14.5 C
Tirana
HomeKisha Universale«Betlehemi është një qytet fantazmë»
HomeKisha Universale«Betlehemi është një qytet fantazmë»

«Betlehemi është një qytet fantazmë»

At’ Ibrahim Faltas tregon për shkretimin që mbretëron, një rrënim për të gjithë të krishterët

«Fare pak kohë më parë kam qenë në Betlehem. Është një qytet fantazmë. Të bën përshtypje. Nuk sheh asnjeri në rrugë, sheshi i Grazhdit është i zbrazur, grilat janë të ulura kudo, hotelet janë të mbyllura, dritat të fikura. Një shkretim total që të bën të kuptosh se çfarë Krishtlindjeje do të jetë. Më rrodhën lotët nga sytë». At’ Ibrahim Faltas, vikar i Kustodies së Tokës së Shenjtë, 42 ditë pas shpërthimit të luftës midis Hamasit dhe Izraelit, nuk e fsheh shqetësimin e tij të madh për pasojat që tashmë po godasin pakicën e vogël të krishterë.

At’ Ibrahimi shpjegon se ka arritur t’i bëjë vizitë bashkësisë katolike dhe rregulltarëve të Bazilikës së Lindjes së Krishtit duke u nisur nga Jerusalemi. «Kemi kaluar postbllokun në makinë, nuk na u desh të vihemi në radhë, por njerëzit e tjerë normalisht duhet të presin deri në 4 orë. Ata që punonin në Izrael e kanë humbur punën. Po afrohet një periudhë e errët dhe e kam të zorshme të shoh gjëra të mira».

Përshkrimi që i bën asaj që françeskani ka gjetur në Betlehem është prekës. «Nëse marrim parasysh se që nga fillimi i luftës çdo gjë është bllokuar, me pasojë mbylljen e aktiviteteve turistike, mendja na e merr lehtësisht se punëtorët (pothuajse të gjithë të krishterë) kanë mbetur pa pagesë, pa punë, duke pritur që diçka të ndodhë. Familjet së shpejti do ta gjejnë veten në rrugë të madhe dhe nuk do dinë çfarë të bëjnë».

«S’e mbaj të fshehur se kur zbritëm nga makina dhe shikova përreth sheshin e Grazhdit, që ka qenë gjithmonë plot me grupe shtegtarësh, m’u mblodh një lëmsh në fyt dhe i mbajta lotët. As në kohën e pandemisë nuk kishte kaq shkretim. Kemi kaluar ditën e dyzetë të luftës dhe çdo ditë shtohet zinxhiri i cili shkakton vuajtje të mëtejshme për familjet e krishtera dhe palestineze që nuk dinë çfarë të bëjnë. Jemi të tronditur. Kemi qenë dëshmitarë të një muaji që nuk do ta kishim imagjinuar kurrë dhe që fatkeqësisht vazhdon pavarësisht se bota është tronditur nga kaq shumë dhunë. Çdo jetë njerëzore ka një vlerë të lartë dhe duhet mbrojtur me gjithë forcën. Shohim me sytë tanë aq shumë çnjerëzim pa qenë në gjendje që ta ndalojmë, dëgjojmë fjalë që nuk parandalojnë vdekjen e shumë njerëzve, vërejmë shtëpi e ndërtesa të goditen pa qenë në gjendje të bëjmë asgjë».

FËMIJËT

E ardhmja për të krishterët mbetet e errët, e zymtë, plot pasiguri nga më të ndryshmet. «Ua kemi mohuar fëmijëve çdo mundësi për t’u rritur të qetë. Të gjithë fëmijëve, jo vetëm izraelitëve dhe palestinezëve, ne po u dorëzojmë një botë plot shembuj urrejtjeje dhe dhune. Të gjithëve ua kemi mohuar të drejtën për të ëndërruar, për të shpresuar, për të pasur mirëbesim te të tjerët, për të jetuar në paqe. Ne ua kemi mohuar të gjithëve të drejtën për të mos pasur frikë! Fëmijët luten dhe kërkojnë paqe. Kush i dëgjon ata? Ata marrin forcë nga lutja dhe i besohen Zotit të Gjithëpushtetshëm dhe Birit të tij Jezus, i cili pikërisht këtu, nga ky qiell i Betlehemit u përshëndet nga engjëjt me urimin për paqe në tokë ndaj njerëzve që  Zoti i do.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme