10.5 C
Tirana
HomeDioqeza Sapë30 vjetori i rihapjes së Seminarit/ Imzot Simon Kulli: Pse të mos...
HomeDioqeza Sapë30 vjetori i rihapjes së Seminarit/ Imzot Simon Kulli: Pse të mos...

30 vjetori i rihapjes së Seminarit/ Imzot Simon Kulli: Pse të mos jem edhe unë meshtar e ta zëvendësoj këtë meshtar të vuajtur nëpër burgje?!

Pas vendimit të Selisë së Shenjtë, me 2 shkurt 1992 u rihap Seminari Ndërdioqezan në Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër-Pult. Seminari u mbyll 7 mars 1947 nga qeveria komuniste. Një prej studentëve të parë që u fut në Seminar ishte edhe Dom Simon Kulli, i cili tani është edhe Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës. 30 vjet pas rihapjes së këtij Seminari, Imzot Simon Kulli rrëfen momentet sesi vendosi të futej në seminar, si ishin ditët e para në seminar dhe të gjithë rrugëtimin e tij deri sot që është edhe Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës.

Si arrite të vendosësh për të hyrë në seminar? Shkëndijat e para dhe përvoja në lidhje me besimin dhe fenë deri në marrjen e këtij vendimi.

Vij nga një familje e vogël dhe e krishterë e përbërë nga 5 persona: Babai, nëna, unë, dhe dy vëllezër më të vegjël.

Kam lindur me 14.02.1973 në fshatin Pistull të Shkodrës, nga prindërit Filip e Drande. Gjatë fëmijërisë sime kisha mësuar nga gjyshërit vetëm lutjet themelore dhe asgjë tjetër s’dija për besimin e krishterë. Por personi më i rëndësishëm që kam njohur që në fëmijëri, ka qenë motra Stigmatine, Motër Marije Kaleta, që ne e thërrisnim halla Marije, e cila i ka rezistuar çdo rryme të kohës, dhe që në fillim më ka transmetuar fenë në Krishtin.

Unë nuk e kujtoj pagëzimin tim, sepse një javë pasi kam lindur gjyshërit në fshehtësi më kanë pagëzuar te halla Marije me 20.02.1973. Ndërsa krezmimin e kam marrë pas rënies së Komunizmit, pasi u rikthye liria fetare, në vitin 1991. 

Lajmi i hapjes së kishave përmes kremtimit të meshës së parë nga dom Simon Jubani me  4 nëntor 1990 në varrezat e Rrmajit në Shkodër, ishte një gëzim i madh për të gjithë. Disa ditë më pas, pata rastin të merrja pjesë për herë të parë në meshën e Shenjte në fshatin Stajkë, ku kremtonte në gjuhën Latine meshtari dom Martin Trushi, me një pjesëmarrje të madhe të besimtarëve, të cilët ishin të etur për Fjalën e Zotit që iu kishte munguar pothuajse tre dekada.

Ajo ditë kaloi si pa kuptuar asgjë në brendësinë time, por arrita të kujtoj vetëm disa mendime të meshtarit se si duhet të jetë jeta e të krishterit, duke mbajtur urdhërimet e Zotit dhe duke dashur njëri- tjetrin. Nuk vonoi shumë, dhe pas disa ditëve u hap kisha edhe në fshatin tim Pistull, ku për meshë vinte të kremtonte dom Martin Trushi, i cili ashtu si bashkëvëllezërit e tij meshtarë, kishte përjetuar edhe ai persekutimin nga sistemi komunist, dhe kishte vuajtur shumë vite në burg, vetëm e vetëm se ishte meshtar. Edhe pse ishte në moshë të thyer, ashtu me zellin  prej meshtarit dhe dëshirën e madhe që të na ushqente me Fjalën e Zotit, vinte e kryente shërbimin baritor në vendlindjen time. Ai ishte një njeri i përvujtë dhe model i meshtarisë së Krishtit, nga ku edhe ka lindur thirrja ime: pse mos të jem unë ai që ta zëvendësojë në të ardhmen këtë meshtar që aq shumë kishte vuajtur nëpër burgje për fe e atdhe?! Nga ai moment më lindi ideja të hyja në seminar, që të jem një i ri që mund ta zëvendësoj atë meshtarë të moshuar.

Së bashku me moshatarët e mi shkonim në meshë çdo të diele. Përveç meshës së të dielave, unë merrja pjesë çdo natë në lutjen e rruzares që organizonte motër Marije Kaleta në kishën e fshatit tim, që për fat të mirë i kishte shpëtuar shembjes gjatë komunizmit dhe ishte përdorur si vatër kulture. Ndërsa vazhdoja ta sodisja thirrjen time, këshillat e para i kam kërkuar nga halla Marije (Moter Marija Kaleta) e cila më ka pagëzuar, dhe më ka dhënë fenë kur feja nuk ekzistonte, dhe e kam pyetur: “Çfarë është seminari dhe sa vite shkollë duhen për të qenë meshtarë? Dhe ajo me shumë kënaqësi më orientonte në këtë rrugëtim, ku më thoshte: vazhdo…, mos kij frikë; është edhe e vështirë por më shumë është e bukur kjo rrugë që ke nisur. Zoti është me ty gjithmonë! Mos u tremb se mbas çdo stuhie breshëri del koha me diell”.

Por një mbështetje e madhe për mua ka qenë edhe bekimi i prindërve të mi që më ka dhënë kurajo të eci përpara në rrugën që Zoti më kishte thirrur.

Një ndër shokët e mi ishte edhe dom Marjan Lumçi, i cili është meshtarë sot, famullitar i Katedrales së Shën Palit-Tiranë. Kemi filluar seminarin së bashku në të njëjtën ditë. Mendoj se seminari është një tokë ku mbillet, rritet, lulëzon dhe piqet thirrja e çdo të riu që ndjek rrugën e meshtarisë. E pas studimeve në seminar dhe formimit të duhur, së bashku me dom Marjanin dhe jemi shuguruar po në të njëjtën ditë. Dy të rinj nga i njëjti fshat i vogël në Pistull të Zadrimës, me shugurimin e tyre po shënonin një histori të re të fesë dhe besimit në atë vend. Kanë qenë ditë hiri dhe plot bekime prej Zotit ato momente shugurimesh dhe kremtimesh të meshëve të para në Pistull.  

Gjatë thirrjes kam zbuluar dhe kuptuar që Zoti më ka dhënë shumë dhurata për thirrjen time, me qëllim që t’i vë në shërbim të të tjerëve. Mendoj se dhurata më e madhe që Zoti më ka bërë është ajo e bamirësisë që të jem gjithmonë i vëmendshëm ndaj personave më në nevojë, sidomos ndaj të sëmurëve dhe të varfërve.

– Si e kujtoni seminarin në vitet e para? Cilat ishin vështirësitë?

Kam filluar seminarin me 08 shkurt 1992 në moshën 19 vjeç. Ndërtesa që ishte përshtatur për seminarin ishte Kuria Dioqezane aktuale e Shkodrës, ku ishim një numër i konsideruar  djemsh, prej 40 personash. Isha i ri dhe për herë të parë takoja shokë nga shumë fshatra të Shqipërisë, por një ndër ata shokë që ishte më i madh se unë dhe më qëndronte afër si vëlla, ishte dom Nikolin Toma, sot Vikari Gjeneral i Arqidioqezës Shkodër-Pult, të cilin e falënderoj për këtë mbështetje dhe miqësi që vazhdon akoma edhe sot mes nesh.

Rektori i parë ishte At Pietro Maione, dhe mësuesi përgjegjës Pino Di Lucio sot At Jezuit, pastaj erdhi rektor At Giordano, At Gaetano Brambillasca. Të gjithë këto ishin misionarët e parë italian, Jezuit, që kishin ardhur për të dhënë kontributin e tyre në formimin e meshtarëve të rinj. Aty, në këtë familje të re kam njohur shumë vëllezër që sot disa janë meshtarë e disa jo. Nga ana e Etërve Jezuit, jeta në seminar ishte një organizim i arritur, gjithçka me orare dhe me rregull të jashtëzakonshëm në çdo moment të ditës.

Vështirësitë kuptohet që ishin, sepse çdo gjë ishte në fillim. Ishim shumë djem dhe jetonim pa kushtet e duhura. Ambienti nuk ishte i përshtatshëm për studime dhe aktivitete të tjera. Nuk kishim të paktën një oborr ku të dilnim për të bërë ca hapa apo të kalonim pak kohë të lirë. Ambientet e ngushta jo vetëm që nuk na favorizonin të kishim dhoma personale, por përkundrazi të flinim 8 deri në 10 seminarista në një dhomë.  

Si brezni e parë kemi vuajtur shumë sepse kemi ndërruar tre ambiente të seminarit: e para në Kurien dioqezane te Shkodrës, e dyta ne një shtëpi private ku kemi bashkëjetuar me minjtë për dy vite, e treta tek shkolla e jezuitëve sot, dhe stacioni i fundit për një vit ishte seminari i ri “Zoja e Këshillit të Mirë”, që tashmë është një ambient mjaft i këndshëm dhe të ofron çdo mundësi studimi dhe bashkëjetese me të gjitha kushtet bashkëkohore.

A kanë lënë mbresa në jetën tuaj këto vite formimi?

Sigurisht që po. Vitet e kaluara në seminar kanë qenë plot 8 vite që do të mbesin të paharruara në jetën time, sepse ishte një rrugëtim i përbashkët dhe të jetosh me tjetrin nuk është e lehtë, sepse secili ka mendimin e vet, por duke jetuar në bindje ndaj eprorëve ia arrihet një jete të bukur dhe plot me bekime, sado që ecja mund të jetë e vështirë.

Periudha e formimit tim në seminar kanë lënë mbresa sepse kam pas fatin të njoh martirë të gjallë si formator, Atin shpirtëror At Gardin, Jezuit misionar Italian që ka bërë 10 vite burg në Shqipëri, At Luciano Fozer misionar Italian, dhe meshtarin shqiptar At Gjergj Vata. Ata për ne ishin shembull dhe model për t’u ndjekur, që një të nesërme të ishim si ata për një Kishë që po lindte. Nuk di nëse ia kemi arritur apo jo, por sado pak mendoj se po, edhe pse kemi akoma shumë rrugë për të bërë, sepse për të arritur modele të tilla shenjtërie kërkohet një vetëmohim rrënjësor.

Një vend i sapo dalë nga diktatura, sa e vështirë ishte jeta jote por edhe e gjithë njerëzve ku ke jetuar?

Vendi ynë ka kaluar vite të tëra pa fe, gjë e cila e vështirëson përshkrimin e kalvarit të mundimeve si komb, por mendoj se nëpërmjet atyre vuajtjeve dhe mundimeve ia kemi arritur ringjalljes. Këtë më së miri na ka treguar Jezu Krishti:  “pa kaluar nëpër vuajtje s’ka ringjallje”.

A kujtoni ndonjë episod që të ka ngelur në zemër?

Janë shumë episode gjatë 8 viteve, por kujtoj se sa herë që vinte Nunci Apostolik, Mons. Ivan Dias ishte një emocion i veçantë, sepse na tregonte se Ai përfaqësonte Papën këtu në vendin tonë dhe për ne ishte gëzim që shihnim një ipeshkëv. Ishte koha ku ne njihnim vetëm një ipeshkëv të moshuar Mons. Nikoll Troshanin. Pastaj, në vitin 1993 kemi pasur rastin të takojmë nga afër Papa Gjon Palin II dhe të merrnim pjesë në shugurimet ipeshkvnore të 4 Ipeshkvijve të parë pas komunizmit. Ishin emocione të jashtëzakonshme. Episod i veçantë ishte gjithmonë takimi me Mons. Frano Illinë, Arqipeshkëv i Shkodrës që ishte edhe Ipeshkvi im për disa vite. Ai na thoshte ne seminaristëve: “ju jeni sytë e ipeshkvit; Kisha ka nevojë për ju”. Me këto fjalë na jepte kurajo në rrugën tonë drejt meshtarisë. Po ashtu kujtoj edhe fjalët e dom Simon Jubanit, i cili thoshte: “Ju jeni martirë që në këto vite dëshironi të bëheni meshtarë, që për një njeri nuk është e lehtë në ditët e sotme t’ia kushtojë jetën e vet Zotit. E të gjitha këto detaje janë shkruar në zemrën dhe kujtesën time, e po me mua do të mbeten.

Ishit ndër të parët meshtarë që u shuguruat pas rënies së komunizmit? A ndjeheni krenar që jeni fillimi i një epoke të re në historinë e Kishës në Shqipëri?

Pas përfundimit të studimeve dhe marrjes së etapave, më 14 shtator të vitit 1999 kam marrë Shugurimin Diakonal, dhe për mua ishte moment i fortë në jetë, që t’ia kushtoja Zotit jetën përgjithmonë. Kisha emocione të jashtëzakonshme dhe ishte hera e parë pas regjimit që në Kishën tonë të vuajtur martire të ishin shugurimet e para. As njerëzit dhe as ne s’kishim marrë pjesë kurrë në një ceremoni të tillë të një hapi të rëndësishëm para meshtarisë, kështu në gjithçka ishte hera e parë.

Me 29 qershor të vitit 2000, ishin shugurimet e para meshtarake të 5 meshtarëve pas regjimit Komunist nga Mons. Angelo Massafra. Ishim tre meshtarë dioqezan, Dom Simon Kulli, Dom Nikolin Toma, Dom Marjan Gega, dhe vëllezër françeskan At Marjan Lumçi dhe At Sokol Pepushaj.

Është e vërtetë se jemi fillimi i një epoke të re, por falë Martirëve tanë, pas 46 viteve të pa fe, besoj se ishim frytet që duhej të rriteshim çdo ditë në frymën e vëllazërisë dhe të shenjtërisë. Prandaj edhe sot, kisha jonë ka nevojë që të shohë në secilin nga ne këtë shpirt bashkimi dhe vëllazërie, e të ecim në gjurmët e Martirëve të Lumë të Shqipërisë.

Mendoj se na mbetet vetëm ta falënderojmë Zotin dhe Nënën e Këshillit të Mirë që na kanë shoqëruar dhe ruajtur në këtë udhëtim, që të jemi ‘shërbëtorë’ dhe ‘jo zotërinj’ në kushtimin tonë ndaj Kishës dhe vëllezërve dhe motrave tona.

Pas përfundimit të studimeve në seminar, si ka vazhduar jeta juaj meshtarake, angazhimet që keni patur në shërbim të besimtarëve?

Pas shugurimit meshtarak, kam pasur fatin të jetoj dhe të shërbej me Administratorin Apostolik të Dioqezës së Sapës dhe më pas Ipeshkvi im, Mons.Dodë Gjergji. Për disa vite me radhë isha sekretar i Ipeshkvit ndërkohë që ndihmoja (dy vite) dom Injac Demën në famullinë  “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës.

Më pas, në 2004 jam emëruar famullitar i Katedrales “Nënë Tereza” në Vau Dejës. Në të njëjtën periudhë, kam mbuluar edhe detyra të tjera në dioqezë, si Kancelar, Drejtor i  Caritasit Dioqezan dhe ekonom i dioqezës. Të gjitha këto detyra i kreva deri në vitin 2007.

Me ardhjen e Ipeshkvit të ri në krye të Dioqezës së Sapës, Mons. Lucjan Avgustini, në vitin 2007, u riemërova përsëri me këto detyra, ndërsa në vitin 2012, jam emëruar edhe Vikar i përgjithshëm i dioqezës deri në vitin 2016. Me kalimin në amshim të mons. Lucjanit, Kleri dioqezan më votuan dhe më zgjodhën Administrator Dioqezan, ku qëndrova 1 vit në këtë shërbesë, derisa Selia e Shenjtë 15 qershor të vitit 2017 më emëroi për Ipeshkëv po të kësaj dioqeze të lashtë dhe historike të Sapës.

Jeta ime meshtarake ka vazhduar duke i kushtuar shumë kohë bashkësisë famullitare në të gjitha aspektet, me shërbimet dhe nevojat që secili kishte. Edhe pse nuk mungonin vështirësitë nga të gjitha anët, për mua ishte parësore rritja dhe edukimi i fëmijëve dhe të rinjve me Zotin, si dhe shërbimi ndaj të sëmurëve dhe të varfërve.  Në këto shina jam munduar ta organizoj jetën time meshtarake në shërbim të Kishës dhe grigjës së Hyjit që më është besuar.

Pas 17 vitesh jetë meshtarake, Zoti bëri në ty thirrjen e dytë, duke të të shuguruar Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës. Si e vlerësoni këtë thirrje dhe përgjegjësi që Kisha ua ka ngarkuar?

E falënderoj nga zemra Atin e Shenjtë, Papa Françeskun që ka begenisur një meshtarë të pa denjë, të lindur, të rritur dhe të formuar vetëm në Seminarin “Zoja e Këshillit të Mirë”,  të jetë sot Bari i një dioqeze. Dëshiroj të bashkëndaj me ju një ndjenje dhe dinamikë të brendshme të shpirtit tim, e cila më ka shoqëruar dhe më ka vënë vazhdimisht në një marrëdhënie më të thellë me Hyjin, që janë fjalët e Jeremisë profet: “Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Para se të të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i popujve. Përgjigjja: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!” Por Zoti m’u përgjigj: Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’ Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj. Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur, ‑ është fjala e Zotit (Jer 1, 4-8).

E them dhe citoj këtë pjesë, për të shprehur konkretisht padenjësinë dhe pamjaftueshmërinë e njerëzisë sime për t’ia kryer Zotit shërbesat që m’i ka besuar dhe dhuruar pa farë merite, por kjo fjalë e Jeremisë profet, është një forcë e ngushëllim i madh i Zotit për mua, sepse këtu kuptoj se zgjedhja dhe përzgjedhja e Zotit është vetëm dhuratë dhe kurrsesi meritë. Falë kësaj fjale, Zoti më nxit çdo ditë të gërmoj në Zemrën e tij për të nxjerrë hir për vete dhe për ata që Zoti dhe Trupi i Tij Kisha m’i ka besuar që në këtë shtegtim tokësor t’i ndihmoj për një bashkim të vërtetë me Hyjin e tyre.

Me 14 shtator të vitit 2017 ishte shugurimi Ipeshkvor në Katedralen e Shenjtëreshës Shqiptare Nënë Tereza në Vau Dejës, dhe në personin tim kam përjetuar emocione të forta, sepse të jesh Bari ke përgjegjësi të mëdha për ta mbrojtur grigjën e Zotit dhe për ta drejtuar ashtu siç Zoti don. Është përgjegjësi e madhe të jesh zot shtëpie, por gjithmonë me Zotin, me Meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, bashkëpunëtorët dhe laikët në dioqezë është e mundur gjithçka. Është zgjedhja e Hyjit: “Nuk jeni ju që më keni zgjedhur mua, por unë ju zgjodha ju”.

Kanë kaluar 30 vite që kur u hapen dyert e seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, si e shikoni seminarin sot, duke qenë se jeni Ipeshkëv i ngarkuar për situatën ekonomike të këtij institucioni kaq të rëndësishëm?

Po, e vërtetë se kanë kaluar 30 vite nga hapja e seminarit dhe e falënderoj Zotin se ka qenë dhe do të jetë djepi i formimit të meshtarëve për Kishën tonë martire, por gjithçka varet nga ne që të jemi shembull dhe model për ata që duan të ndjekin rrugën e Zotit.

Nga zemra që më dhemb për situatën e thirrjeve sot. Mendoj se ne meshtarët dhe motrat duhet që më shumë se kurrë të hapim së pari zemrat tona dhe ato klauzurat tona të kurieve, famullive dhe kuvendeve, që të rinjtë e të rejat të përjetojnë kuptimin e një ecjeje të dukshme dhe të prekshme duke jetuar me realitetin, që të mos jetë thirrja një diçka që nuk e njoh, si të ishte e fshehur vetëm për atë që është meshtarë ose motër. Kisha dhe ambientet tona duhet të jenë të hapura për të gjithë, sepse ato nuk janë pronë e jona private që na e kanë lënë trashëgimi baballarët dhe gjyshërit tanë, por është e Zotit gjithçka që ne jemi dhe kemi në përdorim. Kështu që të gjithë ata që duan, le ta shohin dhe le të marrin pjesë si në një familje, duke kundruar bukurinë e Hyjit që nga ambienti ku jeton dhe shërben meshtari apo motra.

Si Ipeshkëv i ngarkuar për situatën ekonomike të Seminarit jam munduar dhe mundohem të jap maksimumin që seminaristëve mos t’ju mungojë asgjë e domosdoshme në këto vite studimi. Falënderoj Rektorin e tanishëm Dom Leonardo Falcon, për misionin dhe bashkëpunimin që kemi deri më tani, me qëllim kushtet e duhura jetësore dhe të kushtimit për meshtarët e ardhshëm të kishës sonë.

Cili është mesazhi i juaj për thirrjet në ditët e sotme?

Krishti dhe Kisha janë në kërkim të personave që duan të bëjnë një takim personal me Shëlbuesin, pasi vetëm kjo përvojë i bën ata shpallës të Lajmit të Mirë dhe shërbëtorë që shërbejnë, por jo që kërkojnë të jenë të shërbyer. Ne si Kishë në Shqipëri duhet të vihemi në lëvizje në kërkim të mënyrave të reja të shpalljes dhe ungjillëzimit, në përkim me kohën dhe shekullin që jetojmë, duke ruajtur me maturi dhe dallim të shpirtit rrezikun e kalimit në shekullarizim. T’iu japim të rinjve atë që jemi dhe kemi ne vete si të kushtuar, një jetë me Zotin. Të rinjtë nuk kanë nevojë për modelet dhe stilet e botës, pasi ato ua ofron bota vetë, por për një jetë ungjillore që ua ngin boshllëkun dhe ua mbush zbrazëtirat e ekzistencës me përgjigje që vijnë prej një shpalljeje koherente dhe autentike të atyre që e mbarështojnë Fjalën e Zotit. Mendoj dhe është e mirë që çdo dioqezë në vendin tonë të organizojë një ditë në muaj adhurim, adhurim zinxhir 24 orë, rruzare të Zojës para çdo kremtimi eukaristik apo edhe shtegtime dioqezane me qëllim që Zoti t’i zgjojë ato thirrje të paracaktuara prej amshimit, për shërbimin e shpirtrave në ditët tona, në Kishën tonë.

E tani në përfundim dua ta mbyll me një thënie të Shën Gjon Maria Vianei, që thotë: “Po të mos ishte sakramenti i Urdhërit të Shenjtë, nuk do ta kishim Hyjin tonë“.

Intervistoi: Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme