-1.5 C
Tirana
HomeKryesorFrançesku: Kishës, më parë se mjete, i nevojiten zemra që tërheqin kah...
HomeKryesorFrançesku: Kishës, më parë se mjete, i nevojiten zemra që tërheqin kah...

Françesku: Kishës, më parë se mjete, i nevojiten zemra që tërheqin kah Hyji

Dëshmia e zellit apostolik, në qendër të katekezës në Audiencën e përgjithshme, vjen nga shën Tereza e Jezusit Fëmijë, Mësuese e Kishës. Urna me reliktet e shenjtëreshës së shpallur “pajtore e misioneve”, të cilës Papa ka lajmëruar se do t’i kushtojë një Letër Apostolike, është ekspozuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

Që nga 6 qershori, kisha rektoriale e shën Antonit Abat në Esquilino në Romë ka pritur reliktet e shën Terezës së Lisieux dhe prindërve të saj. Janë planifikuar kremtime të shumta deri më 16 qershor, por mëngjesin e sotëm, me rastin e Audiencës së përgjithshme, reliktet e murgeshës karmelite u zhvendosën në sheshin e shën Pjetrit dhe Papa Françesku pohoi: “Është bukur që kjo po ndodh ndërkohë që po reflektojmë mbi pasionin për ungjillëzimin, mbi zellin apostolik”. Më pas ai lajmëroi se dëshmia e shën Terezës do të jetë në qendër të katekezës së sotme dhe se ka ndërmend t’i kushtojë asaj një Letër Apostolike, në 150-vjetorin e lindjes së saj që përkujtohet këtë vit.

Tereza: “pajtorja e misionarëve” duke qëndruar në kuvend

“Ajo është mbrojtëse e misioneve, por nuk ka qenë kurrë në mision”, vëren Papa. Si mund të shpjegohet kjo? Shëndeti i saj ishte i brishtë, saqë vdiq në moshën 24-vjeçare, por “zemra e saj ishte e ndezur, misionare”.

Në “ditarin” e saj ajo thotë se të qenurit misionare ishte dëshira e saj dhe se dëshironte të ishte e tillë jo vetëm për disa vite, por për gjithë jetën e saj, madje deri në fund të botës. Tereza ishte “motra shpirtërore” e disa misionarëve: nga kuvendi i shoqëronte me letrat e saj, me lutje dhe duke ofruar për ta sakrifica të vazhdueshme. Pa u shfaqur, ajo ndërmjetësonte për misionet, si një motor që, i fshehur, i jep një automjeti forcën për të ecur përpara.

Mos kërkoni ngushëllime për veten tuaj, por “ngushëlloni” Jezusin

Jeta e saj në kuvend nuk ishte e lehtë, “por çdo gjë e pranoi me dashuri, me durim, duke ofruar, bashkë me sëmundjen, edhe gjykimet e keqkuptimet” për të mirën e Kishës dhe mbi të gjitha për më të largëtit. Françesku shtron pyetjen se nga i vinte gëzimi dhe forca e saj misionare dhe përmend dy episode në jetën e shenjtes, përpara hyrjes së saj në kuvend, të cilat na ndihmojnë për të kuptuar: i pari daton në natën e Krishtlindjes në 1886, kur Tereza ishte vetëm 14 vjeçe. Një pakënaqësi në familje e bën atë të qajë, por pak më pas harron gjithçka, gjen sërish gëzimin dhe dëshirën për të dashur.

Çfarë kishte ndodhur? Atë natë, në të cilën Jezusi ishte bërë i dobët për dashuri, ajo ishte bërë e fortë në shpirt – një mrekulli e vërtetë – : në pak çaste kishte dalë nga burgu i egoizmit të saj dhe i keqardhjes për veten e saj; ajo filloi të ndjente se “dashuria i hyri në zemër – kështu thotë ajo – me nevojën për ta harruar veten”. Që atëherë ajo e ktheu zellin e saj kah të tjerët, që ata ta gjenin Zotin dhe në vend që të kërkonte ngushëllime për veten e vet, ajo vendosi të “ngushëllojë Jezusin, që ai të duhej prej shpirtrave”, sepse – vinte në dukje Tereza – “Jezusi është i sëmurë nga dashuria dhe [.. .] sëmundja e dashurisë mund të shërohet vetëm me dashuri”.

Fuqia e ndërmjetësimit

Vendimi i përditshëm i Terezinës është që të ndërmjetësojë me qëllimin “që të tjerët ta duan atë”.

Do të doja t’i shpëtoja shpirtrat dhe të harroja veten për të mirën e tyre: do të doja t’i shpëtoja edhe pas vdekjes sime. Unë do ta kaloj qiellin tim duke bërë mirë mbi tokë” (nga letrat e Shën Terezës).

Papa Françesku kujtoi një episod të dytë në jetën e shenjtëreshës së Lisieux, i cili tregon zellin e saj apostolik veçanërisht përkundrejt mëkatarëve: Tereza merr vesh për një kriminel të dënuar me vdekje. Ai quhej Enrico Pranzini. Ata i thonë asaj se ai nuk dëshiron që ta pranojë ngushëllimin e fesë. Atëherë ajo fillon të lutet për kthimin e tij, në mënyrë që të shfaqë “një shenjë të vogël pendimi dhe t’i bëjë vend mëshirës së Zotit”. Papa vijon duke thënë:

Ekzekutimi bëhet. Të nesërmen Tereza lexoi në gazetë se Pranzini, pak para se të vendoste kokën në litar, “për një çast, i kapur nga një frymëzim i papritur, kthehet, merr Kryqin që meshtari po i paraqiste dhe puth plagët e shenjta të Jezusit për tri herë. Shenjtëresha komenton: “Atëherë shpirti i tij shkoi për të marrë gjykimin e mëshirshëm të Atij që pohoi se në parajsë do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë për pendim!”.

Misionar është ai që jeton me qëllimin që Jezusi të kalojë nëpër të

Papa Françesku pohoi se forca shtytëse e misionit është pikërisht kjo “fuqi e ndërmjetësimit e lëvizur nga dashuria” dhe nënvizoi se misionarë “nuk janë vetëm ata që udhëtojnë shumë, mësojnë gjuhë të reja”, por misionarë janë edhe të gjithë ata që kudo që gjenden, jetojnë “si vegla të dashurisë së Hyjit”; misionar është ai që “bën gjithçka që, nëpërmjet dëshmisë së tij, lutjes, ndërmjetësimit të tij, Jezusi të përçohet”. Dhe ai përfundon:

Ky është zelli apostolik që, le ta kujtojmë gjithmonë, nuk funksionon kurrë për prozelitizëm – kurrë! – ose me detyrim – kurrë! –, por për tërheqje: feja lind nga tërheqja, njeriu nuk bëhet i krishterë sepse detyrohet nga dikush, jo, por sepse preket nga dashuria. Kishës, para mjeteve, metodave dhe strukturave të shumta, që nganjëherë largojnë vëmendjen nga thelbësorja, i nevojiten zemra si ajo e Terezës, zemra që të tërheqin kah dashuria dhe që të afrojnë me Zotin. Dhe ne i kërkojmë shenjtes –reliktet e saj i kemi këtu –  hirin që ta kapërcejmë egoizmin tonë dhe i kërkojmë gjithashtu pasionin për të ndërmjetësuar, për të ndërmjetësuar që kjo tërheqje të jetë më e madhe te njerëzit dhe që Jezusi të njihet dhe të dashurohet.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme