11.5 C
Tirana
HomeKISHTë meditojmë me Ungjillin: Koha e Ardhjes, kohë e pritjes
HomeKISHTë meditojmë me Ungjillin: Koha e Ardhjes, kohë e pritjes

Të meditojmë me Ungjillin: Koha e Ardhjes, kohë e pritjes

Fillon sot Koha e Ardhjes dhe viti i ri liturgjik (C) për Kishën Katolike. Në këtë të Diel të parë të Ardhjes, Ungjilli sipas Lukës, në kreun e 21-të (25-28.34-36), u drejtohet të krishterëve të epokës së tij, por edhe atyre të të gjitha kohëve, që duhet ta jetojnë fenë në Krishtin në mesin e botës. Janë fjalë ngushëllimi e shprese, para travajëve dhe trishtimeve të jetës. Të gjitha ngjarjet, që i çorientojnë njerëzit e tjerë, për të krishterët janë shenja se ora e shëlbimit është pranë.

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri.

Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenime e prej kujdeseve të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut”.

Të lutemi së bashku

Ja sërish në Kohën e Ardhjes, o Zot.

Ndërsa natyra shkon drejt dimrit

e kafshët zhyten në gjumin letargjik,

Ti na fton të vigjëlojmë,

të kemi kujdes,

e t’i hapim sytë mirë.

Eh, është kaq e lehtë, o Zot,

t’i mbyllim sytë për të mos i parë

dramat e shtrembërimet e historisë

kthesat e ndryshimet, që s’dihet ku çojnë.

Eh, na vjen natyrshëm, o Zot,

t’u vëmë shtupë veshëve për të mos dëgjuar

britmat dhe thirrjet e mjeranëve,

kërkesat pa fund për ndihmë të varfanjakëve.

Eh, sa të qetë jemi, o Zot,

kur e ulim kryet dhe shohim

vetëm brenda vathës së ngushtë të jetës sonë,

u japim hapësirë vetëm gulçimeve të saj të vogla.

Po, është e vërtetë, shpesh tundohemi

të përgjumemi e të zhytemi

në një rehati të ëmbël, të ngrohtë, të sigurt.

Por, nëse nuk rrimë zgjuar,

nëse nuk e ngremë kryet

si mund të të shohim kur vjen?

Nëse i mbajmë veshët

mbyllur me çdo kusht,

si mund të ta dëgjojmë zërin?

O Zot, na nxirr nga kjo qetësi

që na bën alergjikë ndaj problemeve,

shkunde pak jetën tonë

që fshihet në skutat e shpirtit

e bëj të na rrahë zemra

me ritmin e shpresës e të pritjes.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme