“Disa luftëra rajonale dhe veçanërisht lufta që vijon në Ukrainë tregojnë se kush qeveris fatet e popujve nuk e ka kuptuar ende mësimin e tragjedive të shekullit XX”. Ky, reflektimi i sotëm i Papës Françesku, në audiencë me sipërmarrësit anëtarë të “Anima per il sociale nei valori d’impresa” (Shpirti për shoqëroren në vlerat e ndërmarrjeve), shoqatë e themeluar 20 vite më parë me qëllim promovimin etik dhe shoqëror, në kuadrin e Bashkimit të Industrialistëve dhe të ndërmarrjeve në provincat italiane të Lacios.
Në shërbim të jetës e të gjithësisë
Papa i ftoi për një politikë dhe një ekonomi “në shërbim të jetës, të jetës njerëzore dhe të jetës së gjithësisë krijuar nga Zoti, të shtëpisë sonë të përbashkët” dhe “jo në shërbim të mohimit të jetës apo të vdekjes, siç ndodh nganjëherë, për fat të keq”. Realiteti i sotëm tregon sa larg është objektivi i dialogut të vazhdueshëm ndërmjet politikës dhe ekonomisë, për të mirën e përbashkët: “Kriza e madhe financiare e viteve 2007-2008 duhet të na kishte shtyrë në këtë drejtim. Po, pati një reagim pozitiv, por më duket se në thelb bota ka vazhduar dhe vazhdon të qeveriset me kritere të vjetruara”, vërejti Françesku. “Për të mos folur për fushën gjeopolitiko-ushtarake”, shtoi ai.
“Disa luftëra rajonale dhe veçanërisht lufta, që vijon në Ukrainë, tregojnë se kush qeveris fatet e popujve nuk e ka kuptuar ende mësimin e tragjedive të shekullit XX”.
Ekonomi krijuese dhe e lirë nga pushteti i financës
“Ju, që përfaqësoni kryesisht realitetin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e dini sa i vështirë është në këtë kontekst, zhvillimi, si edhe krijimi i vendeve të punës, duke respektuar vlerat etike dhe përgjegjësinë shoqërore”, theksoi Papa. Françesku u bëri thirrje sipërmarrësve të mos “shkurajohen” e të mos “dorëzohen”: “Ndokush mendon se kriteret etike dhe shoqërore janë si “kafaz”, që burgosin lirinë dhe krijimtarinë ekonomike. Në të vërtetë, është krejt e kundërta, ose të paktën ashtu mund të jetë. Në fakt, nëse duam që bota e ardhshme të jetë e banueshme dhe e denjë për njeriun, ekonomia duhet të jetë më e lirë nga pushteti i financave dhe më krijuese në kërkimin e formave të prodhimit të orientuara drejt një ekologjie të gjithanshme”.
“Ekonomia të jetë konkrete, as e lëngshme e as e gaztë, siç ka rrezik të jenë financat. Globalizimi duhet të ‘qeveriset’, në mënyrë që globalja të mos e dëmtojë lokalen, por të dyja përmasat të jenë në lidhje të virtytshme dhe të frytshme”.
Veprim nga poshtë
Ç’mund të bëjnë sipërmarrësit e vegjël, para “Golisë gjigant” të pushtetit financiar dhe teknokratik, pyeti Papa. Pa rënë në pesimizëm, nënvizoi ai, “ndërtimi i një ekonomie të re, që respekton dinjitetin njerëzor dhe ambientin, mund dhe duhet të fillojë nga poshtë”. Madje, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ka filluar tashmë, siç dëshmojnë ndërmarrjet e shumta të të ashtuquajturit “biznes etik”, në gjithë botën.
T’i rezistojmë tundimit të aktivizmit
Së fundi, duke reflektuar mbi “shpirtin”, fjalë “tejet impenjative” në emrin e shoqatës, Papa u dha të pranishmëve një këshillë “prej ipeshkvi”: “Nëse doni të jeni ‘shpirti’ i botës së biznesit, mos harroni të kujdeseni për shpirtin tuaj, atë që vjen nga Zoti. Për këtë, i duhet rezistuar tundimit të aktivizmit dhe duhet gjetur koha për të reflektuar, për të menduar, për të kundruar”.
“Është kërkesë personale: secili, nëse dëshiron të jetë shpirti i diçkaje, duhet të frymëzohet shpirtërisht nga e mira, nga e bukura, nga e vërteta”.
E rezultatet duken. Këtë e dëshmojnë ata sipërmarrës italianë, që ditën “të rrisin jo vetëm fitimet, por edhe jetën, cilësinë e jetës, cilësinë e punës, me liri dhe krijimtari”.
Marrë nga (Radio Vatikani)