HomeKryesorAkti i kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë
HomeKryesorAkti i kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë

Akti i kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë

“Në këtë orë, njerëzimi, i rraskapitur dhe i tronditur, është nën kryq me ty. E, ka nevojë të ta besojë vetveten, t’i kushtohet Krishtit përmes teje. Populli ukrainas dhe populli rus, të cilët të nderojnë me dashuri, ty të drejtohen…”. Këto janë fraza qendrore në lutjen, që Papa Françesku do t’ia lartojë qiellit pasnesër, për t’ia kushtuar e për t’ia besuar njerëzimin, veçanërisht Rusinë dhe Ukrainën, Zemrës së Papërlyer të Marisë. Ati i Shenjtë Bergoglio do ta shqiptojë në përfundim të liturgjisë së pendesës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, pasditen e së premtes, 25 mars, në festën e Zojës Nunciatë (solemniteti i Lajmërimit të Zotit). Liturgjia do të fillojë në orën 17.00 (ora e Romës), ndërsa kushtimi, rreth orës 18.30. Ja teksti i plotë i lutjes:

AKTI I KUSHTIMIT NDAJ ZEMRËS SË PAPËRLYER TË MARISË

O Mari, Nëna e Hyjit dhe Nëna jonë, në këtë kohë vuajtjesh, ne po të drejtohemi ty. Ti je Nënë, na do dhe na njeh: asgjë që kemi përzemër nuk qëndron e fshehur para teje. O Nënë e mëshirës, ne e kemi përjetuar ​​shumë herë dashamirësinë tënde provanore, praninë tënde që sjell paqen, sepse ti na prin përherë drejt Jezusit, Princit të paqes.

Mirëpo, ne e kemi humbur rrugën e paqes. E kemi harruar mësimin e tragjedive të shekullit të kaluar, sakrificën e miliona të rënëve në luftërat botërore. Nuk i kemi zbatuar angazhimet e marra si Bashkësi e Kombeve dhe po i tradhtojmë ëndrrat për paqe të popujve dhe shpresat e të rinjve. Jemi sëmurë nga lakmia, jemi mbyllur në interesat nacionaliste, kemi lejuar që të shterohemi nga indiferenca dhe të paralizohemi nga egoizmi. Kemi parapëlqyer që të mos ia dijmë për Hyjin, të bashkëjetojmë me falsitetet tona, kemi ushqyer agresivitetin, kemi vrarë jetë dhe kemi grumbulluar armë, duke harruar se jemi rojtarë të të afërmit tonë dhe të vetë shtëpisë së përbashkët. E kemi dëmtuar kopshtin e Tokës me luftë dhe me mëkat e kemi lënduar zemrën e Atit tonë, i cili na do vëllezër e motra. Jemi bërë indiferentë ndaj të gjithëve dhe ndaj gjithçkaje, përveç vetes sonë. Dhe me turp themi: “Na fal, o Zot!”

Në mjerimin e mëkatit, në përpjekjet dhe brishtësitë tona, në misterin e paudhësisë së të keqes dhe luftës, ti, o Nënë e shenjtë, na kujton se Hyji nuk na braktis, por vazhdon të na shikojë me dashuri, i gatshëm për të na falur dhe ngritur përsëri. Është Ai që të ka dhuruar Ty te ne dhe ka vënë në Zemrën tënde të Papërlyer një strehë për Kishën dhe njerëzimin. Ti je me ne për hir të mirësisë hyjnore dhe na drejton me butësi edhe në leqet më të ngushta të historisë.

Prandaj, ne, bijtë e tu të dashur, të cilët në çdo kohë nuk lodhesh duke i vizituar dhe duke i ftuar për kthim, drejtohemi te ti, trokasim në derën e Zemrës sate. Eja të na ndihmosh dhe të na ngushëllosh në këtë orë të errët. Përsëritja secilit prej nesh: “A nuk jam këtu, unë, që jam Nëna jote?” Ti di si t’i zgjidhësh pështjellimet e zemrës sonë dhe nyjet e kohës sonë. Në ty e vëmë besimin tonë. Jemi të sigurt që ti nuk i përbuz përgjërimet tona dhe na vjen në ndihmë, sidomos në momentin e sprovës.

Kështu ke bërë në Kanë të Galilesë, kur e përshpejtove orën e ndërhyrjes së Jezusit dhe shfaqe shenjën e tij të parë në botë. Kur festa ishte kthyer në trishtim, Ti i the Atij: «Nuk kanë më verë!» (Gjn 2,3). Thuaja përsëri Hyjit, o Nënë, sepse sot e kemi mbaruar verën e shpresës, gëzimi është zhdukur, vëllazëria është zbehur. Kemi humbur njerëzimin, kemi çuar dëm paqen. Jemi bërë të aftë për çdo dhunë dhe shkatërrim. Kemi nevojë urgjente për ndërhyrjen tënde amnore.

Pranoje, pra, o Nënë, përgjërimin tonë.

Ti, yll i detit, mos na lër të fundosemi në furtunën e luftës.

Ti, arka e Besëlidhjes së Re, frymëzo plane dhe rrugë pajtimi.

Ti, “toka e Qiellit”, ktheje në botë harmoninë e Hyjit.

Shuaje urrejtjen, fashite hakmarrjen, na mëso të falim.

Na çliro nga lufta, mbroje botën nga kërcënimi bërthamor.

O Mbretëreshë e Rruzares, zgjoje në ne nevojën për t’u lutur dhe për të dashur.

O Mbretëreshë e familjes njerëzore, dëftojua popujve udhën e vëllazërisë.

O Mbretëreshë e paqes, siguroja botës paqen.

Vaji yt, o Nënë, i zbuttë zemrat tona të ngurtësuara. Lotët që derdhe për ne bëfshin që të lulëzojë ky shekull i shkretuar nga urrejtja jonë. Dhe ndërsa krisma e armëve nuk pushon, lutja jote na bëftë të gatshëm për paqe. Duart e tua amnore i përkëdhelshin ata që vuajnë dhe ikin nën peshën e bombave. Përqafimi yt amnor i ngushëlloftë ata që detyrohen të lënë shtëpitë dhe vendin e tyre. Zemra jote e dhembshme na bëftë të mëshirshëm dhe na shtyftë të hapim dyert dhe të kujdesemi për njerëzimin e plagosur dhe të përjashtuar.

O Nëna e Shenjtë e Hyjit, ndërsa ishe nën kryq, Jezusi, duke e parë dishepullin pranë teje, të tha: «Qe, yt bir» (Gjn 19,26): kështu ai ta besoi secilin prej nesh. Pastaj i tha dishepullit, pra secilit prej nesh: «Qe, nëna jote» (rr. 27). O Nënë, tani dëshirojmë të të pranojmë në jetën dhe në historinë tonë. Në këtë orë, njerëzimi, i rraskapitur dhe i hutuar, qëndron poshtë kryqit bashkë me ty. Ka nevojë të të besohet ty, t’i kushtohet Krishtit përmes teje. Populli ukrainas dhe populli rus, të cilët të nderojnë me dashuri, drejtohen te ti, ndërsa Zemra jote rreh për ta dhe për të gjithë popujt e dëmtuar nga lufta, uria, padrejtësia dhe mjerimi.

Prandaj, o Nënë e Hyjit dhe e jona, ne ia besojmë dhe ia kushtojmë solemnisht Zemrës sate të Papërlyer veten tonë, Kishën dhe mbarë njerëzimin, veçanërisht Rusinë dhe Ukrainën. Pranoje këtë akt tonin, që e bëjmë me besim dhe dashuri, bëj që të pushojë lufta, siguroja botës paqen. Po-ja që buroi nga Zemra jote i hapi dyert e historisë Princit të paqes; ne besojmë se paqja do të vijë përsëri përmes Zemrës sate. Prandaj, ne t’i kushtojmë ty të ardhmen e mbarë familjes njerëzore, nevojat dhe pritshmëritë e popujve, ankthet dhe shpresat e botës.

Përmes teje ardhtë në Tokë Mëshira hyjnore dhe regëtima e ëmbël e paqes i shoqëroftë ditët tona. O Grua e po-së, mbi të cilën zbriti Shpirti Shenjt, riktheje mes nesh harmoninë e Hyjit. Shuaja etjen zemrës sonë, Ti që “je e shpresës gurrë e pashterrueshme”. Ti që ia ke endur natyrën njerëzore Jezusit, na bëj zejtarë të bashkimit. Ti që ke ecur nëpër rrugët tona, na drejto shtigjeve të paqes. Amen.

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
126FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme