Kisha katolike në Shqipëri përgatitet të kujtojë një nga datat historike të saj. Bëhet fjalë për 25 prillin, datë e cila do të mbesë e skalitur thellë në memorien e Kishës tonë për vetë simboliken, personat dhe domethënien e saj.
Pikërisht 30 vite më parë 25 prill 1993 tokën Arbnore do ta vizitonte Shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II.
Karol Wojtyla do të bëhej i pari Papë që do shkelte tokën e Gjergj Kastriotit, në një kohë kur Kisha sapo kishte dalë nga persekutimi më i egër komunist në evropën lindore. Pasardhësi i Pjetrit do të vinte në Shipëri për të njohur qëndresen e lavdishme të kësaj Kishe, rezistencën e pashoq të bijve e bijave të saj martirë/e, dhe për të ringritur hirarkinë kishtare, me shugurimin e 4 ipeshkvijve që do ti prinin kësaj kishe lokale në sfidat e mijevjeçarit të tretë.
Prania e tij dhe ajo e Nanë Terezes në Katedralen e Shkodrës, ishte demostrim i lidhjes së hershme dhe besnikërisë unikale të katolikëve të Shipërisë ndaj kishës universale dhe katedrës së Pjetrit.
Në 30 vjetorin e kësaj vizite, barinjtë e Kishës Katolike do të mblidhen në Shkodër mbrëmjen e 25 prillit për të falenderuar Zotin për këtë moment hiri që i dhuroi 30 vite më parë vendit tonë, në personin e Shën Gjon Palit të dytë. Pas meshe në ambientet e Katedrales së Shën Shtjefnit, do të mbahet një koncert me përmasa kombëtare i korit Musica Nova nën drejtimin e maestro Harlen Nikolli.
Me 26 prill mbarë hirarkia kishtare, sëbashku me Nuncin Apostolik do të bashkohen në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, guri i parë i së cilës u bekua 30 vite më parë nga Ati i Shenjtë. Meshën pontifikale që përkon edhe me festen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorës së Shqipëris do ta udhëheq Sh.T.Imzot Angelo Massafra Arqipeshkëv i Shkodrës dhe njëkohsisht President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Po atë ditë, në mbrëmje do të zhvillohet edhe binjakëzimi me Shenjtëroren e Genazzanos, vend kaq i dashur dhe emblematik për mbarë popullin shqiptarë.
Janë një seri eventesh, nëpërmjet të cilave Kisha Katolike përgatitet të kujtojë dhe kremtojë këtë datë të shënuar për historinë e Kishës në Shqipëri dhe jo vetem. Në nivel shtetëror do të ketë organizime të ndryshme, të karakterit kulturorë dhe jo vetëm, për të përkujtuar këtë vizitë.
Dom Mark Pashkja