Nga Dom Gjergj META
Fatmirësisht, konsultimi sinodal ka nisur rrugëtimin e tij në shumë anë të globit, sikurse edhe këtu në kishën tonë lokale në Shqipëri. Dioqezat tona i janë përgjigjur të gjitha pozitivisht kësaj nisme të Atit të Shenjtë Françeskut. Edhe plenarja e fundit e ipeshkvinjëve në datat 19 e 20 tetor pati ndër të tjera në fokus pikërisht temën e Sinodit. Kemi përkthyer tashmë dokumentet e punës dhe në çdo dioqezë po bëhen përpjekje në mënyra të ndryshme, që t’i përgjigjemi thirrjes së Papa Françeskut për dëgjimin e sa më shumë njerëzve rreth temës së sinodalitetit në kishë, i cili zbërthehet në tri fjalë: bashkim, pjesëmarrje e mision.
Ama duhet thënë se për fat të keq, kjo thirrje e Papës s’ka gjetur jehonë gjithkund në Kishën Universale e nganjëherë as në personat që kanë përgjegjësi brenda kishës, si meshtarët apo ipeshkvijtë. Kjo ndodh kryesisht për dy arsye. E para sepse ky reagim është një kundërvënie ideologjike, që synon ta minimizojë këtë mënyrë me të cilën Papa Françesku e fton kishën ta shohë vetveten dhe e dyta, sepse jo të gjithë kanë një informacion e formim të saktë rreth Sinodit.
Për të parët ekziston ende një lloj këmbënguljeje për ta parë kishën të organizuar në një mënyrë hierarkiko-absolute. Kësisoj, nuk shihet e nevojshme të konsultohen të gjithë për çështje që mund t’i vendosë shumë mirë vetë Papa, duke konsultuar e shumta ipeshkvijtë në Sinodin që mblidhet herë pas here. Madje, për shumë sosh as ai Sinod nuk ka arsye pse të ekzistojë, pasi Papa ka të drejtën të flasë edhe i vetëm në emër të të gjithëve. Sigurisht që në këtë konceptim mungojnë shumë hallka kuptimi, duke filluar prej asaj çka ka thënë Koncili II i Vatikanit, sidomos në lidhje me raportin ndërmjet primatit dhe episkopatit. Nuk është vendi këtu për ta analizuar këtë raport edhe pse më duket se pikërisht ky është thelbi i problemit.
Për të dytët bëhet fjalë për një lloj “përtacie”, duke thënë se “Pse duhet t’i turbullojmë gjërat?”, “Kështu është bërë gjithmonë, pse të mos vazhdojmë në të njëjtën mënyrë?”, etj. Kësisoj, ndodh që të mos lexohen dokumentet që prodhon qoftë Papa e qoftë Sekretaria e Sinodit ose shumë mjaftohen me sintezat mediatike.
Duhet punuar fort për të dalë nga të dyja këto mënyra të të shikuarit të Sinodit dhe për të hyrë në logjikën me të cilën është nisur ky Sinod. Në thelb, nga shqyrtimi i fjalimeve të Papës dhe të dokumenteve të dala nga Sekretaria e Sinodit, më duket se më shumë sesa të ndihmojë Papën në ushtrimin e primatit të tij, detyra kryesore e këtij procesi është të ndihmohen dioqezat në mënyrën se si t’i jetojnë dinamikat kishtare në vendet ku janë. Prandaj, duket se ky proces do të jetë më shumë i vlefshëm për vetë kishat lokale, sesa për Sinodin që do të mbahet në vitin 2023.
Në fakt, po të imagjinojmë që nga çdo dioqezë do të shkojë një numër i vogël faqesh si përmbledhje dhe të gjitha këto do të mblidhen në një sintezë nga Konferenca Ipeshkvore, e cila do të bashkohet me ato të çdo kontinenti për të bërë një sintezë që i oftohet Sekretarisë së Sinodit, shumë nga gjërat që thuhen, fjala vjen në një famulli: nga një grup rinor, nga një seminar apo edhe nga një Fakultet Teologjik a dioqezë, me siguri nuk do të arrijnë kurrë deri në Sinod. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk janë të vlefshme për kishën lokale dhe se prej këtij konsultimi nuk mund të lindin vija udhëzuese pune për vetë dioqezat, që mund të zhvillohen nëpërmjet një programi baritor ripërtëritjeje të mëpasshëm.
Pse këto faqe që do t’i dorëzohen Konferencës Ipeshkvore të mos kthehen në një dokument për vetë dioqezën? Apo, pse ato të Konferencës të mos jenë një pikënisje reflektimi për vetë Konferencën d.m.th. një lloj instrumentum laboris-i për kishën lokale, për famullinë, për jetën rregulltare e kështu me radhë. Të mos harrojmë asnjëherë se një kishë lokale i ka të gjitha instrumentet për të reflektuar dhe vepruar, duke marrë vendime e duke bërë ligje, përveç atyre pak gjërave që janë kompetencë e Selisë së Shenjtë. Prandaj, mund të thuhet pa frikë se ky proces është një rast i volitshëm ripërtëritjeje e misioni për të gjithë ne, duke e filluar punën qysh tani, pa pritur “përfundimet” magjisteriale nga Sinodi i vitit 2023.