Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.
Vëllezër e motra, mirëdita!
Po vazhdojmë ecjen tonë të reflektimit mbi Kishën, ashtu siç na paraqitet në Kushtetutën konciliare Lumen gentium. Françeskut i pëlqente të përsëriste: «Laikët janë thjesht shumica dërrmuese e popullit të Hyjit. Në shërbim të tyre është një pakicë: mbarështuesit e urdhëruar» (Nxit. ap. Evangelii gaudium, 102).
Kjo pjesë e Dokumentit kujdeset të shpjegojë në mënyrë pozitive natyrën dhe misionin e laikëve, pas shekujsh në të cilët ata ishin përcaktuar thjesht si ata që nuk bëjnë pjesë as ndër klerikët, as ndër rregulltarët. Për këtë arsye më pëlqen të rilexoj me ju një pasazh shumë të bukur, që shpreh madhështinë e gjendjes së krishterë: «Prandaj nuk ka veçse një popull të Hyjit, të zgjedhur prej tij: “një Zot i vetëm, një fe e vetme, një pagëzim i vetëm” (Ef 4,5); i përbashkët është dinjiteti i gjymtyrëve për rilindjen e tyre në Krishtin, i përbashkët hiri i birësimit, e përbashkët thirrja në përsosmëri; nuk ka veçse një shpëtim të vetëm, një shpresë të vetme dhe një dashuri pa ndarje» (LG, 32).
Para çdo dallimi shërbese apo gjendjeje jete, Koncili pohon barazinë e të gjithë të pagëzuarve. Kushtetuta nuk dëshiron që të harrohet ajo që kishte pohuar tashmë në kapitullin mbi popullin e Hyjit, domethënë se gjendja e popullit mesianik është dinjiteti dhe liria e bijve të Hyjit (krh. LG, 9).
Natyrisht, sa më e madhe është dhurata, aq më i madh është edhe angazhimi. Për këtë arsye Koncili, së bashku me dinjitetin, nënvizon edhe misionin e laikëve në Kishë dhe në botë. Por mbi çfarë themelohet ky mision dhe në çka përbëhet ai? Na e thotë vetë përshkrimi i laikëve që Koncili na propozon: «Me emrin laikë kuptohen të gjithë besimtarët e krishterë […] që, të bashkuar me Krishtin nëpërmjet pagëzimit dhe të ngritur popull i Hyjit, të bërë pjesëmarrës, në mënyrën e tyre, në funksionin meshtarak, profetik dhe mbretëror të Krishtit, ushtrojnë në Kishë e në botë, për pjesën që u takon, misionin e mbarë popullit të krishterë» (LG, 31).
Pra, populli i shenjtë i Hyjit nuk është kurrë një masë pa trajtë, por trupi i Krishtit ose, siç thoshte Shën Augustini, Christus totus: është bashkësia e strukturuar organikisht, në fuqi të marrëdhënies frytdhënëse ndërmjet dy formave të pjesëmarrjes në meshtarinë e Krishtit: meshtaria e përbashkët e besimtarëve dhe meshtaria e urdhëruar (krh. LG, 10). Në virtyt të Pagëzimit, besimtarët laikë marrin pjesë në të njëjtën meshtari të Krishtit. Njëmend, «Jezu Krishti, kryeprifti më i lartë e i amshuar, dëshiron ta vazhdojë edhe nëpërmjet laikëve dëshminë dhe shërbimin e tij; prandaj i gjallëron me Shpirtin e vet dhe i nxit pareshtur që të ndërmarrin çdo vepër të mirë e të përsosur» (LG, 34).
Si të mos kujtojmë, në këtë drejtim, Shën Gjon Palin II dhe Nxitjen e tij apostolike Christifideles laici (30 dhjetor 1988)? Në të ai nënvizonte se «Koncili, me trashëgiminë e vet tepër të pasur doktrinore, shpirtërore e baritore, u ka kushtuar faqe sa të shkëlqyera aq edhe të ndritshme natyrës, dinjitetit, përshpirtërisë, misionit dhe përgjegjësisë së besimtarëve laikë. Dhe Etërit konciliarë, duke i bërë jehonë thirrjes së Krishtit, i kanë ftuar të gjithë besimtarët laikë, burra dhe gra, që të punojnë në vreshtin e tij» (nr. 2). Në këtë mënyrë, Paraardhësi im i nderuar i jepte një hov të ri apostullimit të laikëve, të cilit Koncili i kishte kushtuar një Dokument të posaçëm, për të cilin do të flasim më tej.
Fusha e gjerë e apostullimit laik nuk ngushtohet vetëm në hapësirën e Kishës, por zgjerohet në botë. Kisha, në të vërtetë, është e pranishme kudo ku bijtë e saj e shpallin dhe e dëshmojnë Ungjillin: në mjediset e punës, në shoqërinë civile dhe në të gjitha marrëdhëniet njerëzore, atje ku ata, me zgjedhjet e tyre, tregojnë bukurinë e jetës së krishterë, e cila hershon këtu e tani drejtësinë dhe paqen që do të jenë të plota në Mbretërinë e Hyjit. Bota ka nevojë «të përshkohet nga shpirti i Krishtit dhe të arrijë më me efektshmëri qëllimin e saj në drejtësi, dashuri e paqe» (LG, 36). Dhe kjo gjë është e mundur vetëm me kontributin, shërbimin dhe dëshminë e laikëve!
Është ftesa për të qenë ajo Kishë «në dalje» për të cilën na ka folur Papa Françesku: një Kishë e mishëruar në histori, gjithmonë e hapur ndaj misionit, në të cilën të gjithë jemi të thirrur të jemi dishepuj-misionarë, apostuj të Ungjillit, dëshmitarë të Mbretërisë së Hyjit, bartës të gëzimit të Krishtit që kemi takuar!
Vëllezër e motra, Pashka që po përgatitemi të kremtojmë e ripërtëriftë në ne hirin për të qenë, si Maria Magdalenë, si Pjetri dhe Gjoni, dëshmitarë të të Ngjallurit!

