IMZOT Gjergj Meta
Ishte e Enjtja e Madhe e vitit 1963, kur Papa Gjoni XXIII i dorëzoi Kishës dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë Enciklikën e tij “Pacem in terris” (Paqja në tokë). Pas më pak se dy muajsh, Papa i Mirë do të kthehej në shtëpinë e Atit (3 qershor 1963).
Edhe sot pas 60 vjetësh, leximi i kësaj Letre qarkore të Papa Roncalli-t, nxjerr në pah një aktualitet mbresëlënës. Sa i përket Kishës, në atë kohë ajo po përjetonte një pranverë për shkak të Koncilit II të Vatikanit, të cilin e kishte hapur Papa Gjoni, më 11 tetor 1962, vetëm pak muaj para se të shkruante “Pacem in terris”. Nga shumë anë të Kishës po përjetoheshin shpresa dhe dëshira për të ardhmen, por edhe frikëra e pasiguri për çfarë mund të sillnin risitë reformuese të këtij Koncili Ekumenik.
Konteksti botëror ishte ai i Luftës së ftohtë midis lindjes komuniste dhe perëndimit kapitalist, sidomos në çështjet e garës për armatime, deri në atë për përpunimin e armëve bërthamore. Shumë vende të Lindjes po përjetonin terrorin komunist, mungesën e lirisë së shprehjes dhe të besimit. Perëndimi nga ana e tij, ishte në prag të revolucionit shoqëror të viteve gjashtëdhjetë. Po ashtu, vendet koloniale, sidomos ato afrikane, të cilat shfrytëzoheshin në emër të së ashtuquajturës “doktrina e zbulimit”, po kërkonin lirinë dhe pavarësinë e tyre nga vendet kolonialiste. Ky fakt i fundit do të evidentohet qartas në dokumentin “Populorum progressio” të Palit VI.
“Pacem in terris” është një përpjekje për të orientuar punën e individëve, komuniteteve politike nacionale dhe botërore, në kërkimin dhe gjetjen e negocimit dhe dialogut për një paqe të gjatë midis popujsh e kombesh.
Temat që prek kjo Enciklikë janë të shumta dhe vazhdojnë atë traditë të mirëfilltë të mësimit shoqëror të Kishës, të nisur me Papa Leonin XIII (1810-1903), i cituar disa herë përgjatë dokumentit në fjalë. E drejta e ekzistencës fizike dhe e një jete dinjitoze (nr. 6) përbëjnë parimet bazë mbi të cilat zë fill kjo Enciklikë, ku paqja përkufizohet si “një dëshirë e thellë e të gjitha qenieve njerëzore të të gjitha kohërave.” (nr. 1).
Do të veçoja dy koncepte, të cilat mua personalisht më duken të dobishme për aktualitetin tonë. Në një botë ku dëgjojmë të flitet më së shumti për të drejta, Papa Gjoni XXIII na kujton se nuk ka të drejta pa detyra dhe detyra pa të drejta. “Në një bashkëjetësë të rregullt dhe të frytshme, duhet vendosur si themel parimi që çdo qenie njerëzore është person, domethënë një natyrë e pajisur me inteligjencë dhe vullnet të lirë; e pra është subjekt të drejtash dhe detyrash, që burojnë në mënyrë të menjëhershme dhe të njëkohshme nga vetë natyra e tij: të drejta dhe detyra që për këtë arsye janë universale, të padhunueshme dhe të patjetërsueshme.” (nr.5). Doktrina e ndërthurjes së të drejtave dhe detyrave në jetën e individëve dhe shoqërive, është një aspekt kyç për një shoqëri e cila dëshiron të zhvillohet. Një shoqëri në të cilën personi nuk e shikon veten si përfitues të drejtash dhe veprues detyrash, do të jetë një shoqëri e pabarabartë dhe problematike.
Në fakt, sot të gjithë kërkojnë të drejta, por shumë pak i lakojnë detyrat dhe detyrimet që ne kemi karshi njëri-tjetrit, karshi shoqërisë, karshi familjes e ligjeve të shtetit dhe të Hyjit. “Ata që ndërsa kërkojnë të drejtat e tyre, harrojnë apo nuk vënë në pah si duhet detyrat që kanë, rrezikojnë të ndërtojnë me njërën dorë e të shkatërrojnë me tjetrën.” (nr.15).
Aspekti i dytë që dua të nxjerr në pah është ndërveprimi midis popujve dhe kombeve në shenjën e reciprocitetit, të solidaritetit dhe të subsidaritetit. Këto janë tri parime bazë për mirëfunksionimin e rendit botëror. Reciprociteti parakupton se të gjitha kombet, komunitetet politike, përfshi pakicat etnike, kanë të drejta të barabarta e duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me reciprocitet. Nuk ka kombe më të fisme e më pak të fisme. Kur bëhet fjalë për dinjitetin e popujve të tjerë, pasuria e një kombi nuk mund të jetë element diskriminues. Solidariteti ka të bëjë me ndihmën që popujt më të suksesshëm ekonomikisht apo politikisht iu japin popujve të tjerë më pak të suksesshëm. Qytetërimi evropian e ai perëndimor në përgjithësi, e ka pasur solidaritetin një shtyllë themelore të shoqërisë. E subsidariteti lidhet me ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtarë apo atyre që kanë më shumë mundësi, atëherë kur popujt me të vegjël apo komunitetet politike më pak të suksesshme, nuk munden t’i arrijnë qëllimet e caktuara për të mirën e përbashkët, por kjo nuk do të thotë se këto organizma zëvendësojnë vullnetin e popujve apo e tjetërsojnë atë.
Kjo Qarkore është shkruar në kohë të vështira për globin. Vitet ‘60 ishin vërtetë vite të frikshme në parashikimet e shumëkujt për të ardhmen, kjo sidomos për shkak të shtimit dhe sofistikimit të armëve bërthamore. A nuk jemi edhe sot në një kontekst të ngjashëm? Duket sikur historia përsëritet në shumë raste. E kushedi, ndoshta do të kishim nevojë për një “Pacem in terries bis”.