31 maj 2025
Në përmbyllje të muajit maj, muajit të kushtuar Zojës së Bekuar, Arqidioqeza jonë përjetoi një ditë të veçantë hiri dhe bashkimi përmes shtegtimit tradicional marian, që mblodhi një numër të madh besimtarësh nga të gjitha famullitë në Gurëz. Në këtë ngjarje të bekuar morën pjesë fëmijë, të rinj, prindër dhe të moshuar, duke dhënë një dëshmi të gjallë të një Kishe që ecën së bashku në udhën e besimit.
Shtegtimi u udhëhoq nga vetë Arqipeshkvi ynë, Imzot Arjan Dodaj F.d.C., i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e përkushtimit marian në jetën e përditshme, si një rrugë që na afron gjithnjë e më shumë me Krishtin, përmes duarve të Nënës së Tij. Me një ton atëror dhe plot dashuri, ai ftoi të gjithë që ta kenë Zojën si shembull besimi, bindjeje dhe shprese në çdo sfidë të jetës.

Një moment i veçantë i këtij shtegtimi ishte prania e Rektorit të Shenjtërores Mariane të Genazzano-s, vend i njohur për devocionin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë. Rektori, Atë Ludovico Maria Centra O.S.A., i cili së fundmi pati nderin të takohej me Atin e Shenjtë, Papën Leon XIV, pas zgjedhjes së tij, solli me vete një përshëndetje të ngrohtë dhe fjalë inkurajuese për popullin tonë, duke ndarë gjithashtu përvoja frymëzuese nga misioni i tij në shërbim të shtegtarëve.
Prania inkurajuese e të Ngarkuarit me Punë të Selisë së Shenjtë në Shqipëri, Imzot Ionuț Paul Strejac, ishte një moment i veçantë për të gjithë të pranishmit. Gjatë përshëndetjes së tij, ai përcolli fjalë ngushëllimi dhe afërsie për asamblenë, duke shprehur admirimin e tij për rrugëtimin e përbashkët të bërë deri më tani. Ai theksoi rëndësinë e bashkësisë dhe të ecjes së përbashkët në shërbim të Ungjillit dhe të së mirës së përbashkët.


Në kuadër të këtij shtegtimi u kremtua gjithashtu jubileu dioqezan i familjeve, i gjyshërve dhe i punëtorëve – një rast për të vlerësuar dhe bekuar përpjekjet e përditshme të atyre që, me punën dhe dashurinë e tyre, ndërtojnë Kishën dhe shoqërinë. Disa familje ndanë dëshmitë e tyre prekëse për jetën në martesë, për sfidat e përballuara me ndihmën e besimit dhe për rëndësinë e lutjes së përbashkët në familje.
Dita u përmbyll me kremtimin e Meshës solemne në Shenjtëroren Dioqezane “Famullia e Nënës së Këshillit të Mirë”, e cila është gjithashtu kishë jubilare. Kjo ditë u bë një përjetim i gjallë i asaj që do të thotë të jesh Kishë: një bashkësi që lutet, dëshmon dhe ecën përpara me Zojën, në udhën që të çon te Krishti.


Lutja e Shën Gjon Palit II drejtuar Nënës së Këshillit të Mirë, shqiptuar edhe nga Papa Leoni XIV:
O Virgjër e Këshillit të Mirë, Ty të lartësohet lutja e popullit të krishterë, që gjithmonë të do dhe të nderon. Sot, Ty të beson shpresat dhe hidhërimet, dëshirat dhe nevojat, lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë. Ktheje, o Nënë, vështrimin tënd mbi këtë popull, pranoja ndjetet bujare, shoqëroje në udhëtimin drejt një ardhmërie në drejtësi, solidaritet dhe paqe. Ti, o Nënë, që e njeh rrugën e jetës dhe e di mirë ç’dëshiron zemra e njeriut, nuk i jep atij ideologji të gabuara dhe kalimtare, por personin e Birit tënd Jezus – Rruga, e Vërteta dhe Jeta, nga i cili rrezatohet misteri i Zotit dhe i njeriut.

O Nëna e Këshillit të Mirë, hapi mendjet dhe zemrat, siguroja mbarë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes. Amen.