“Selia e Shenjtë nuk do të mungojë ta mbështesë Shqipërinë në udhën drejt bashkimit të plotë me familjen e popujve evropianë”: kështu tha dje Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, në konferencën me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit, organizuar nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj
Liria fetare e rifituar e udha për të arritur në ringjalljen e Kishës Katolike e të fesë në përgjithësi në Shqipëri, në qendër të konferencës, që u mbajt dje (5 tetor), në Pallatin e Kancelarisë në Romë, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit. “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë, në sfidën për lirinë fetare”: ky, titulli i takimit, organizuar nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj.
Imzot Gallagher: do t’ju mbështesim në bashkimin me familjen evropiane
Pas përshëndetjes së saj, fjalën e mori Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili përshkoi udhën e raporteve ndërmjet dy vendeve, që nga ardhja e komunizmit në Shqipëri e shpallja e Legatit apostolik të atëhershëm, imzot Leone Nigris, si person i padëshiruar e, deri në rifillimin e marrëdhënieve me Tiranën. Rruga 30-vjeçare, pas komunizmit, kujtoi ai, është plot me ngjarje të rëndësishme, ndër të cilat, vizita e Nënë Terezës në Shqipëri e më pas, ajo e Papës shenjt Gjon Pali II e ajo e Papës Françesku. Pak nga pak, liria fetare kthehej e bëhej gjithnjë e më fuqishme, duke kontribuar në shtimin e dialogut e të bashkëpunimit ndërfetar, për të cilin Shqipëria është shembull në gjithë botën.
“Pas shumë vitesh ateizmi – vuri në dukje imzot Gallagher – gjatë të cilave, siç ka thënë Papa Françesku: ‘Shqipëria, për fat të keq, ka qenë dëshmitare për sa dhunë e për sa drama mund të shkaktojë përjashtimi me forcë i Zotit nga jeta personale dhe komunitare”, në jetën e shoqërisë shqiptare filloi një periudhë e re historike. U kthyen veprimtaritë fetare dhe të gjitha bashkësitë fetare luajnë sërish një rol të rëndësishëm në jetën e shqiptarëve. Si institucionet e bashkësive fetare, ashtu edhe autoritetet shtetërore, marrin pjesë në procesin dinamik të kthimit në traditën e tyre. U kthye liria fetare, e cila, gjithsesi, është edhe sfidë, sepse, siç thoshte Shën Gjon Pali II, “liria e vërtetë fetare u ikën tundimeve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe nxit dialogun konstruktiv e plot respekt’, sidomos në botën e sotme të globalizuar”.
Imzot Gallagher shprehu vlerësimin e tij për kujdesin që kanë autoritetet civile shqiptare ndaj Kishës Katolike e ndaj Selisë së Shenjtë, e cila, nënvizoi ai, nuk do të mungojë ta mbështesë vendin në udhën drejt bashkimit të plotë me familjen e popujve evropianë.
Imzot Frendo: roli i Kishës Katolike, i rëndësishëm për shoqërinë
I bëri jehonë edhe Arqipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot George Frendo, i cili u përqendrua kryesisht në 30 vitet e bashkëjetesës paqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe Republikës së Shqipërisë, dëshmitar i të cilave është personalisht. Nënvizoi rolin e Kishës Katolike në denoncimin e problemeve të shoqërisë shqiptare dhe në ndihmën për t’i kapërcyer ato. Gjithashtu, vuri në dukje kujdesin e veçantë të Selisë së Shenjtë për vendin, që persekutimi komunist i dha shumë martirë, sot të Lumë, të nderuar e të respektuar jo vetëm nga katolikët.
Hallka, që lidh periudhën e komunizimit me atë demokratike
Interesante, ndërhyrja e profesor Andrea Rikardit, themeluesit të Bashkësisë së Shën Egjidit, që, me kujtimet e tij personale, lidhi kohën e komunizmit me atë demokratike, duke folur mbi periudhën e fundit të qeverisjes së Ramiz Alisë, kur edhe shteti shqiptar bëri disa hapa për t’u lidhur me Selinë e Shenjtë. Kujtime, që u përforcuan nga dëshmia e gazetarit të së përditshmes kishtare italiane “Avvenire”, Mimmo Muolo, i cili solli për të pranishmit faktet e treguara personalisht nga kardinali Ernest Simoni Troshani e nga familja e tij.
Mbyllja e kishave nuk e zhduku fenë
Ndër relatorët e tjerë, profesori i Universitetit Roma Tre, historiani Roberto Morozzo della Rocca, që foli mbi “Lirinë fetare në Shqipëri gjatë regjimit komunist”, duke vënë në dukje se pavarësisht nga ndalimi i plotë i fesë, njerëzit e ruajtën në zemër dëshirën për ta njohur Zotin, gjë që u duk qartë sapo u hapën vendet e kultit. Profesori i Universitetit Papnor Gregorian, Jan Mikrut, u përqendrua mbi “Papninë e Gjon Palit II në Evropën Qendro-Lindore, duke iu referuar veçanërisht Shqipërisë”, ndërsa profesoresha e Universitetit të Peruxhës, Maria Gabriella Belgiorno, shtjelloi temën e “Lirisë fetare në Kushtetutën shqiptare”.
Në hyrjen e Sallës së 100 Ditëve, ku u zhvillua konferenca, edhe ekspozita me temë “Dhunimi dhe rilindja e lirisë fetare”, ku mund të shiheshin disa fotografi nga këto 30 vite të para të marrëdhënieve të frytshme ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë. Mbrëmja përfundoi me një koktej.
Marrë nga Radio Vatikani