11.5 C
Tirana
HomeKISHTraditat e Kohës së ardhjes - Historia e tyre
HomeKISHTraditat e Kohës së ardhjes - Historia e tyre

Traditat e Kohës së ardhjes – Historia e tyre

SHËN NIKOLLA, SHËN LUÇIA, PEMA DIELLORE, GRAZHDI I BETLEHEMIT, DHURATAT E DIJETARËVE

Sot Krishtlindjet janë mbi të gjitha festa e fëmijëve dhe e dhuratave. Shkëmbehen dhurata dhe festohet Babagjyshi i Krishtlindjes (Father Christmas) me traditë anglo-amerikane i cili vishet me ngjyrat bardh e kuq, me sa duket, që kur shërbeu për të reklamuar Coca-Cola-n e atëhershme të porsalindur, në fillim të shekullit XX. Megjithatë, në realitet, Babagjyshi ose Santa Klaus – i cili në Italinë e paraluftës, kur ishte ende pak i njohur, quhej “Babagjyshi i Krishtlindjes”  – duket se është një formë e shekullarizuar e Santa Klaus, një emër ky i lindur nga një deformim i Sankt Nikolaus: domethënë Shën Nikolla [Shën Kolli]. Ipeshkvi i shenjtë i Mirës, ​​një qytet në bregdetin e Anadollit, ishte i njohur për virtytet e tij taumaturgjike: për këtë arsye, në fund të shekullit të XI, barezët dhe venecianët u zunë për reliket e tij. Ende sot e kësaj dite ato nderohen në bazilikën e Barit të kushtuar atij, destinacion edhe i shumë shtegtarëve ortodoksë, veçanërisht nga Rusia.

Për të thënë të vërtetën, Shën Nikolla nuk ka fare lidhje me Lindjen e Jezusit [Krishtlindjen], përveç faktit se festa e tij festohet më 6 dhjetor, në mes të Kohës së Ardhjes. Por një episod legjendar që i atribuohet atij, na lejon të gjurmojmë një marrëdhënie me festën e dhuratave. Thuhet se ai, gjatë natës, hodhi tri sfera floriri në shtëpinë e një të varfëri, i cili kishte tri vajza dhe në pamundësi për t’iu siguruar atyre pajën e nusërisë, mendonte t’i bënte prostituta. Që atëherë, bartësi i dhuratave, i emigruar në veri, me ngjyrime shekullariste e folkloristike, përshkon qiellin e netëve të Krishtlindjes me slitën [sajën] e tij të tërhequr nga renë [drerë] dhe u çon fëmijëve dhurata. Por veshja e tij me të kuqe dhe slita e tërhequr nga drerët polarë dhe diellore nuk duhet të na mashtrojnë: pas shenjtit të krishterë, të paraqitur si gjyshi i gëzuar dhe faqekuq, qëndron një hyjni nordike e solsticit. Në Evropën Veriore, një javë pas Shën Nikollës, festohet Shën Luçia – “dita më e shkurtër që ekziston”, të paktën para reformës së kalendarit gregorian: domethënë dita e solsticit. Nikolla dhe Luçia janë “shenjtërit e dritës”, shenjtërit e diellit, i cili, si të ketë arritur momentin e solsticit të dimrit, rimerr fuqi dhe fillon lëvizjen ngjitëse të tij në qiell. Që atëherë e në vijim, për gjashtë muaj, netët bëhen gjithnjë e më të shkurtra dhe drita triumfon deri në solsticin e verës, kur do të fillojë të zbresë.

Dielli, solstici diellor, dhuratat për fëmijët. Çfarë lidhjeje mund të ketë e gjithë kjo me Jezusin, i cili, sipas traditës ungjillore, lindi në qytetin e Betlehemit, në Jude?

Rrëfimi mbi lindjen, të paktën në Ungjillin kanonik të Mateut – por ka edhe shumë ungjij apokrifë që sjellin detaje të reja në tregimin e lindjes – nuk jep detaje për ditën dhe muajin në të cilin ndodhi. Mirëpo, meqenëse engjëlli ua njoftoi ngjarjen barinjve që gjendeshin aty pranë, mund të nxirret përfundimi se lindja ndodhi në verë: Betlehemi është rreth 700 metra mbi nivelin e detit dhe barinjtë, sipas rregullave të bjeshkimit, vendoseshin atje në muajt e verës, për të zbritur më pas në det me ardhjen e vjeshtës. Ndryshe nga sa u tha, Krishtlindja, në ndjeshmërinë tonë dhe në traditën tonë, është një festë dimërore. Grazhdi i betlehemit – një traditë e filluar me sa duket në vitin 1223 nga Françesku i Asizit – lidh pazgjidhshmërisht lindjen e Zotit me një peizazh malor me dëborë, sado që shija orientaliste e shekullit të nëntëmbëdhjetë (inkurajuar nga prania e personazheve të veshur detyrimisht “në mënyrë orientale”, Dijetarët) e ka pasuruar me palma dhe sfonde ku paraqiten oaze dhe shkretëtira: të them të drejtën, jo shumë palestineze. Në vendet protestante, një traditë që mendohet se i përket Martin Luterit, ka imponuar një variant dimëror, që shkëlqen me stolitë e çmuara që kujtojnë hejet e akullit të një peme të ngrirë të natës që goditen nga drita, Pema e Majit (Maypole), shtylla pranverore e zbukuruar me kurora dhe me shirita që, në fakt, është kujtesa folklorike e një objekti kulti gjermanik pagan, Yggdrasil (fjalë për fjalë “Pema e hirit të Botës”), domethënë boshti kozmik rreth të cilit është i renditur universi. Yggdrasil-i për të cilin flitet në sagat norvegjeze (d.m.th. ato të transmetuara nga kolonët norvegjezë të Islandës dhe të mbledhura në fillim të mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit) është një variant i Pemës shamanike të Jetës, i njohur në traditat e Azisë Qendrore të popujve të stepave si indo-evropiane ashtu edhe ural-altaike: një traditë që, në parahistori, emigroi me disa prej atyre nga Siberia në Alaskë përmes ngushticës së Beringut, e cila ishte e ngrirë gjatë periudhës së dimrit.

Grazhdi i betlehemit françeskan, bashkë me Pemën e Krishtlindjes nordike dhe pagane të kristianizuar nga Luteri, bëjnë që festa e Krishtlindjes të rrënjoset, pra, në stinën e dimrit dhe e lidhin atë me kohën e dhuratave që shkëmbehen me ardhjen e vitit të ri dhe që në Evropën Veriore vareshin nëpër pemë si oferta kushtimi. Teksti i Ungjillit ofron mbështetje të mjaftueshme për të kristianizuar edhe përdorimin pagan të dhuratave: episodi i Dijetarëve dhe i dhuratave të tyre tre llojesh – ar, kem dhe mirrë – që kujton numrin e sferave prej ari që Shën Nikolla ua dha vajzave të varfra. Gjithçka duket se inkuadrohet në kontekstin e një feste të vjetër pagane të vitit të ri të kristianizuar falë asaj që antropologët e quajnë një proces akulturimi. Por çfarë qe ajo që përcaktoi përnjëmend rrënjosjen e kultit të lindjes së Shpëtimtarit në festat e fillimit të dimrit?

Edhe një herë, nevoja për të ruajtur traditat e dashura për popujt që ishin të gatshëm të pranonin fenë e re, por që ngurronin për t’i braktisur zakonet e vjetra, na jep një përgjigje. Ndoshta edhe para se dekreti i Milanos (viti 313), ta bënte të ligjshëm kultin e krishterë në perandori, ai u përdor në Egjipt – një nga rajonet ku krishterimi kishte lëshuar më shumë rrënjë – për të festuar Lindjen e Krishtit së bashku me Epifaninë [Dëftimi i Zotit] në një festë të vetme (d.m.th. njohja e natyrës hyjnore dhe mbretërore të Fëmijës): kjo bëhej më 6 janar, datë në të cilën festohet Krishtlindja, sot e kësaj dite, në Kishat e krishtera Ortodokse dhe Lindore. Data ishte marrë nga një festë kushtuar perëndeshës Isida, gjatë së cilës adhurohej amësia e saj hyjnore dhe kremtohej shenjtërimi i ujërave për nder të saj. Njëmend, që atëherë, data 6 janar, në kalendarin liturgjik të krishterë, u lidh ngushtë me dy përvjetorë të tjerë në të cilët ujërat kishin një rol: Pagëzimi i Krishtit dhe mrekullia e Kanës së Galilesë.

Megjithatë, kjo festë nuk u çmua e përshtatshme për botën latine të krishterë, sado që kulti i Isiadës, në shekullin IV, ishte i vendosur në të gjithë pellgun e Mesdheut dhe veçanërisht në Romë. Në këtë qytet ekzistonte një festë tjetër shumë popullore, edhe për faktin se në atë datë perandorët e kishin zakon t’i jepnin popullit romak dhurata të bëshme me drithë dhe verë. Bëhej fjalë për 25 dhjetorin, dita në të cilën kulmonte periudha dyjavore gjatë së cilës kremtohej solstici i dimrit në të gjithë Romën, një festë kushtuar një hyjnie me origjinë indo-persiane, kulti misterik i të cilit ishte shumë i përhapur veçanërisht në mesin e legjionarëve, Mithra. Lindja e Mithra-s, në mitin që lidhet me të, ka ngjashmëri të veçanta me atë të Jezusit në tregimin e Ungjillit: aty vërehen shpella, ylli lajmërues, kafshët e shenjta për hyjninë që janë demi dhe gomari i egër. Në Lindjen e Afërt ekzistonin edhe hyjni të tjera që kishin krijuar kulte misterike e që ishin shkrirë me mithraizmin: për shembull ato të Atisit ose Adonisit (nga semitishtja Adonai: Zoti). Njëmend, në Betlehem ndodhej një vend kulti i shenjtë kushtuar Adonisit, dhe me gjasë – siç duket nga një dëshmi e Shën Jeronimit – është shpella në të cilën thuhet se lindi Jezusi dhe mbi të cilën u ndërtua Bazilika e Lindjes së Jezusit në epokën konstandiniane. Një shembull tjetër i deperurimit-akulturimit [shënim i përkth. deperurim, lat. exauguratio, akti me të cilin hiqej karakteri i shenjtë i një vendi të kushtuar më parë]

Mithra, hyjnia misterike e adhuruar në Romë, kishte zënë vend si një zot paralel me një hyjni diellore me origjinë siriane, e cila ndonjëherë edhe identifikohej me të: Sol Comes Invictus. Bëhej fjalë mirëfilli për një religio castrensis, një kult ushtarak: midis shekujve III dhe IV, perandorët ishin përpjekur ta bënin atë qendrën e një lloj monoteizmi të përqendruar në karakterin shenjtëror të personit të tyre, i cili identifikohej me Sol Comes. Në qytet ngrihej një tempull i Sol Comes – i adhuruar gjatë festave të solsticit dimëror, kur rrjedha e diellit fillonte të forcohej. Në këtë vend, sot, ndodhet bazilika e Shën Silvestrit, të cilit, në të vërtetë, Kisha i kushton festën liturgjike të ditës së fundit të vitit, në prag të ditëve të para të janarit kur përfundonin festimet e solsticit.

Në traditën romake, periudha e festimeve të solsticit ishte e ndërthurur me kohën e të famshmit libertates decembris, një kohë në të cilën festohej ritualisht kthimi i kozmosit në kaos dhe gjatë së cilës rregullat e zakonshme civile shkeleshin dhe përmbyseshin ritualisht. Këto libertates përkonin me javën e Saturnalisë, nga 17 deri më 23 dhjetor, në kujtim të epokës së artë që paskësh ekzistuar në kohën e perëndisë Saturn, kur nuk ekzistonin as skllevër as padronë. Në realitet, kuptimi i festës ishte më i thellë. Saturni identifikohej me Kronosin helen (perëndia helene), zoti dhe rregulluesi i kohës (në Romë funksion ky i trashëguar më vonë nga perëndia Janus, “Zoti i portës” – Ianua – i cili kryesonte mbylljen e vitit të vjetër dhe hapjen të vitit të ri). “Kthimi në kaos” në fund të vitit ishte një rit mimetik i çrregullimit mbizotërues të çdo epoke në rënie e sipër: dhe ishte një prelud për rivendosjen e rendit. Prandaj, ishte logjike që, në fund të çrregullimeve saturnale në dhjetor, dielli, deri atëherë i dobësuar, të rimerrte rrjedhën e tij më të fuqishme me solsticin e dimrit: dhe lindja e Diellit Fëmijë dhe Viti i Fëmijës u festuan, të dyja të përmbledhura në hyjninë perandorake të Sol Comes-Mithra, që si Diell i ri ishte Kosmokrator, Zoti i Kozmosit, dhe si Vit i ri ishte Kronokrator, Zoti i Kohës.

Festa e lindjes së Krishtit më 25 dhjetor, shoqërohej me perandorin, i cili, pasi kishte pranuar fenë e krishterë, e çmonte veten si mëkëmbësi dhe figura e tij në tokë. Për Krishtin, Zoti i Kozmosit, dymbëdhjetë apostujt ishin si kurorë yjësie; për Krishtin, Zoti i Vitit, dymbëdhjetë apostujt ishin si muajt kalendarik. Dijetarët me dhuratat e tyre (vetëm me vonë tradita e fiksoi numrin e tyre në tre dhe i vuri secilit një emër) ishin para figurës së tij si primitiae gentium, simbolet e popujve paganë të gatshëm për të pranuar fenë: dhe dhuratat e tyre ishin shenja e  prekshme e nënshtrimit të tyre ndaj Mbretit të Mbretërve.

Në këtë mënyrë Krishtlindja u rrënjos në Perandorinë Romake, tashmë të fituar nga Krishterimi, si një festë romake, perandorake dhe diellore: dhe adhurimi i Krishtit si Sol Iustitiae, garanci e drejtësisë, rendit dhe paqes u vendos për të gjithë popujt.

Prof. Franco Cardini

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme