Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizmat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher ndodhet tashmë prej dy ditësh në Shqipëri. Në meshën e mbajtur gjatë ditës së djeshme në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, Imzot Gallagher tha fund të meshës: “Kanë kaluar ekzaktësisht 20 vite nga hera e fundit që kam qenë në këtë katedrale, dhe ndjehem i emocionuar e i prekur sot që ndodhem këtu, ndihem i prekur sidomos nga memoria e martirëve dhe feja e popullit shqiptar gjatë viteve të errëta të komunizmit. Ju falenderoj për këtë ikonë të martirëve, gjithashtu dhe për buqetën me lule nga ana e famullisë. Keni thënë disa herë që jeni të varfër, por mendoj se janë të pakëta ato kisha lokale që kanë një Katedrale kaq të bukur sa kjo, dhe mendoj që ky është një simbol i pasurisë së fesë së popullit tuaj. Është bukur të jem me ju këtu, gjithashtu më lejoni që në emer te Papa Françeskut t’ju uroj dhe Pashkë te shenjta.”
Gjithashtu ditën e sotme në Homelinë që Imzot Gallagher ka mbajtur në qytetin e Rrëshenit ndër të tjera ka thënë: “Në një botë ku duket se mbizotërojnë dhuna, konflikti, rivaliteti dhe gënjeshtra, prania e të krishterëve vë përballë një forcë të shenjës së kundërt, e cila bëhet akuzë e këtyre veprave të vdekjes. Mirësia është jetë dashurie, pranimi, gatishmërie dhe faljeje. Drejtësia është ndershmëri, paanësi dhe hapje ndaj vullnetit të Zotit.” Imzot Gallagher na ftoi të mos shkurajohemi kurrë, përkundrazi, duhet të gëzohemi sepse Zoti është me ne, duke mos harruar që t’iu përgjigjemi sfidave të kohës sonë me një qëndrim të përvuajtur dhe me një dialog që shoqërohet me gjeste mirësie dhe mirëkuptimi më të madh ndaj të gjithëve.
Nuk mund të mos përmendte edhe fenë e martirëve dhe dëshminë e tyre duke thënë: “Së fundi, ne e dimë mirë se të jetosh në këtë mënyrë ndonjëherë kushton, edhe me çmimin më të lartë, atë të jetës, siç e dëshmojnë ndër të tjera, 38 martirët e Shqipërisë, mes të cilëve gjendet vetëm një grua, e Lumja Marie Tuci, rishtare e re stigmatine dhe bijë e kësaj toke të Mirditës. Jeta e saj e shkurtër, por plot fe dhe guxim, është inkurajim dhe shenjë shprese për të gjithë ne e veçanërisht për të rinjtë. Amen.”
Ditën e nesërme, më 20 mars, në orën 9.00, në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizmat Ndërkombëtare do të takohet me krerët fetarë të vendit, ndërsa në orën 11.00 do të takojë kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla. Gjithashtu, nga ora 11.40 deri në orën 12.30, ai do të vizitojë Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, ku do të paraqitet edhe rektori i ri Leonardo Palombi nga Bashkësia e Shën Egjidit.
Pasdite, në orën 16.00, Imzot Gallagher do vizitojë Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, Katedralen Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit, gjithashtu edhe Xhaminë e qendrës së kryeqytetit shqiptar. Imzot Gallagher do të kthehet në Vatikan, të martën e datës 21 mars, pas vizitës 3 ditore në Shqipëri.