Lushnjë 9.5.2026
Shumë të dashur vëllezër e motra në Krishtin, Zoti ju dhëntë paqe!
Ndër ju që jeni këtu të pranishëm, dëshiroj t’i drejtoj një përshëndetje të veçantë Shkëlqesisë së Tij, imzot Mirosław Adamczyk, Nunci Apostolik i Atit të Shenjtë Papa Leonit; Shkëlqesive të Tyre ipeshkvijve të Shqipërisë: Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe president i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Imzot Arjan Dodaj, arqipeshkëv i Tiranë-Durrës dhe Metropolit i yni; Imzot Giovanni Peragine, arqipeshkëv i Shkodër-Pult; Atë Mariano Tarantino, Administrator dioqezan i Sapës; të cilët i falënderoj për shenjën e ngrohtë të bashkimit që sjellin.
Po ashtu, përshëndes vëllazërisht Atë Pashk Gojçaj dhe të gjithë sivëllezërit e familjes sime françeskane.
Kam për zemër, gjithashtu, të përshëndes Hirësinë e Tij Mitropolitin Asti, në përfaqësimin vëllazëror të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Përshëndes me respekt autoritetet civile (kombëtare dhe vendore), të cilat kanë dashur t’i ofrojnë bashkësisë katolike të kësaj krahine një shenjë mikpritjeje dhe vlerësimi. Dhe Konsulin e Italisë në Vlorë, Shkëlqesinë e Tij z. Achille Provenzano.
Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj në mesin tonë në këtë ditë!
Koha e Pashkëve, me leximin e vijueshëm të Veprave të Apostujve, na bën që t’i rijetojmë ngjarjet e Kishës së hershme si një udhëtim i madh përgjatë rrugëve të botës e të historisë.
Frigjia, Galacia, Mizia, Troada dhe, në fund, Maqedonia janë etapa progresive të një udhëtimi të planifikuar nga Shpirti Shenjt, i cili cakton herë pas here ku dhe kujt duhet t’i shpallet lajmi i bukur i Jezusit. Shën Pali e zbulon këtë gjë ndërsa vihet në ecje në shërbim të Ungjillit; po ashtu, gjatë rrugës, gjen Timoteun dhe ata që do të jenë me të shokë udhëtimi dhe misioni.
Është një histori që në njëfarë mënyre e shoh të përsëritet edhe në këtë moment, kur thirrja apostolike e papa Leonit më bën të përmbush një rrugëtim që, i nisur tridhjetë e tre (33) vite më parë ndër malet e Dukagjinit, në etapa të njëpasnjëshme – Shkodër, Lezhë, Tiranë – arrin më në fund në këtë Kishë të Jugut të Shqipërisë.
Nëse qëllimi i këtij udhëtimi është, siç na ka mësuar Papa Françesku, të përhapim gëzimin e Ungjillit, atëherë dijeni se kjo ditë e veçantë dhe kjo Eukaristi që po kremtojmë së bashku është vetëm fillimi i një feste që nuk duhet të përfundojë me perëndimin e diellit, por të ushqejë pandërprerë gjithë kohën që na është dhënë për të shërbyer.
Në të vërtetë, ardhja e një Administratori të ri Apostolik nuk është tjetër veçse rasti për të festuar Ungjillin që na ka lindur në fe dhe në Shpirtin e Jezusit, i cili na shtyn me vendosmëri për të vazhduar në udhën që ai ka hapur.
Kur vitin e kaluar përgatita një shkrim të vogël mbi Via Egnatia, rrugë që në mesin e shekullit të parë e solli Ungjillin nga Maqedonia deri në këtë tokën tonë, sigurisht që nuk mendoja se do të më duhej ta përshkoja fizikisht gjatë e gjerë në vitet e ardhshme.
Megjithatë, do të jetë një udhëtim që do ta bëj me shumë dëshirë, sepse nuk do të jem vetëm, por do të eci së bashku me dymbëdhjetë meshtarë të mrekullueshëm, i shoqëruar nga shumë motra rregulltare të palodhura, duke shijuar mikpritjen ripërtëritëse të bashkësive dhe familjeve, të burrave e grave, të moshuarve e të rinjve, të shuguruar në pagëzim.
Në këtë udhë të shenjtë, me ndihmën e Hyjit, do të përpiqem të ndjek gjurmët e paraardhësve të mi: të paharrueshmit Imzot Ivan Diaz, Nunci Apostolik dhe Administratori i parë Apostolik i jugut, pas dimrit të gjatë të ateizmit shtetëror – shpresoj që Zoti të më dhurojë qoftë edhe vetëm një të tretën e Shpirtit të tij (krh. 2 Mbr 2,9)! –, Imzot Hil Kabashit, sivëllait tim shumë të dashur, Imzot Giovanni Peragine-s, i cili sot më dorëzon një trashëgimi të çmuar.
Besoj se provania hyjnore ka dashur që kjo ditë të përkojë me përkujtimin liturgjik të zhvendosjes së Trupit të Shën Nikollës [nga Mira në Bari]. Pikërisht këto ditë do të zhvillohet peregrinatio e relikeve të çmuara të shenjtit mrekullibërës në Shqipëri, bekim i begatë që kemi gëzimin shpirtëror ta bashkëndajmë me vëllezërit tanë të Metropolive të Shenjta Orthodokse. Në këtë rast lutem me gjithë zemër që dora e Krishtit të vetëm Shpëtimtar të përgatisë ditën e ëndërruar së bashku nga papa Shën Pali VI dhe Patriarku i madh Atenagora, ditën kur më në fund «do të mund të pimë nga i njëjti kelk».
Përfundoj duke ia besuar me plot besim fillimet e shërbesës sime baritore ndërmjetësimit të së Lumes Virgjërës Mari, Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, të së cilës kremtojmë vitin jubilar, fatit të saj Shën Jozefit dhe ipeshkvit të shenjtë Martinit, Pajtor i kësaj Kishe vendore, si edhe lutjes së çmuar të të gjithë juve.

