Nga Imzot Angelo Massafra
Mesazhi i Papa Françeskut për kremtimin e Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, që do të mbahet më 1 shtator 2022, u publikua më 16 korrik, një moment i veçantë që pa vendet e ndryshme të botës të prekura nga zjarret, të cilat kanë shkatërruar një pjesë të madhe të sipërfaqeve të gjelbra të planetit.
Në veçanti, Evropa jonë është përballur me një katastrofë të vërtetë mjedisore, e cila në 97% të rasteve i atribuohet dorës së njeriut. Në 27 vendet e Bashkimit Evropian, sipas një vlerësimi të fundit, zjarret kanë shkatërruar tashmë një total prej 517.881 hektarësh që nga fillimi i vitit, krahasuar me 470,359 hektarësh një vit më parë.
Gjithashtu, është shqetësues fakti që studiuesit që tani kanë filluar të hipotezojnë kalimin nga epoka jonë (antropocene) në tjetrën, të cilës i kanë dhënë tashmë emrin “pirocene”, efektet e të cilës janë të dukshme, nëse kemi parasysh se emetimet e CO2 kanë arritur nivele që planeti nuk i ka njohur që prej më shumë se 3 milionë vjetësh.
Gjithë kësaj duhet t’i shtohet dëmi i madh, dhe ndoshta ende i pallogaritshëm, që i është shkaktuar mjedisit nga konfliktet e vazhdueshme të luftës në Ukrainë, ashtu si edhe në zona të tjera të planetit. Në vitet 1960 u krijua termi “ekocid”, pikërisht pas fushatës ushtarake në Vietnam; dhe që atëherë vëmendja ndaj efekteve të luftërave në mjedis është rritur. Nuk duhet të harrojmë ndotjen e rëndë të ajrit shkaktuar nga zjarri i fabrikave të naftës në Kuvajt gjatë Luftës së Gjirit (1990-1991) dhe ndotjen e tokës dhe të rrugëve ujore nga luftërat në Jemen e Siri. Ekspertët ukrainas aktualisht vlerësojnë se efektet afatgjata të këtij konflikti mund të çojnë në kancer, sëmundje të frymëmarrjes dhe vonesa në zhvillim tek fëmijët.
Por, nëse dora e njeriut është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje, kjo gjithashtu premton mirë pasi po kjo dorë mund t’i vendosë një kufi gjithë kësaj. Dhe pikërisht këtu Mesazhi i Atit të Shenjtë merr një rëndësi të madhe: jo një nxitje e devotshme, por një sfidë e vërtetë që u drejtohet të fuqishmëve të tokës dhe udhëheqësve të çdo kombi (të pasur apo të varfër), secili për pjesën e tyre; si edhe apeli për qëndrime kthimi, që të jenë konkrete nga ana e të gjithë të krishterëve, në mënyrë që të jemi ajo dorë e aftë për t’i dhënë fund një shkatërrimi të shpallur.
Kështu Dita e ardhshme Botërore e Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, si dhe e gjithë koha e Krijimit që do të zgjasë nga 1 shtatori deri më 4 tetor, të jetë një kohë lutjeje, por edhe një kohë e kthimit serioz të qëndrimeve dhe të zakoneve tona.
Ne, Ipeshkvijtë evropianë, i bashkohemi thirrjes së Papa Françeskut, duke i ftuar të gjithë të krishterët që të bëhen zëdhënës të këtyre kërkesave të planetit, zëri i të cilëve zbulon “një lloj mospërkimi në zërin e krijimit. Nga njëra anë, është një këngë e ëmbël që lavdëron Krijuesin tonë të dashur; nga ana tjetër, është një klithmë e hidhur që ankohet për keqtrajtimin që po i bëjmë ne njerëzit”.
Zoti e dëgjoftë këtë britmë dhe i dhuroftë njerëzimit një zemër të re, të aftë për dhembshuri me krejt krijimin, në mënyrë që të bëjë gjeste konkrete që u mundësojnë të gjitha krijesave të kthehen për të lavdëruar Krijuesin dhe që ne të bashkohemi në “«korin madhështor kozmik» të krijesave të panumërta që i thurin lavde Hyjit”.