Me datë 18/09/2021, në Katedralen e Rrëshenit “Jezusi i Vetmi Shpëtimtar i Botës” u mbajtën punimet e Asamblesë Dioqezane me temë: “Fillimi i Sinodit të Ipeshkvijve në Dioqezën e Rrëshenit”.
Të pranishëm qenë Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, i cili edhe i udhëhoqi punimet e kësaj Asambleje, meshtarë, rregulltare, katekistë dhe bashkëpunëtorë të Dioqezës së Rrëshenit të angazhuar në Kishë.
Me ta marrë fjalën, pas përshëndetjeve dhe falenderimeve të rastit, Imzot Gjergj Meta iu qas temës menjëherë duke përmendur sintagmën “Sinodi i Ipeshkvijve”. Sakaq ai bëri një ekskurs të shkurtër të këtij termi duke filluar qysh me përdorimin e tij për herë të parë dhe mandej duke ardhur deri në ditët tona.
Ai shpjegoi se fjala “Sinod” vjen nga greqishtja e vjetër: “syn” (bashkë) dhe “hodos” (rrugë), pra fjala ka domethënien e bashkëudhëtimit, ecjes së përbashkët.
Si institucion ai është relativisht i ri, duke qenë se është një kuvend kishtar postkonciliar, një institucion permanent, i themeluar nga Papa Pali VI, me 15 shtator 1965, si një përgjigje që kishte dalë nga Koncili II i Vatikanit (1962-1965), me qëllimin për ta mbajtur gjallë shpirtin autentik të formuar në përvojën konciliare. Sinodi promovon shpirtin dhe përvojën e kolegjialitetit kishtar (metodologjia e sinodit), e konsideruar si një pasuri e çmueshme për mbarë Kishën.
Siç shihet, futet në lojë edhe një term tjetër: kolegjialiteti. Ky i fundit, sipas Mons. Gjergj Metës, është të qenit bashkë për ta udhëhequr jetën e Kishës.
Ne e dime se detyrën për ta udhëhequr Kishën e kanë Papa dhe Ipeshkvijtë. Po si t’ia bëjnë ata për ta kryer këtë detyrë? Si e udhëheq Kishën Kolegji i Ipeshkvijve?
Pyetjeve të mësipërme që Mons. Gjergji i shtroi vetë, iu përgjigj po vetë.
Është pikërisht Sinodi, ai i cili e ndihmon Papën në ushtrimin e detyrës së tij. E ndihmon atë ashtu sikurse edhe Kuria Romane (Vatikani), Kolegji i Kardinalëve, Nuncat Apostolikë nëpër botë, etj.
Kështu, Sinodi është një vend takimi i Ipeshkvijve përreth Atit të Shenjtë, Papës, për të shkëmbyer përvoja e informacione, të cilat do të shërbejnë gjatë kërkimeve të përbashkëta për të gjetur zgjidhje baritore të vlefshme për mbarë Kishën Katolike. Me fjalë të tjera, Sinodi mund të përkufizohet si një kuvend apo Asamble e përfaqësuesve të Episkopatit katolik, që mblidhet me detyrën e veçantë për ta ndihmuar Papën në mbarështimin e Kishës Universale, nëpërmjet këshillave dhe sugjerimeve të saj.
Kur Papa iu shkruan Ipeshkvijve për t’i ftuar në takim në Romë, i informon ata paraprakisht në lidhje me temën e Sinodit, e cila mund të jetë: Familja, Rinia, Thirrjet, Laikët, Jeta e kushtuar, etj.
Pasi Ipeshkvijtë mblidhen dhe bashkëbisedojnë, japin porosi. Duhet të mbajmë parasysh se Sinodi nuk vendos, ai vetëm këshillon.
Në përfundim të tij, Papa mund të botojë një shkrim sintezë në lidhje me të. Kjo e fundit quhet Porosi postsinodale.
Papa Françesku dëshiron t’i ndryshojë pak gjërat. Ai thotë se Sinodi nuk duhet të jetë thjesht një mbledhje, por duhet të jetë një stil jete i Kishës, një mënyrë e të jetuarit të saj. Vijmë kështu te sinodaliteti, që nuk është asgjë më shumë se mënyra për t’i marrë vendimet duke ecur të gjithë bashkë. Duke bashkudhëtuar çdo ditë, jo vetëm një muaj përgjatë të cilit Papa mbledh Ipeshkvijtë.
Papa Françesku nuk kërkon një Sinod “nga lart”. Vendimet s’mund t’i marrë vetëm Ipeshkvi, Famullitari, Provinciali/ja, Superiori/ja e Pergjithshme, por të gjithë bashkë. Formalisht vendosin ata, po praktikisht jo. Praktikisht, në Sinod nisja bëhet nga baza e pastaj shkohet lart dhe rrjedhimisht në fund, vendosja është e përbashkët. Kjo, për arsye se kur të merret vendimi atje lart, presupozohet të jetë dëgjuar zëri i gjithë popullit në lidhje me të. Ipeshkëvi dëgjon priftërinjtë, rregulltaret, jo vetëm Superioret e tyre, po secilën prej tyre, laikët e angazhuar në Kishë, si dhe besimtarët. Zërin e këtyre të fundit e përcjellin te ai Famullitarët, rregulltaret, laikët e angazhuar në Kishë, etj.
Prandaj, Sinodi nuk fillon në 2023-shin, kur do të mblidhen Ipeshkvijtë në Vatikan. Fillon me datë 10 tetor në Romë dhe me datë 17 tetor në të gjitha Dioqezat. “Ne do ta fillojmë me datë 16,- saktësoi Mons. Gjergji, -duke qenë se data 17 i bie të jetë ditë e dielë. Mendoj se të gjitha Dioqezat do të veprojnë kështu si ne.”
Më tej, Mons. Gjergji u ndal te etapat e Sinodit “Për një Kishë Sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”:
1) Etapa Dioqezane, e cila për Dioqezën tonë fillon me datë 16 tetor.
Nëse e lexoni me vëmendje temën, do të vëreni se duket sikur kemi të bëjmë me një Sinod mbi Sinodin. Pra, Papa dëshiron të dijë mendimin e gjithë popullit në lidhje ne mënyrën se si bëhen gjërat në Kishë.
Kjo fazë e parë do të zgjasë deri në prill. Gjatë kësaj kohe do të mblidhen mendimet e Dioqezës sonë. Pastaj ne do t’i përpunojmë dhe do t’i dërgojmë ato te Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë. Pasi edhe ata t’i përpunojnë ato sikurse edhe prurjet e tjera të çdo Dioqeze, do të krijojnë sintezën e tyre dhe do ta dërgojnë në Vatikan.
2) Diskutimi i Ipeshkvijve të çdo shteti. Diskutimet do të mbyllen me një sintezë.
3) Faza kontinentale. Ipeshkvijtë e çdo kontinenti do të mblidhen dhe do të diskutojnë. Prapë diskutimet do të mbyllen me një sintezë.
4) Mbledhja e Ipeshkvijve në Romë me Atin e Shenjtë. Kjo është faza e fundit. Aty diskutohen të gjitha sintezat e ardhura dhe mbi to vendoset.
Po jetojmë në një kohë të re dhe Kisha ka nevojë që të gjejë rrugë të reja, mënyra të reja dhe këto t’i kthejë në një stil jetese të sajin.
Veçse, siç me të drejtë theksoi Mons. Gjergji, kjo është e pamundur ose e mundur, por e pavlerë, në rast se nuk bëhet kthimi i zemrës. Këtë ka kërkuar dhe ka porositur Jezusi, jo mbledhje, takime, institucione. Pa kthimin e zemrës nuk e realizojmë dot procesin sinodal. Që të kemi një mendësi dhe një përshpirtëri sinodale, duhet të ndryshojë diçka brenda nesh.
Në vazhdim Asambleja i vijoi punimet në trajtë diskutimi. Disa meshtarë dhe rregullatare sollën reflektimet e tyre (motër Giuseppina p.sh. e lidhi këtë Asamble dhe sinodalitetin me Ungjillin e asaj dite), shtruan pyetjet e tyre në lidhje me procesin e realizimit të këtij Sinodi në Dioqezën tonë, treguan paqartësitë e tyre, propozuan sugjerime në lidhje me të, si dhe e zgjeruan temën e diskutimit (p.sh. motër Frederika u ndal te koncepti i subsidiaritetit, i lidhur ngushtë me atë të sinodalitetit), etj.
Çdo fjalë e thënë e shtoi frytshmërinë e kësaj Asambleje.
Në fund, bashkarisht u bë edhe përzgjedhja e referentit Dioqezan për Sinodin dhe ekipit të tij bashkëpunëtor. Ata janë Z. Aleksandër Marku, referenti dioqezan dhe kryesuesi i ekipit të përbërë nga Dom Agustin Bardhi, motër Giuseppina Cappelletti dhe Zj. Nusha Nikollaj.
Esma DODAJ