën, në modernizmin e letërsisë së shekullit

XX, ku letërsia e kësaj brezie shfaqte trazimin e brendshëm, mungesën e ekuilibrit dhe reflektonte sfidën e fortë të përballjes me veten.

Gjatë kumtesës së saj Prof. Belfjore u ndal te fenomenet letrare të shekullit XX dhe te autorët më të spikatur që patën shpeshherë në qendër në një formë apo në një tjetër “Komedinë Hyjnore”. Ajo u ndal në veçanti te Tomas Eliot-i, i cili e ndërton marrëdhënien me Danten përmes ndërtekstorësisë; Pound-i përmes mbështetjes tek Dante për zgjidhjen e dilemës për angazhimin politik të intelektualit; Borges-in përmes interpretimeve dhe eseve

për këngë të ndryshme të “Komedisë Hyjnore” e deri te Seferis-i, i cili kërkonte një Dante grek, që të mund të bënte analogen e asaj çka bëri Dante me italishten.

Ajo tha se Dante është i pranishëm po ashtu në veprën e S. Beket-it, W. Stivens-it, Auden-it dhe Yeats-it, etj.

Prof. Belfjore u ndal në mënyrë të detajuar te infuenca e Dantes që shfaqet në veprat “Uliksi”, “Portret i artistit në rini” dhe “Dublinasit” të Xhojsit; “Këngë dashurie e Alfred Prufrokut” e Tomas Eliot-it që ka për epigram vargjet e Dantes të marra nga Kënga XXII e Ferrit. “Dante rizbulohet te “Tokë e shkretë” tha Prof. Blefjore.

Ajo u ndal dhe te Osip Mandelshtami dhe Kuvendimi i tij me Danten, e te Borges-i me nëntë tregimet-ese për pjesë të veçanta të veprës “Komedia Hyjnore”.

Për ta mbyllur Prof. Belfjore Qose e vuri theksin edhe një herë te fakti se duhet të promovojmë lumturinë që na jep leximi i “Komedisë Hyjnore”.

Gjatë konferencës u lexuan edhe fragmente prej “Komedisë Hyjnore” në shqip, Esma Dodaj, ish-studente e Universitetit të Tiranës, përkatësisht një fragment prej Këngës I të Ferrit dhe një prej Këngës XXI të Purgatorit.

Në mbyllje të Konferencës, Mons. Gjergj Meta falenderoi profesoreshat dhe të pranishmit si dhe njoftoi që do të ketë një Konferencë për Danten edhe në Shkodër me datë 21 maj.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme