6.5 C
Tirana
HomeKryesorÇdo thirrje e krishterë autentike është një thirrje apostolike
HomeKryesorÇdo thirrje e krishterë autentike është një thirrje apostolike

Çdo thirrje e krishterë autentike është një thirrje apostolike

Ungjilli i ditës i komentuar nga një teologe liturgjiste, Giuliva di Bernardino

Mk 16,15-20 Në atë kohë, Jezusi iu shfaq të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: «Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen». Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

Sot liturgjia na bën të kremtojmë Shën Markun ungjilltar dhe Ungjilli që shpallet është për nder të kësaj figure madhështore, aq të dashur për mbarë krishtërimin. Çdo i pagëzuar, secili sipas thirrjes së vet të veçantë, merr jetën e ndriçuar të Krishtit, e aftë për të përfshirë në fe edhe ata që nuk besojnë. Kjo është arsyeja pse mund të themi se çdo thirrje e krishterë autentike është një thirrje apostolike, mbiemër që vjen nga folja greke apostello që do të thotë të dërgosh [dërgoj] dhe thirrja e krishterë është po ashtu misionare, mbiemër që vjen nga folja latine mitto që do të thotë gjithashtu të dërgosh [dërgoj].

Prandaj thirrja e krishterë është ungjillëzuese, nga folja greke euaggelizomai që do të thotë “shpall lajmin e mirë”, që është ai i vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit. Sot Ungjilli na e jep këtë forcë dhe rendit pesë shenja që do t’i shoqërojnë kumtuesit e Ungjillit: 1. «në emër tim do t’i dëbojnë djajtë»; 2. «do të flasin gjuhë të reja»; 3. «[në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë », 4. «nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq»; 5. «Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen».

Të pesë këto “shenja” janë tregues që konfirmojnë fenë. Në të vërtetë, sa herë që ne, në bashkim me Kishën, shpallim të vërtetën e Ungjillit, ndodh kjo gjë: shpirtrat e mashtrimit dhe të iluzionit dëbohen dhe, të gjithë ata që e marrin këtë kumtim shpëtimi, çlirohen nga sundimi i së keqes dhe mëkatit. Ky veprim çlirues është i sigurt, sepse e Vërteta dëbon gabimin dhe Drita largon gjithmonë errësirën. Kësisoj, shpallja e Ungjillit na mundëson që ta kuptojmë gjuhën e dashurisë, të dhurimit, të vëllazërisë, të paqes.

Të shpallësh Ungjillin do të thotë të bëhesh ndërtues i paqes, bartës ngushëllimi, ngushëllim për ata që vuajnë, për ata që janë vetëm, për ata që janë të mënjanuar. Por të shpallësh Ungjillin do të thotë gjithashtu të sjellësh dritë për ata që e kërkojnë atë, për ata që jetojnë pa gjetur një pikë referimi në jetë. Shën Marku na ka lënë një testament të madh feje nëpërmjet Ungjillit të tij, por na ka lënë edhe entuziazmin e tij, pasionin e tij për këtë besim në Jezusin e Ngjallur, duke na dëshmuar faktin se ungjillëzimi, d.m.th., pranimi dhe jetimi i Ungjillit, është aventura më e bukur dhe magjepsëse që ekziston. Një aventurë që bëhet një dhuratë universale për të cilën madje ia vlen të humbasësh të gjitha siguritë dhe pasuritë, një aventurë që bie erë e jetës së pasosur dhe që Shën Marku, sipas studiuesve, na e tregon falë afërsisë me Pjetrin.

Atëherë, nuk na mbetet tjetër veçse t’i besohemi lutjeve të këtij shenjti të madh ungjilltar dhe ungjillëzues, duke kërkuar ndërmjetësimin e tij, që edhe ne të kemi hirin për ta shpallur Ungjillin me praninë tonë të thjeshtë, aq sa mundemi, kudo që Zoti, sot, na dërgon.

Ditën e mirë!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme