6.5 C
Tirana
HomeEditorialPapa Françesku dhe Inteligjenca artificiale
HomeEditorialPapa Françesku dhe Inteligjenca artificiale

Papa Françesku dhe Inteligjenca artificiale

Imzot Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit

Shëmbëllimin e një të rrituri, i cili papritur e gjen veten “të sulmuar” nga dallgë reels-ash me të njëjtën temë, muzikë, pamje apo argument, vetëm sepse është ndalur pak sekonda më shumë te një video e shkurtër sesa te një tjetër, tashmë e shohim te çdonjëri prej nesh që përdor një smartphone. Duket se dikush, një dorë e padukshme a një mendje përllogaritëse (e quajtur algoritëm) ka kuptuar, llogaritur apo gjetur se çfarë i pëlqen e se çfarë nuk i pëlqen atij që përdor mjetet e komunikimit social. E pikërisht në bazë të atyre sekondave më shumë duke parë një postim të caktuar, ata që rrinë duke përgjuar pas “kuintave” virtuale, kanë ofruar “prodhimin” virtual që duket se pëlqehet. Ky është vetëm një shembull shumë i thjeshtë i asaj që sot quhet Inteligjencë artificiale (IA).

Për këtë të fundit ka folur kësaj radhe edhe Papa Françesku në mesazhin e tij me titull “Inteligjenca artificiale dhe paqja” drejtuar “… krerëve të shteteve, përfaqësuesve të feve të ndryshme, shoqërisë civile, të gjithë burrave dhe grave të kohës sonë …”.

Papa Françesku e përfshin reflektimin mbi IA-në në një përsiatje më të gjerë rreth teknologjisë dhe përparimit të shkencës, duke e veçuar më pas në disa prej përmasave të saj. Nuk mungon dhe është parësore qasja pozitive që Papa Françesku ka mbi teknologjinë dhe shkencën, duke iu referuar Shkrimit të Shenjtë dhe dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit (veçanërisht Kushtetutës baritore “Gaudium et spes”).

“… përparimi i shkencës dhe i teknologjisë – sintetizon Papa Françesku – në masën me të cilën kontribuon për një rend më të mirë të shoqërisë njerëzore, për të rritur lirinë dhe bashkimin vëllazëror, çon në përmirësimin e njeriut dhe në shndërrimin e botës”.

Reflektimi mbi teknikën dhe shkencën, sidomos në dimensionin e saj etik dhe metafizik, nuk është i ri, por as edhe aq i vjetër. Kriza e shkencave (duke përdorur një term të filozofit Edmund Husserl) vjen pothuajse menjëherë pas lulëzimit të tyre në shekullin XIX. Bashkë me zhvillimin e tyre, shkenca dhe teknologjia nxorën në pah edhe problemin e limitit të tyre, veçanërisht për faktin se përdorimi i produkteve të tyre sa mund ta ndihmojë njeriun, aq edhe mund ta dëmtojë atë.

Për këtë janë paradigmatike fjalët e Martin Heidegger-it në intervistën e tij të famshme me titull “Vetëm një Zot mund të na shpëtojë”. Ja si është shprehur ai: “Gjithçka funksionon. Po po, pikërisht ky është elementi më shqetësues, që gjithçka funksionon dhe që të funksionuarit shtyn gjithnjë e më përpara drejt një të funksionuari të mëtejshëm dhe që teknika e shkëput dhe e çrrënjos njeriun gjithnjë e më shumë nga toka. Nuk e di nëse ju jeni i trembur. Gjithsesi unë jam trembur nga pamjet e fotografive të tokës të shkrepura nga hëna. Nuk ka nevojë për bombën atomike. Çrrënjosja e njeriut po ndodh. Tashmë kemi marrëdhënie tërësisht teknike. Nuk është më toka ajo ku jeton sot njeriu.”

Teknologjia mbart në vetvete jo vetëm aftësinë krijuese të njeriut, dhuratë e Zotit, por edhe interesat subjektive të tij dhe të grupit që përfaqëson. Gjithashtu teknologjia mbart në vete edhe kulturën e atij që e krijon atë dhe më pas e përdor, sikurse edhe qëllimet fitimprurëse apo ndikuese që individi apo grupi krijues mëton të arrijë. Kështu, nëpërmjet teknologjisë dhe IA-së mund t’i shtysh njerëzit të mendojnë ndryshe, mund të krijohen lajme të rreme, të manipulohen rezultate zgjedhjesh, të ndikohen zgjedhjet dhe pëlqimet e personave edhe shumë fenomene të tjera. Në aspektin e konflikteve midis popujve e veçanërisht në luftëra, Inteligjenca artificiale mund të kthehet në një mjet terrorizmi dhe dhune duke shkelur “… dinjitetin e brendshëm të njeriut dhe vëllazërinë që na lidh si gjymtyrë të së njëjtës familje njerëzore”.

Për këtë arsye, Papa bën apel për një algoretikë, një etikë në përdorimin e algoritmit, që ka parasysh jo vetëm përllogaritjet, por edhe domosdoshmëritë reale, sidomos të njerëzve në nevojë, të cilët nuk mund të përjashtohen për shkak të programeve algoritmike. Përveç thirrjes për një etikë në përdorimin e saj, Papa Françesku bën thirrje edhe për kërkimin e modeleve normative ndërkombëtare: “Shtrirja globale e Inteligjencës artificiale e bën të qartë se krahas përgjegjësisë së shteteve sovrane për ta rregulluar përdorimin e tyre brenda vendit, organizatat ndërkombëtare mund të luajnë një rol vendimtar në arritjen e marrëveshjeve shumëpalëshe dhe në koordinimin e aplikimit të zbatimit të tyre.” Sipas Papa Françeskut është i domosdoshëm një “… traktat ndërkombëtar detyrues, që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës artificiale në format e saj të shumta”.

Edhe pse ende në një proces përkufizimi, IA-ja përbën sot një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, që shtrihet nga gjeostrategjitë globale deri te realitetet e marrëdhënieve familjare e ndërnjerëzore. Prandaj është nevojë urgjente një reflektim, në mënyrë që “… zhvillimi i shpejtë i formave të Inteligjencës artificiale të mos i rrisë pabarazitë dhe padrejtësitë e shumta, tashmë të pranishme në botë, por të ndihmojë në ndalimin e luftërave dhe konflikteve dhe në zbutjen e shumë formave të vuajtjeve, të cilat e mundojnë familjen njerëzore.”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme