20.5 C
Tirana
HomeKISHCili është veprimi i zakonshëm i djallit dhe si ta kundërshtojmë atë
HomeKISHCili është veprimi i zakonshëm i djallit dhe si ta kundërshtojmë atë

Cili është veprimi i zakonshëm i djallit dhe si ta kundërshtojmë atë

[Koment nga Francesco Bamonte, Shërbëtor i Zemrës së Papërlyer të Marisë dhe nënkryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Ekzorcistëve]

Tundimi djallëzor nuk i prodhon pasojat e tij shkatërruese nëse vullneti ynë njerëzor, me ndihmën e Hyjit, angazhohet t’i rezistojë. Njëmend, ne jemi të lirë t’i pranojmë ose t’i refuzojmë sugjestionimet e djallit. Dhe Hyji, nga ana e tij, mes ndihmave të ndryshme, na jep mundësinë të dimë të dallojmë atë që na sugjeron Ai dhe atë që na sugjeron djalli.

Katekizimi i djeshëm i Papa Françeskut na ofron mundësinë të reflektojmë mbi veprimin e zakonshëm të djallit. Ai ka të bëjë me tundimin dhe i përfshin të gjithë, pa përjashtuar askënd. Veprimi i jashtëzakonshëm, si dhuna/sulmi [me dhunë djallëzore nënkuptojmë veprimin nga ana e djallit, që synon të sulmojë dhe mundojë fizikisht njeriun, sidoqoftë pa e pushtuar trupin që e mundon, i cili mbetet nën kontrollin normal të intelektit dhe vullnetit njerëzor] ose pushtimi, sigurisht që bën përshtypje për manifestimet që ka, por ai i zakonshmi është veprimi djallëzor më i rrezikshëm, sepse dëshiron të na çojë në perspektivën përfundimtare dhe absolute të vuajtjes së përjetshme. Përmbledhja e Katekizmit të Kishës Katolike në nr. 74 është e qartë: «E gjithë puna e demonëve midis njerëzve qëndron në përpjekjen për t’i bashkuar ata me rebelimin e tyre kundër Hyjit».

Me këtë synim, Satani dhe demonët i studiojnë thellësisht pikat e dobëta të secilit prej nesh duke vepruar përmes tundimit në sferën tonë psikike me qëllimin për të tjetërsuar gjykimin e intelektit tonë dhe për të marrë pëlqimin e vullnetit tonë. Për të na tunduar ata përdorin dy aleatë të fuqishëm: “mishin” dhe “botën”.

Mishi është natyra jonë njerëzore e plagosur nga mëkati i rrjedhshëm dhe që mbetet e cenueshme edhe pas pagëzimit, sepse priret drejt së keqes për shkak të asaj që gjuha tradicionale e tregon me termin lakmi [konkupishencë]. Bota nuk është thjesht mjedisi në të cilin jetojmë ose gjinia njerëzore në përgjithësi, por, siç shkruan Gjoni ungjilltar, janë ata që, në shkallë të ndryshme ndërgjegjësimi, jetojnë të ndarë nga Hyji, duke formuar shoqërinë e atyre që, në fakt, i shërbejnë “princit të kësaj bote”, pra Satanit, duke përhapur mëkatin në shoqëri.

Siç e kujtoi Papa, bota, duke përfshirë mjetet teknologjike të krijuara dhe të menaxhuara nga njeriu, na ofron vazhdimisht mundësi për mëkat, duke na nxitur të bëjmë të kundërtën e asaj që na mëson Jezusi.

Ja pra, djalli, përmes botës, na i propozon, si të dashura dhe për t’u ndjekur, skandalet dhe shembujt e këqij, spektaklet e pahijshme, kënaqësitë dhe argëtimet e rafinuara e të pamoralshme.

Dhe në të njëjtën kohë mbjell mosmarrëveshje, ndez luftëra, krijon përçarje, ngatërron mendjet edhe përmes ideologjive të veshura me humanizëm të rremë. Sot, ai përdor mjetet e fuqishme të komunikimit social, mediat dhe rrjetet sociale, për ta orientuar dhe kushtëzuar mendimin e njerëzimit kundër Hyjit, duke e ndarë atë nga Dashuria e tij.

Një tundim me të cilin Satani i ka sulmuar gjithmonë qeniet njerëzore dhe që Papa Françesku e paraqiti në katekezën e tij, është ai i ekzoterizmit, okultizmit, magjisë dhe satanizmit. Satani përpiqet t’i bëjë njerëzit që të besojnë se nëpërmjet këtyre praktikave ata mund të arrijnë lartësime shpirtërore, pushtet të jashtëzakonshëm, vetërealizim dhe përmbushje të dëshirave dhe lumturisë vetjake. Por, në realitet, është pikërisht e kundërta.

Njeriu, duke aderuar në mentalitetin magjik dhe praktikat okulte, ndjek rrugën e treguar nga Satani, sepse rritet gjithnjë e më shumë në dëshirën për t’u bërë si Hyji, duke e bërë të tijën sfidën e lashtë të engjëjve rebelë, duke u vënë në mënyrë të gënjeshtërt në vendin e Hyjit. Në këtë pikë rrënimi i tij është i pashmangshëm.

Si përfundim, nuk duhet harruar kurrë se tundimi djallëzor nuk i prodhon pasojat e tij shkatërruese nëse vullneti ynë njerëzor, me ndihmën e Hyjit, angazhohet t’i rezistojë.

Ne, në të vërtetë, jemi të lirë t’i pranojmë ose t’i refuzojmë sugjestionimet e djallit.

Dhe Hyji, nga ana e tij, mes ndihmave të ndryshme, na jep mundësinë të dimë të dallojmë atë që na sugjeron Ai dhe atë që na sugjeron djalli.

Shën Pali, në letrën drejtuar Efesianëve, na mëson se si ta refuzojmë djallin: «Ngjeshuni me armët e Hyjit që të mund t’u bëni ballë pritave të djallit» (Ef 6,11) dhe shton «forcohuni në Zotin dhe në fuqinë e pakufishme të tij!» (Ef 6,10).

Ne duhet të jemi vigjilentë në lutje, të zellshëm në sakramentet e Pendesës dhe Eukaristisë, duke u ndalur shpesh me Jezusin në adhurimin eukaristik. Në veçanti, duhet të kultivojmë një përkushtim të vërtetë ndaj Zojës, duke e dashur fort lutjen e Rruzares dhe, të bashkuar me Të, të kryejmë mirë detyrën tonë të përditshme me një shpirt feje dhe dashurie ndaj të gjithëve.

Nëse pastaj, për shkak të mungesës së vigjilencës ose për një arsye tjetër, ndodh që tundimi të na mbizotërojë dhe biem në mëkat, nuk duhet ta humbasim shpresën. Zoti është gjithmonë i gatshëm që t’i falë bijtë e vet, të cilët, të penduar sinqerisht, trokasin në derën e Mëshirës së tij. Me këtë qëllim ai ka themeluar sakramentin e Rrëfimit, i cili, kujtojmë, nuk shërben vetëm për të na falur mëkatet, por është një mjet për të kryer kthimin e vazhdueshëm, për të cilin kemi nevojë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme