24.5 C
Tirana
HomeKryesorVITI KUSHTUAR SIMFONISË SË MADHE SË LUTJES
HomeKryesorVITI KUSHTUAR SIMFONISË SË MADHE SË LUTJES

VITI KUSHTUAR SIMFONISË SË MADHE SË LUTJES

VITI I LUTJES 2024 - 1

Në të Dielën e Fjalës së Hyjit, më 21 janar 2024, Papa Françesku hapi zyrtarisht Vitin e Lutjes, si përgatitje për Jubileun 2025. Në të vërtetë, ka qenë vetë Papa Françesku që, me anë të një letre (11 shkurt 2022) drejtuar Imzot Rino Fisichella-s, President i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, ia ka parashtruar këtij të fundit sugjerimin me fjalët: «Që tani lumturohem kur mendoj se viti që i paraprin ngjarjes jubilare, 2024, do të mund t’i kushtohet një “Simfonie” të madhe të lutjes. Para së gjithash për të rigjetur dëshirën për të qëndruar në praninë e Zotit, për ta dëgjuar dhe adhuruar atë. Lutje, për më tepër, për të falënderuar Hyjin për dhuratat e shumta të dashurisë së tij ndaj nesh dhe për të lavdëruar veprën e krijimit, e cila na angazhon të gjithëve në respekt dhe veprim konkret e të përgjegjshëm për mbrojtjen e tij. Lutje si zë “i një zemre dhe një shpirti të vetëm” (krh. Vap 4,32), që përkthehet në solidaritet dhe bashkëndarje të bukës së përditshme. Lutje që ia mundëson çdo burri e gruaje në këtë botë t’i drejtohet Hyjit të vetëm, për t’i shprehur Atij çka prehet në sekretin e zemrës. Lutje si rruga kryesore drejt shenjtërisë, e cila çon në përjetimin e soditjes edhe në mes të veprimit. Me pak fjalë, një vit intensiv lutjeje, në të cilin zemrat hapen për të marrë bollëkun e hirit, duke e bërë “Ati ynë”-ën, lutjen që na e ka mësuar Jezusi, programin e jetës së secilit prej dishepujve të tij» (Konferencë për shtyp për paraqitjen e Vitit të Lutjes në përgatitje për Jubileun 2025, 23.01.2024).

Duke marrë shkas nga ky Vit, me anë të disa artikujve, do të paraqesim aspektet kryesore të lutjes, të shkëputura nga Katekizmi i Kishës Katolike, për ta njohur dhe jetuar më mirë këtë dhuratë të Hyjit. Lexim të këndshëm…

ÇFARË ËSHTË LUTJA?

«Për mua lutja është një hov i zemrës, një shikim i thjeshtë lëshuar drejt qiellit, një britmë mirënjohjeje dhe dashurie si në provë, ashtu edhe në gëzim»[1].

Lutja si dhuratë e Hyjit

2559 «Lutja është lartësimi i shpirtit te Hyji ose kërkesa drejtuar Hyjit për të mirat e përshtatshme»[2] . Nga ku nisemi ne duke u lutur? Nga lartësia e krenarisë sonë dhe e vullnetit tonë apo «nga thellësia» (Ps 130,1) e një zemre të përvuajtur dhe fort të penduar? Ngrihet lart ai që përulet[3]. Përvujtëria është themeli i lutjes. «Ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet» (Rom 8,26). Përvujtëria është qëndrimi i nevojshëm për të marrë falas dhuratën e lutjes: njeriu është një lypës i Hyjit[4].

2560 «Po ta dije ti çka të dhuron Hyji» (Gjn 4,10). Mrekullia e lutjes shfaqet pikërisht atje, pranë puseve ku shkohet për të kërkuar ujin tonë: atje Krishti vjen për të takuar çdo qenie njerëzore; ai na kërkon i pari dhe është ai që na lyp ujë për të pirë. Jezusi ka etje; kërkesa e tij ngjitet nga thellësitë e Hyjit që na dëshiron. E dimë apo jo, lutja është takimi i etjes së Hyjit me etjen tonë. Hyji ka etje që ne të kemi etje për të[5].

2561 «Ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!» (Gjn 4,10). Lutja jonë e kërkesës është paradoksalisht një përgjigje: përgjigje ndaj ankimit të Hyjit të gjallë: «Populli im më la mua, burimin e ujit të gjallë, që të hapë për vete puse, puse të shporuara» (Jer 2,13), përgjigje feje ndaj premtimit falas të shpëtimit[6] dhe përgjigje dashurie ndaj etjes së Birit të njëlindur[7].

Lutja si besëlidhje

2562 Nga vjen lutja e njeriut? Cilado qoftë gjuha e lutjes (gjeste ose fjalë), është tërë njeriu që lutet. Por, për të treguar vendin se nga buron lutja, Shkrimi Shenjt flet nganjëherë për frymën ose shpirtin, më shpesh për zemrën (më shumë se një mijë herë). Duke qenë se është zemra ajo që lutet, në qoftë se ajo është larg Zotit, shprehja e lutjes është e kotë.

2563 Zemra është selia ku rri dhe banoj (sipas shprehjes semitike ose biblike «ku zbres»). Është qendra jonë e fshehtë, e paarritshme nga arsyeja jonë dhe nga të tjerët. Vetëm Shpirti i Hyjit mund ta shqyrtojë dhe ta njohë. Është vendi ku merren vendimet, që ndodhet në thellësinë më të madhe të aftësive tona psikike. Është vendi i së vërtetës, atje ku zgjedhim jetën ose vdekjen. Është vendi i takimit, sepse, në shëmbëllim të Hyjit, ne jetojmë në marrëdhënie; është vendi i Besëlidhjes.

2564 Lutja e krishterë është një marrëdhënie e besëlidhjes midis Hyjit dhe njeriut në Krishtin. Ajo është veprim i Hyjit dhe i njeriut; buron nga Shpirti Shenjt dhe nga ne, krejtësisht e drejtuar nga Ati, në bashkim me vullnetin njerëzor të Birit të Hyjit të bërë njeri.

Lutja si bashkim

2565 Në Besëlidhjen e Re lutja është marrëdhënia e gjallë e bijve të Hyjit me Atin e tyre pambarimisht të mirë, me Birin e tij, Jezu Krishtin, dhe me Shpirtin Shenjt. Hiri i Mbretërisë është «bashkimi i Trinisë së Shenjtë si e tërë me shpirtin si i tërë»[8]. Ndaj jeta e lutjes ka të bëjë me të qenët rregullisht në prani të Zotit tri herë të Shenjtë dhe në bashkim me të. Ky bashkim jete është gjithmonë i mundshëm, sepse, me anë të Pagëzimit, jemi bërë një qenie e njëjtë me Krishtin[9]. Lutja është e krishterë për sa kohë që është bashkim me Krishtin dhe hapet në Kishën që është trupi i tij. Përmasat e saj janë ato të dashurisë së Krishtit[10].


[1] Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, Manoscritto C, 25r: Manoscritti autobiografici: Opere complete (Libreria Editrice Vaticana, 1997) f. 263.

[2] Shën Gjoni nga Damasku, Expositio fidei, 68 [De fide orthodoxa, 3, 24]: PTS 12, 167 (PG 94, 1089).

[3] Krh. Lk 18,9-14.

[4] Krh. Shën Augustini, Sermo 56, 6, 9: bot. P. Verbraken: Revue Bénédictine 68 (1958) 31 (PL 38, 381).Krh. Shën Gregori nga Nazianza, Oratio 40, 25: SC 358, 261 (PG 36, 398); Shën Augustini, De diversis quaestionibus octoginta tribus, 64, 4: CCL 44A, 140 (PL 40, 56).

[5] Krh. Shën Gregori nga Nazianza, Oratio 40, 25: SC 358, 261 (PG 36, 398); Shën Augustini, De diversis quaestionibus octoginta tribus, 64, 4: CCL 44A, 140 (PL 40, 56).

[6] Krh. Gjn 7,37-39; Is 12,3; 51,1.

[7] Krh. Gjn 19,28; Zak 12,10; 13,1.

[8] Shën Gregori nga Nazianza, Oratio 16, 9: PG 35, 954.

[9] Krh. Rom 6,5.

[10] Krh. Ef 3,18-21.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme