10.5 C
Tirana
HomeKryesorWalter Kasper: “Kisha po përjeton një krizë epokale”
HomeKryesorWalter Kasper: “Kisha po përjeton një krizë epokale”

Walter Kasper: “Kisha po përjeton një krizë epokale”

Kardinali Walter Kasper ka mbushur 90 vjeç më 5 mars. Edhe pse zyrtarisht është në pension, ai mbetet një nga kardinalët gjermanë më me ndikim në Vatikan. Në këtë intervistë ai bën një bilanc dhe ofron një vështrim të së ardhmes së Kishës. Intervista është redaktuar nga agjencia KNA më 5 mars.

  – Z. Kardinal, kur i kujtoni 90 vitet e jetës suaj, çfarë ju prek veçanërisht?

Veçanërisht mirënjohja. Për faktin se jam ende relativisht në shëndet, që mund të bëj gjithçka vetë dhe kjo nuk është diçka e mirëqenë në këtë moshë. Dhe për gjithçka që më është mundësuar të jetoj në këto vite.

  – Pjesë e këtyre përvojave është edhe koha e Koncilit II të Vatikanit, 60 vjet më parë. Çfarë kujtoni?

Ishte koha e nisjes! Ishte një surprizë totale kur mësuam nga lajmet se Gjoni XXIII kishte thirrur një Koncil ekumenik. Në atë kohë vijoja studimet në Universitetin e Tübingenit, ku ndoqa doktoraturën dhe më pas habilitimin.

Koncili ngjalli një entuziazëm të madh dhe ishte një moment i madh edhe për mua. Ai ka ndryshuar kaq shumë gjëra. Ata që thonë se Kisha nuk mund të reformohet, duhet ta kenë parasysh këtë ndryshim të thellë! E kam jetuar. Atëherë dikush ishte i lumtur që ishte katolik. Dyert ishin hapur. Papritur, teologët katolikë dhe protestantë mundën të takoheshin dhe të diskutonin mes tyre, diçka që nuk kishte ndodhur më parë.

Ne e kultivuam shumë mirë këtë shkëmbim në Tübingen; një herë në muaj takoheshim, unë, Küng, Moltmann, Jüngel, fillimisht për darkë dhe më pas, pasi hanim, pinim ndonjë gotë verë dhe flisnim me pasion deri pas mesnate. Ishte një moment i mrekullueshëm.

  – Megjithatë, kjo nuk ju pengoi që, më pas, të prononcoheshit për përjashtimin e Küng nga fakulteti i teologjisë.

Ato ishin javët më të vështira të karrierës sime akademike. Unë kisha një marrëdhënie kolegu me të dhe kisha mësuar shumë prej tij. Por nuk u pajtova me të për disa pika kyçe. Para heqjes së licencës së mësimdhënies, fakulteti ishte i ndarë, disa ishin kundër dhe protestonin, të tjerë ishin të mendimit se masa ishte e drejtë për sa i përket përmbajtjeve. Unë isha një prej tyre. Por ishin të tjerë ata që vendosën.

Ajo që nuk më pëlqeu ishte mënyra se si Küng reagoi dhe debatoi publikisht. Ai u tregua një zviceran kokëfortë.

  – Duke u rikthyer te Koncili, 60 vjet më vonë, duket se, çështje që sot janë të rëndësishme, nuk u trajtuan në atë kohë.

Janë trajtuar çështje shumë të rëndësishme, por padyshim jo të gjitha. Për shembull, Koncili e vendosi mbi themele të reja teologjike ndërveprimin midis ipeshkvijve dhe papës, por edhe midis laikëve dhe klerikëve. Por nuk u bë e qartë se si duhet të funksionojë saktësisht kjo.

Dhe kjo është ajo që Papa Françesku dëshiron të sqarojë tani me sinodin mbi sinodalitetin. Nga ana tjetër, forma sinodale i referohet traditës, sepse sinodet kanë qenë pjesë e jetës së Kishës që në fillim. Pas mesjetës ishte zbehur pak, por tani po ringjallet në mënyra të reja. Nuk duhet harruar se laikët, veçanërisht ata që kanë pushtet, kanë pasur, në të kaluarën, një ndikim të madh edhe mbi sinodet.

  – Cilat tema të reja janë shtuar? Çështja e gruas, problemi i identitetit dhe orientimit seksual?

Koncili tha diçka mbi çështjen e grave, veçanërisht për sa i përket pozitës së tyre në shoqëri. Por çështja e grave brenda Kishës ka mbetur shumë në hije dhe tani po rishfaqet. E njëjta gjë vlen edhe për temat e tjera. Marrëdhëniet homoseksuale ishin tabu atëherë. E gjithë kjo u shfaq pas vitit 1968, pra pas Koncilit.

  – Njëri, që më vonë u mor me këto tema, ishte studenti juaj, teologu moral Eberhard Schockenhoff, i cili vdiq në vitin 2020. Për rrugëtimin sinodal në Gjermani ai ishte pionier në këto tema. Si ishte marrëdhënia juaj me të?

Ishim miq. Sa herë që vinte në Romë, kishte një shkëmbim të gjallë idesh. Jo gjithmonë kemi rënë dakord për gjithçka. Por lidhja vazhdoi dhe u bë shumë solide. Kam lexuar shumë nga libri i tij pas vdekjes mbi etikën seksuale. Aty ka tashmë një rimendim të qartë, por studenti im nuk ka shkuar aq larg sa po shkon tani Rrugëtimi Sinodal. Bëhej fjalë për hapje, por gjithmonë të bazuara në Bibël dhe në Traditë. Është ajo që mungon tani, mbi të gjitha për t’i dhënë një themel të mirë teologjik Rrugës Sinodalale.

  – Jemi në Rrugëtimin Sinodal. Çfarë mendoni ju? Ku po na çon?

Kam frikë se aktualisht po ushqehen iluzione. Unë mendoj se është pothuajse e pamundur që zgjidhjet e Rrugëtimit Sinodal të mund të zbatohen në Kishën universale. Sigurisht që ka njerëz në vende të tjera që e mendojnë të njëjtën gjë. Por ata janë larg formimit të shumicës. Kjo vlen për urdhërimin e grave, për shembull. Ose për idenë e bashkëdrejtimit demokratik në udhëheqjen e Kishës. Kisha nuk është një demokraci! Pjesa më e madhe e kësaj teme në veçanti nuk është menduar teologjikisht ose në terma të Traditës. Kisha nuk mund të risajohet.

  – Ipeshkvij dhe kardinalë të tjerë tani po paralajmërojnë për një zkizëm. Edhe ju i frikësoheni kësaj?

Rrugëtimi Sinodal thekson vazhdimisht se nuk dëshiron asnjë skizëm, dhe unë e besoj këtë. Por edhe mund të biem në një skizëm. Disi, ashtu si fuqitë e mëdha që ranë në Luftën e Parë Botërore, edhe pse askush nuk e donte vërtet. Ky fakt duhet të merret parasysh me kujdes. Edhe në Gjermani, pyetjet që vijnë nga Konferencat e tjera ipeshkvore duhet të merren seriozisht dhe nuk duhet të merret për e mirëqenë se tashmë e dinë të vërtetën. Ky qëndrim i bën gjermanët jopopullorë jashtë vendit. Nëse takoj kardinalë këtu në Romë, ata tundin kokën kur përmenden gjermanët. Atëherë unë përpiqem t’u shpjegoj atyre disa gjëra.

  – Një javë pas ditëlindjes suaj të 90-të, është dhjetëvjetori i zgjedhjes së Papa Françeskut. Supozoj se ju mbanit anën e tij në atë moment. Jeni penduar ndonjëherë?

Unë jam në anën e Papa Françeskut. Kjo nuk do të thotë se çdo fjalë që ai thotë e çmoj të drejtë apo çdo vepër që ai bën e çmoj të drejtë. Por, si të zgjidhet një papë, në lidhje me të vlen parimi i besnikërisë, veçanërisht në Kurie, përndryshe nuk funksionon. Tani nuk e shoh aq shpesh si dikur, por, kur më telefonon, i jap këshilla nëse m’i kërkon.

Françesku është nën presion nga dy anë: janë konservatorët, të cilët e kanë refuzuar stilin e tij që në fillim, dhe tani ka kritika edhe nga Perëndimi, për shembull në Gjermani, ku po bëjnë presion për reforma. Ai është një njeri që vjen nga Jugu, ka probleme krejtësisht të ndryshme që janë të rëndësishme për të, kjo duhet të jetë e qartë. Ajo që ai ka vënë në lëvizje do të kërkojë një tjetër pontifikat, ose dy, përpara se të zbatohet plotësisht. Shpresoj që pas tij të vijë dikush që do t’i zbatojë këto impulse sipas ndjeshmërisë së tij.

  – Disa reformatorë besojnë se ndryshimi është përgjigja më e mirë ndaj krizës epokale të Kishës së kësaj kohe. Cili është mendimi juaj?

Kisha po përjeton një krizë shumë të thellë. Të mos e shohësh do të ishte çmenduri. Dhe shkaku nuk është vetëm skandali i abuzimeve. Kriza është shumë më e gjerë dhe më e thellë. Ka të bëjë me mbarë botën perëndimore. Kisha gjendet në një përmbysje epokale. Nuk mund të vazhdohet si më parë, kjo as që diskutohet.

Mirëpo, se si do të jetë në detaje e ardhmja e Kishës, askush nga ne nuk e di. Di vetëm që, po të mos e kisha jetuar aventurën e Koncilit, vështirë se do ta kisha duruar këtë krizë. Por unë besoj se dhënia e përgjigjeve tani është detyrë e një brezi të ri në Kishë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme