18.5 C
Tirana
HomeKISHKatekezë 5. Mbi themelin e Apostujve. Kisha në përmasën e saj hierarkike
HomeKISHKatekezë 5. Mbi themelin e Apostujve. Kisha në përmasën e saj hierarkike

Katekezë 5. Mbi themelin e Apostujve. Kisha në përmasën e saj hierarkike

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kushtetuta dogmatike Lumen gentium.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Vazhdojmë katekezat mbi Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, duke komentuar Kushtetutën dogmatike Lumen gentium mbi Kishën (LG). Pasi e paraqitëm atë si popull i Hyjit, sot ndalemi te forma e saj hierarkike.

Kisha katolike e gjen themelin e saj në Apostujt që Krishti i deshi si kolona të gjalla të Trupit të tij mistik, dhe ka një përmasë hierarkike që vepron në shërbim të unitetit, të misionit dhe të shenjtërimit të të gjitha gjymtyrëve. Ky Urdhër i shenjtë është themeluar në mënyrë të përhershme mbi Apostujt (krh. Ef 2,20; Zb 21,14), si dëshmitarë të autoritetshëm të ngjalljes së Jezusit (krh. Vap 1,22; 1 Kor 15,7) dhe të dërguar nga vetë Zoti në mision në botë (krh. Mk 16,15; Mt 28,19). Meqenëse Apostujt janë të thirrur që ta ruajnë me besnikëri mësimin shpëtimprurës të Mësuesit (krh. 2 Tim 1,13-14), ata ua përçojnë shërbesën e tyre mbarështuesve që, deri në kthimin e Krishtit, vazhdojnë ta shenjtërojnë, ta udhëheqin e ta mësojnë Kishën «falë pasardhësve të tyre në shërbesën baritore» (KKK, nr. 857).

Kjo pasardhësi apostolike, e themeluar në Ungjill dhe në Traditë, thellohet në kapitullin III të Lumen gentium, me titull: «Përbërja hierarkike e Kishës dhe në veçanti e episkopatit». Koncili mëson se struktura hierarkike nuk është një ndërtim njerëzor, funksional për organizimin e brendshëm të Kishës si trup shoqëror (krh. LG, 8), por një themelim hyjnor i caktuar për ta përjetësuar misionin që Krishti ua dha Apostujve deri në fundin e kohëve.

Fakti që kjo tematikë trajtohet në kapitullin III, pasi në dy kapitujt e parë është soditur thelbi i mirëfilltë i Kishës (krh. Acta Synodalia III/1, 209-210), nuk do të thotë se ngritja hierarkike është një element i mëvonshëm përballë popullit të Hyjit: siç vëren Dekreti Ad gentes, «Apostujt qenë njëkohësisht fara e Izraelit të ri dhe zanafilla e hierarkisë së shenjtë» (nr. 5), si bashkësi e të shëlbuarve nga Pashka e Krishtit, e caktuar si mjet shpëtimi për botën.

Për ta rrokur synimin e Koncilit, është e përshtatshme të lexohet mirë titulli i kapitullit III të Lumen gentium, i cili shpalos strukturën themelore të Kishës, të dhënë nga Hyji Atë përmes Birit dhe të përmbushur me zbrazjen e Shpirtit Shenjt. Etërit konciliarë nuk deshën të paraqesin elementet institucionale të Kishës, siç mund të lërë të kuptohet emri “përbërje”. Dokumenti përqendrohet përkundrazi mbi «meshtarinë mbarështuese ose hierarkike», e cila ndryshon «në thelb e jo vetëm në shkallë» nga meshtaria e përbashkët e besimtarëve, duke kujtuar se këto janë «të lidhura njëra me tjetrën, sepse si njëra ashtu edhe tjetra, secila në mënyrën e vet, marrin pjesë në të vetmen meshtari të Krishtit» (LG, 10). Prandaj Koncili trajton shërbesën që u përçohet mbarështuesve të veshur me sacra potestas (krh. LG, 18) për shërbim në Kishë: ndalet veçanërisht mbi episkopatin (LG, 18-27), mandej te meshtaria (LG, 28) dhe te diakonati (LG, 29), si shkallë të të vetmit sakrament të Urdhrit.

Me mbiemrin “hierarkike”, pra, Koncili dëshiron të tregojë prejardhjen e shenjtë të shërbesës apostolike në veprimin e Jezusit, Bariut të Mirë, si edhe marrëdhëniet e saj të brendshme. Ipeshkvijtë para së gjithash, e përmes tyre meshtarët dhe diakonët, kanë marrë detyra (munera), që i çojnë në shërbim të «të gjithë atyre që i përkasin Popullit të Hyjit», në mënyrë që «të priren lirisht dhe rregullisht drejt të njëjtit synim e të arrijnë në shpëtim» (LG, 18).

Lumen gentium e kujton disa herë dhe në mënyrë shumë efikase karakterin kolegjial dhe bashkësior të këtij misioni apostolik, duke ritheksuar se «detyra që Zoti ua ka besuar barinjve të popullit të vet është një shërbim i vërtetë, që në Shkrimin Shenjt quhet në mënyrë domethënëse “diakonia”, domethënë shërbesë» (LG, 24). Kuptohet atëherë pse Shën Pali VI e ka paraqitur hierarkinë si një realitet «të lindur nga dashuria e Krishtit, për të kryer, për të përhapur dhe për të garantuar përçimin e paprekur dhe frytdhënës të visarit të fesë, të shembujve, të urdhërimeve, të karizmave, që Krishti ia ka lënë Kishës së vet» (Fjalim, 14 shtator 1964, në Acta Synodalia III/1, 147).

Motra e vëllezër të dashur, t’i lutemi Zotit që t’i dërgojë Kishës së tij mbarështues të ndezur nga dashuria ungjillore, të përkushtuar për të mirën e të gjithë të pagëzuarve dhe misionarë të guximshëm në çdo anë të botës.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme