26.5 C
Tirana
HomeEditorialZbulova thirrjen time misionare: Unë jam një “Memores Domini”! (Ai që iu...
HomeEditorialZbulova thirrjen time misionare: Unë jam një “Memores Domini”! (Ai që iu...

Zbulova thirrjen time misionare: Unë jam një “Memores Domini”! (Ai që iu kujton të tjerëve se Zoti ekziston)

Nga Don Gianfranco Cadenelli

Pas gati njëzet vitesh mision, e gjeta veten duke ecur disi në gjurmët e të Lumit Charles de Foucauld: kuptova se qëllimi kryesor i të qenit tim këtu në Shqipëri, në këtë pjesë të Ballkanit, është të jem dëshmitar i pranisë së Zotit. Thirrja ime është “prania ime këtu”.

Çdo gjë tjetër që bëj, duhet ta bëj, kësisoj nuk ka rëndësi. “Jeni shërbëtorë të pavlefshëm. Bëtë vetëm atë që patët detyrë të bënit.”,- thotë Jezusi, sepse shpëtimi i shpirtrave është vepër e Tij.

Kur u nisa për në Shqipëri si prift “fidei donum”, kisha entuziazmin dhe pretendimin zelltar për të shpallur Ungjillin, për të afruar sa më shumë njerëz që ta njihnin dhe jetonin atë, për ta rindërtuar bashkësinë e krishterë që ishte shkatërruar nga “tërbimi ateist” i regjimit komunist, për të rindërtuar kisha dhe mjedise ku të takoheshim si besimtarë. Mandej ndieva dëshirën për ta dëshmuar Jezusin me vepra bamirësie në përkrahje të të varfërve, sëmurëve, fëmijëve, djelmoshave e të rinjve, të cilët i shihja duke u rritur pa u ushqyer me vlerat shpirtërore.

Këto janë të gjitha gjëra që jam përpjekur t’i bëj gjithmonë së toku me bashkëpunëtorët e mi dhe me kontributin e shumë bamirësve. Por, pas kaq vitesh, po kuptoj se ky nuk është “mandati kryesor” që më ka besuar Zoti. Këtë ma vërteton një lutje e bukur që e them çdo ditë: “Ti, o Zot, je i Gjalli që përmbys dhe trazon planet e mbrojtjet tona. Na ndihmo mos të të kryqëzojmë në kryqin e pritjeve tona, por të kryqëzojmë pritjet tona në kryqin tënd!”.

Nuk dua të them se gjithçka që jam përpjekur të bëj deri tani ka qenë e kotë…, por kam zbuluar se Zoti më ka besuar “diçka më shumë” dhe që pa e kuptuar, ajo ka qenë prej vitesh lëvizja e tij fituese.

Në fakt, duke marrë parasysh “aq shumë punë” të bëra dhe “rezultatet që shihen”, herë pas here tundohem të ndihem i zhgënjyer, të mendoj se kam prodhuar pak, se kam mbjellë më kot. Por në këto ditë, thjesht duke parë rreth meje, e kam kuptuar mirë se si po më “përdor” Zoti dhe se nuk ka fort rëndësi se çfarë mund të bëj unë. Kam kuptuar se vlen më shumë ajo që Ai po bën në zemrat e njerëzve, nëpërmjet pranisë sime të thjeshtë në këtë vend, prej të cilit duket sikur Zoti ka hequr dorë.

Me pak vonesë, por arrita ta kuptoj… unë jam një “Memores Domini”! Por kjo s’ka asnjë lidhje me shoqatën “Comunione e Liberazione” (Bashkim dhe Lirim), të cilën e vlerësoj. Unë jam thjesht dikush që kujton se Zoti Jezus ekziston.

Këtë zbulim e kam bërë duke ecur nëpër rrugët e fshatrave apo në qytetin e Burrelit ku shumë njerëz, kryesisht myslimanë, më shohin dhe thonë: “Ja prifti.”, më përshëndesin me dëshirë dhe pëshpërisin midis tyre: “Ai është një njeri i Hyjit.”. Kur udhëtoj me makinë nëpër rrugët e fshatrave, shumë më shikojnë dhe ngrenë dorën për të më përshëndetur, gjithherë me buzëqeshje, si myslimanë, ashtu edhe katolikë. Megjithatë, në kishë, për meshë, vijnë vetëm pak veta.

Ka edhe nga ata që të ndikuar nga propaganda persekutuese e regjimit të kaluar, nuk më përshëndesin fare dhe herë-herë më kthejnë shpinën. Por unë e di mirë që jam një “shenjë” edhe për ta: iu kujtoj se Zoti “e tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit.”. (Lk 1,51-52)

Kur rrallëherë më ndalon policia rrugore, me të parë qaforen time dhe kryqin që mbaj me vete, ma bëjnë me shenjë që të vazhdoj. “Vazhdo at’. Rrugë të mbarë! Zoti të shoqëroftë!” Në njëzet vjet kam marrë vetëm një gjobë të vogël nga njëri syresh, i cili donte të binte në sy.

Një burrë i mirë mysliman nga Bazi, të cilit i kisha gjetur një karrocë për babanë e tij të sëmurë, më tha para pak ditësh: “Është bukur ta kesh kishën dhe priftin këtu në fshat…, na kujton se Zoti është, na jep një shenjë shprese.”. Shumë të tjerë mendojnë dhe thonë të njëjtën gjë si ai.

E atëherë, kur unë shkoj të lutem çdo mbrëmje, e ndez dritën në kishë që ata ta shohin, qoftë edhe nga larg, se është dikush që gjendet në “shtëpinë e Zotit”; të dielën i bie kambanës në mënyrë që të gjithë të dëgjojnë se po mblidhemi për t’u lutur; në çdo festë të rëndësishme e ndriçoj pjesën e përparme të kishës sa më s’ka, për t’u kuptuar se po gëzojmë dhe në këtë mënyrë, iu kujtoj të gjithëve se Zoti ekziston, se është aty, pranë tyre.

Fatkeqësisht, kohët e fundit nuk mund të organizoj shumë takime formimi dhe katekezash, por e kuptoj që edhe vetëm këto shenja skamnore të pranisë sime, nëpërmjet “dorës së Zotit” hyjnë në zemrat e njerëzve dhe kujtojnë praninë e Tij.

Kështu, në këto ditë disi gri të nëntorit, mendova se Jezusi kishte absolutisht të drejtë kur na mësoi të themi: “Jemi shërbëtorë të pavlefshëm.”. Kjo më ndihmoi ta kuptoj edhe më shumë se vetëm Ai shpëton. Ne bëjmë gjithmonë dhe vetëm “atë që duhet të bënim.”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme