2.5 C
Tirana
HomeKryesorÇFARË ËSHTË «TËRË E VËRTETA»?
HomeKryesorÇFARË ËSHTË «TËRË E VËRTETA»?

ÇFARË ËSHTË «TËRË E VËRTETA»?

Ungjilli i ditës i komentuar nga një teologe liturgjiste

Gjn 16,12-15

Në atë kohë, Jezusi u tha dishepujve të vet: «Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai  – Shpirti i së Vërtetës  – Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’».

Ungjilli i sotëm sjellë përsëri një pjesë të fjalimit të lamtumirës që Jezusi u bën miqve të tij në darkën e fundit. Jezusi e kupton se miqtë e tij janë të dobët dhe të brishtë, ata nuk janë gati për ta jetuar rrugën kërkuese të dëshmisë. Kështu, atyre si edhe neve, u premton Shpirtin Shenjt. Na thuhet se Shpirti Shenjt «do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën»…

Por cila është «tërë e Vërteta»? Bëhet fjalë për një njohje të re të realitetit, jo një të vërtetë të pjesshme si ajo që ju dhe unë mund të dimë, por njohjen në një vizion të ri që na jep Shpirti Shenjt. Kjo njohje shpirtërore nuk është çështje angazhimi apo vullneti të fortë nga ana jonë, por, përkundrazi, e braktisjes së vullnetit tonë dhe e pranimit të jetës me butësi dhe përvujtëri. Bëhet fjalë për të bërë që të rijehojë ajo që jetojmë në brendësi, në mënyrë që të jemi në gjendje t’ua japim të tjerëve atë që mendja dhe zemra e kanë perceptuar nga përvoja jonë, në thellësi.

Kjo është arsyeja pse sot Ungjilli na nxit të dëshirojmë dhe t’i kërkojmë Hyjit Shpirtin Shenjt, i cili na bën ta njohim realitetin në një mënyrë tjetër, duke na ofruar atë njohje të re që përfton dy dinamika tipike të veprimit të Shpirtit, i cili na udhëzon ta njohim tërë të vërtetën: pranimi, duke mirëpritur fjalën e Hyjit, që është fjalë dashurie, jete dhe paqeje dhe shpallja, domethënë për t’ua dhuruar fjalën të tjerëve. Atëherë, le ta lusim Shpirtin Shenjt në këtë ditë për të na dhënë përvujtërinë dhe butësinë e Tij në mënyrë që edhe ne të mund të dëgjojmë, pa e mbajtur për vete dhe të flasim pa folur nga ne.

Le të lutemi me fjalët e Papës së Shenjtë Gjon XXIII «O Shpirt Shenjt, përsose në ne veprën e nisur nga Jezusi: forcoje lutjen që bëjmë në emër të mbarë botës, përshpejtoje për secilin prej nesh kohën e një jete të thellë të brendshme, jepi shtysë apostollatit tonë, i cili dëshiron të arrijë të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt, të gjithë të shëlbuar nga gjaku i Krishtit dhe gjithë trashëgimi e tij. Hiqe prej nesh kryelartësinë natyrore dhe na ngrit në rrafshet e përvujtërisë së shenjtë, të frikës së vërtetë ndaj Hyjit, të guximit bujar».

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme