Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS 1-10)
Vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!
Duke ia kushtuar kapitullin e dytë «bashkësisë njerëzore», Kushtetuta Gaudium et spes (GS) na fton që ta çmojmë «shtimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve» si «një prej aspekteve më të rëndësishme të botës së sotme» (nr. 23). Megjithatë, ky realitet ka nevojë ta gjejë përmbushjen e vet «më thellë në bashkësinë e personave», për të cilën është i domosdoshëm «një respekt i ndërsjellë për dinjitetin e tyre të plotë shpirtëror» (po aty).
Janë pohime që, në ditët tona, bëhen edhe më urgjente. Nga njëra anë, zhvillimi teknologjik, përhapja e mass media-ve dhe e social media-ve, si edhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale, hapin mundësi të reja, duke shembur pengesa dhe largësi; nga ana tjetër, marrëdhëniet priren të bëhen gjithnjë e më pak personale, më virtuale, dhe ekziston rreziku që të mësohemi t’ua delegojmë algoritmeve vendimet që i përkasin vetëm ndërgjegjes njerëzore. Në këtë drejtim, kontributi që bashkësia e krishterë synon të japë është të bëjë që marrëdhëniet shoqërore të kenë përmbajtje reale dhe thellësi personale.
Koncili na fton që të marrim kriteret dhe forcën nga plani krijues i Hyjit, i cili ka dashur që «të gjithë njerëzit të formonin një familje të vetme dhe ta trajtonin njëri-tjetrin si vëllezër»; prandaj «dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit është urdhërimi i parë dhe më i madhi», që në Krishtin ka pasur zbulimin e vet të plotë dhe zbatimin e vet të përmbushur (krh. GS 24).
Përsosja e personit njerëzor dhe zhvillimi i shoqërisë duhet të konsiderohen si ngushtësisht të ndërvarura: t’i kundërvësh apo t’i ndash ato do të thoshte t’i zhvlerësosh të dyja. Historia, edhe ajo më e vona, e vërteton qartë këtë të vërtetë dhe, për këtë arsye, nuk duhet të lodhemi së përsërituri me Etërit e Koncilit II të Vatikanit se «personi njerëzor, i cili për nga vetë natyra e tij ka nevojë absolute për jetën shoqërore, është dhe duhet të jetë parimi, subjekti dhe qëllimi i të gjitha institucioneve shoqërore» (GS 25).
Në këtë perspektivë, Gaudium et spes pohon se ndryshmëria e personave dhe e popujve në botë nuk duhet të çmohet si rrezik apo kërcënim, por si një mundësi pasurimi dhe rritjeje. Kundërvënia, e cila nganjëherë degjeneron në dhunë, është fryt i pushtetit të mëkatit dhe i mënyrës se si ai kushtëzon mendësitë dhe veprimet, në çdo nivel, duke shkaktuar shkatërrim dhe vdekje. Duhet të hapemi gjithnjë e më shumë ndaj logjikës së ndërsjellshmërisë, të bashkëndarjes dhe të përkujdesit, ashtu siç ndodh edhe ndërmjet gjymtyrëve të ndryshme të trupit njerëzor (krh. 1 Kor 12,21-25).
Në këtë pikë, Kushtetuta baritore ofron edhe një përkufizim të përmbledhur të «së mirës së përbashkët», duke kujtuar se ajo përbëhet nga «tërësia e atyre kushteve të jetës shoqërore që u mundësojnë si grupeve, ashtu edhe anëtarëve të veçantë, ta arrijnë përsosmërinë e tyre në mënyrë më të plotë dhe më të shpejtë» (GS 26). Në të njëjtën kohë, duke njohur ndërvarësinë ndërmjet popujve, ajo pohon se «çdo grup duhet të mbajë parasysh nevojat dhe aspiratat e ligjshme të grupeve të tjera, madje edhe të mirën e përbashkët të mbarë familjes njerëzore» (GS 26).
Duke u nisur nga kjo qasje, Etërit konciliarë tregojnë më pas disa «rrjedhoja praktike me urgjencë më të madhe» (GS 27). Para së gjithash, respektimin e personit njerëzor. Gaudium et spes thotë: «Gjithçka që është kundër vetë jetës, si çdo lloj vrasjeje, gjenocidi, aborti, eutanazia dhe vetëvrasja e vullnetshme; gjithçka që cenon integritetin e personit njerëzor, si gjymtimet, torturat e ushtruara mbi trupin dhe mendjen, shtrëngimet psikologjike; gjithçka që fyen dinjitetin njerëzor, si kushtet çnjerëzore të jetesës, burgosjet arbitrare, dëbimet, skllavëria, prostitucioni, tregtia e grave dhe e të rinjve, apo edhe kushtet poshtëruese të punës, në të cilat punëtorët trajtohen si mjete të thjeshta fitimi dhe jo si persona të lirë e të përgjegjshëm: të gjitha këto gjëra dhe të tjera të ngjashme me to janë me të vërtetë të turpshme» (po aty).
Rrjedhoja e dytë: respekti dhe dashuria edhe ndaj kundërshtarëve apo ndaj atyre që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga ne (krh. GS 28).
Së treti: barazia themelore e të gjithë njerëzve, e cila kërkon drejtësi shoqërore. Dokumenti thotë: «Çdo lloj diskriminimi në lidhje me të drejtat themelore të personit, qoftë në fushën shoqërore, qoftë në atë kulturore, për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, gjendjes shoqërore, gjuhës apo fesë, duhet të tejkalohet e të eliminohet, si i kundërt me planin e Hyjit» (GS 29).
Së fundi, Etërit konciliarë nxisin tejkalimin e mendësisë individualiste dhe marrjen e një qëndrimi përgjegjësie dhe pjesëmarrjeje (krh. GS 30-31).
Të dashur vëllezër e motra, ky vizion i njerëzimit si «bashkësi personash» është një trashëgimi e çmuar që Koncili II i Vatikanit na ka lënë. Ai na ndihmon të gjithëve që të bëjmë një shoshitje personale dhe bashkësiore, për t’i vlerësuar me përgjegjësi projektet shoqërore dhe politike të sotme, mbi bazën e kritereve të dinjitetit të personit njerëzor, të drejtësisë shoqërore dhe të pjesëmarrjes së lirë në ndërtimin e së mirës së përbashkët. Sepse e ardhmja e njerëzimit varet nga angazhimi i secilit për të bashkëpunuar me Hyjin dhe me vëllezërit në ndërtimin e një bote më njerëzore (krh. GS 30).

