Ukrainë, Grušas: të thirrur për të qenë ndërtues të paqes!

Deklaratë

Një vit nga agresioni i Federatës Ruse, që provokoi luftën në Ukrainë, ende në zhvillim, Presidenti i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës, Gintaras Grušas, ripërtërin thirrjen e tij drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare për të punuar në atë mënyrë që të pushojnë armët dhe të ndalohet ky konflikt.

Ipeshkvijtë evropianë dhe bashkësitë e krishtera vazhdojnë të luten për viktimat e kësaj lufte dhe për familjet e tyre: gjatë gjithë kohës së Kreshmës, me radhë për çdo komb, Mesha e Shenjtë do të kremtohet për të thirrur paqen mbi Ukrainë dhe për t’u lutur për të vdekurit për shkak të luftës; ata janë pranë atyre që vuajnë nga këto akte dhune; janë bashkuar në një rrjet solidariteti për të mbështetur popullin ukrainas. Njëmend, gjatë këtij viti shumë bashkësi të krishtera kanë hapur dyert e shtëpive të veta për ata që iknin nga lufta dhe shumë ipeshkvij e delegacione janë drejtuar për në territorin ukrainas, si shenjë konkrete e afërsisë së Kishës.

Ndërsa e drejta ndërkombëtare po shkelet me këmbë, në një skenar lufte të tmerrshme, të gjithë besimtarët në Krishtin dhe njerëzit vullnetmirë, janë të thirrur që të bëjnë përpjekje për të ndërtuar paqen. Në thirrjen post-sinodale Ecclesia in Europa, përvjetori i njëzetë i së cilës bie këtë vit, Shën Gjon Pali II, në mënyrë profetike, nënvizonte se “Evropa, me të gjithë banorët e saj, duhet të angazhohet pa u lodhur për të ndërtuar paqen brenda kufijve të saj dhe në mbarë botën”. Ai kujtonte  gjithashtu se “dallimet kombëtare duhet të ruhen dhe të kultivohen si themel i solidaritetit evropian” dhe “se vetë identiteti kombëtar nuk realizohet përveçse në hapjen ndaj popujve të tjerë dhe nëpërmjet solidaritetit me ta” (nr. 112).

Që nga fillimi i luftës, Kishat që janë në Evropë thërrasin paqen për Ukrainën që të përkthehet në një fund të menjëhershëm të armiqësive dhe në një angazhim konkret për të rivendosur drejtësinë dhe për të nisur, kështu, një rrugëtim të njëmendtë pajtimi.

Ndërsa vërejmë me trishtim plagët e tanishme, ne i nxisim të gjithë që ta vazhdojnë angazhimin e solidaritetit, që është tanimë në veprim, për të mbështetur popullin ukrainas. Ne duam gjithashtu të angazhohemi që tani për të ndërtuar një Evropë, më në fund të pajtuar, në një paqe të drejtë të arritur fal angazhimit të të gjithëve. Ne e bëjmë këtë gjë të sigurt në Ngjalljen e Krishtit dhe me vetëdijen se Ai është shpresa e Evropës.

Nga San Gallo, ku sot po zhvillohet takimi për kujdesin baritor në përkrahje të refugjatëve ukrainas në Evropë dhe ku bëhen lutje për paqe, së bashku me ipeshkvijtë, meshtarët dhe laikët ukrainas të pranishëm, ne i bashkohemi thirrjes që Papa Françesku u ka bërë, në fillim të Kreshmës, “atyre që kanë autoritet mbi kombet që të angazhohen, konkretisht, për t’i dhënë fund konfliktit, për të arritur një armëpushim dhe për të nisur negociatat e paqes”. Fitorja “e ndërtuar mbi rrënoja – ka ripohuar Papa – nuk do të jetë kurrë një fitore e vërtetë”.

San Gallo, 24 shkurt 2023