20.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësUdhëheqësit fetarë: askush të mos e përdorë emrin e Hyjit për të...
HomeJeta e KishësUdhëheqësit fetarë: askush të mos e përdorë emrin e Hyjit për të...

Udhëheqësit fetarë: askush të mos e përdorë emrin e Hyjit për të bekuar terrorin

Takimi i Shën Egjidios kushtuar lutjes dhe dialogut midis feve dhe kulturave, u mbyll me thirrjen për paqe dhe çarmatim prej anës së udhëheqësve kryesorë të feve botërore.

Fetë mund t’i vënë themelin paqes dhe të edukojnë në lidhje me të. Është thirrja e fortë e udhëheqësve të besimeve kryesore në botë, të ulur pranë njëri-tjetrit, pasi nënshkruan thirrjen për paqe. Ky apel u lexua nga Sabera Ahmadi (një e re afgane që iku nga vendi i saj), në mjedisin e Koloseut, simbol i “Madhështisë, por edhe i vuajtjes”, në përfundim të takimit dy-ditor, të organizuar nga komuniteti i Shën Egjidios, me  titull “Popuj vëllezër. Toka e ardhshme”. Ky komunitet ka ripërtërirë për 35 vjet me radhë frymën e takimit në Asizi, të kërkuar nga Gjon Pali II. Pandemia e Covid-it, shkruajnë përfaqësuesit fetarë, ka treguar se si qeniet njerëzore janë në të njëjtën varkë, se e ardhmja nuk i përket njeriut shkapërderdhës dhe shfrytëzues, por qenieve njerëzore solidare dhe popujve vëllezër.

Të mos përdoret Hyji për të bekuar terrorin

Emri i Hyjit është paqe dhe askush nuk duhet ta përdorë emrin e Hyjit “për të bekuar terrorin dhe dhunën”, thuhet në apel. Bota është e sfilitur nga luftërat, kërcënimet terroriste e dhuna dhe “po rimobilizohet përdorimi i forcës si mjet i politikës ndërkombëtare”. Rreziku që vërejnë udhëheqësit fetarë është ai i humbjes së kujtesës lidhur me tmerrin e luftës, meqenëse po zhduken ata që e përjetuan Luftën e Dytë Botërore. Një pikë e rëndësishme kjo, e cila u parashtrua edhe nga themeluesi i komunitetit të Shën Egjidios, Andrea Riccardi, gjatëfjalimit të tij, kur shpjegoi se sot “vetëdija për tmerrin e luftës” është zbehur, dhe se “marrëdhëniet e ashpra midis vendeve, rivlerësimi i forcës si një mjet politik, janë shprehje të një kulture dhune, pjesë e së cilës është një politikë grabitqare ndaj mjedisit”. Covid-i tregoi “brishtësinë e kësaj bote”, prandaj nevojitet një tjetër e re, të cilën duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku, përnxit serish Riccardi “të vendosur për ta çmuar mësimin e dhimbshëm të historisë”.

Të rimerret çarmatimi sa më shpejt të jetë e mundur

Sot, vijon thirrja për paqe, vuajtjen e heqin ata që ikin nga luftërat, nga krizat mjedisore, dhe më tej ata që janë të flakur, të dobët dhe të pambrojtur, të cilët, shpesh, janë “gra të fyera dhe të poshtëruara, fëmijë pa foshnjëri, pleq të braktisur”. Ne duhet të dëgjojmë të varfrit, apelojnë udhëheqësit fetarë të pranishëm në takim, sepse janë ata që “thërrasin të parët paqen”, dhe se në këtë mënyrë kuptohet më mirë “marrëzia e çdo konflikti dhe dhune”. “Ne duhet të bëjmë paqe”, është përnxitja e fuqishme e tyre, mirëpo është urgjente të rimerret, sa më shpejt të jetë e mundur, procesi i çarmatimit tanimë i bllokuar, të ndalohet tregtia dhe përdorimi i armëve dhe shumimi e armëve bërthamore, “një kërcënim marramendës”.

Merkel dhe Al-Tayyeb

Për të ndërtuar paqen, pohoi Kancelarja gjermane Angela Merkel, e vetmja figurë politike në skenë, “duhet dialog i hapur dhe respektues midis qeverive dhe midis feve” dhe të mos bëhemi “spektatorë pasivë përballë konflikteve”. Ndërsa Imami i Madh i Al Ahzar, Ahmad Al-Tayyeb ishte ai që solli në kujtesë pesë milionë viktimat e Covid-it në më pak se dy vjet. Ai foli në mënyrë të drejtpërdrejtë për “kriticitetin serioz në shpërndarjen e vaksinës”, aq sa lë pa një shërbim të tillë kontinente të tëra, dhe më pas theksoi se “prodhimi i vaksinave dhe modus operandi i shpërndarjes së tyre” ishte jo në lartësinë e duhur të përgjegjësive.  Sipas tij alternativa e vetme është “lutja dhe thirrjet me një zemër të pastër dhe një sjellje e ndershme”.

Fati i përket vëllezërve

Kërkesa e të gjitha feve drejtuar mbarë besimtarëve, dhe jo vetëm, është që ata të kenë guxim, sepse e ardhmja e botës varet nga fakti nëse e njohim njëri-tjetrin si vëllezër, sepse “popujt kanë një fat prej vëllezërish mbi tokë”.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme