9.5 C
Tirana
HomeDioqeza Rrëshen20-vjetori i Kushtimit të Katedrales së Rrëshenit.
HomeDioqeza Rrëshen20-vjetori i Kushtimit të Katedrales së Rrëshenit.

20-vjetori i Kushtimit të Katedrales së Rrëshenit.

Pasditen e djeshme, me datë 9 nëntor 2022, festuam me gëzim në zemër 20-vjetorin e Kushtimit të Katedrales sonë të Rrëshenit, “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës”.

U kremtua Mesha e Shenjtë, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi i parë i dioqezës sonë të Rrëshenit, Imzot Angelo Massafra, aktualisht Ipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane të Shkodër-Pultit. Na nderoi dhe e shtoi gëzimin tonë, prania e ipeshkvijve të tjerë prej Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, e meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve të mbarë shqiptarisë, si dhe ajo e besimtarëve, duke filluar me miqtë e ardhur nga larg, për të përfunduar me banorët e dioqezës sonë, besimtarë e bashkëpunëtorë. Të gjithë së bashku falenderuam Hyjin tonë, duke shpresuar që ky përvjetor do të mund ta forcojë ndjenjën e përkatësisë ndaj Kishës në shpirtrat e besimtarëve.

Siç e dimë, sepse na është thënë disa herë prej meshtarëve tanë, Katedralja është qendra shpirtërore e dioqezës. Si fjalë ajo vjen nga latinishtja “cathedra“, nëpërmjet së cilës ne kuptojmë se në këtë kishë të veçantë, nënë e të gjitha kishave, gjendet katedra nga ku ipeshkvi mëson, udhëheq dhe shenjtëron popullin e Hyjit, që i është besuar atij si pasardhës i apostujve. Për ne ajo është shtëpia e Zotit, tempulli i Shpirtit Shenjt. Por ajo nuk është e tillë veç si strukturë arkitektonike, si vend. Katedralja, sikurse çdo kishë tjetër, përbëhet nga njerëzit, nga Jezusi, shkëmbi mbi të cilin ndërtohet gjithçka. Kurse Pjetri, është guri i parë, i zgjedhur nga Krishti, për ta ndërtuar Kishën, së cilës i duhen edhe gurë të tjerë, nevojë që mund dhe duhet ta përmbushë secili prej nesh.
Prandaj ta lejojmë veten të jemi gurët që përdor Zoti për ta ndërtuar banesën e Tij shpirtërore. Ne jemi gurët, por plani është i Tij, prandaj dhe Katedralja jonë katolike, pra e hapur për të gjithë, është vepër hyjnore. Dhe siç ka thënë Ati ynë i Shenjtë, Papa Françesku: “Është Shpirti Shenjt që e bën Kishën, që e çimenton unitetin e saj, duke pasur si bazë gurin e themelit, që është Jezusi.”

Momente festive pas Meshës

Kjo ngjarje e rëndësishme për dioqezën dhe qytetin tonë, u mbyll me disa momente festive pas Meshës së Shenjtë. Ashtu së bashku siç ishim, shijuam muzikë e valle të përgatitura prej Ansamblit Mirdita, një spektakël të bukur fishekzjarresh, por mbi të gjitha shoqërinë e çmueshme dhe të mrekullueshme të njëri-tjetrit.

Falenderojmë përzemërsisht çdonjërin prej jush, që ishte me ne në këtë kremte dhe e bëri atë të paharrueshme!
Falenderojmë shumë edhe fotografët Fatjon Doda #photo_joni e Alfred Reçi për fotot e tyre të bukura!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme