3.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësSfida e abuzimeve seksuale. Çfarë ka bërë Papa Françesku pas takimit të...
HomeJeta e KishësSfida e abuzimeve seksuale. Çfarë ka bërë Papa Françesku pas takimit të...

Sfida e abuzimeve seksuale. Çfarë ka bërë Papa Françesku pas takimit të shkurtit 2019

Në shkurt të 2019-tës, Papa Françesku ftoi në Vatikan presidentët e të gjitha Konferencave ipeshkvore për një Samit mbi mbrojtjen e të miturve në Kishë me synimin që të trajtojnë çështjen e abuzimeve seksuale prej anës së anëtarëve të klerit. Një takim i ngjashëm, i fokusuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, do të mbahet në Varshavë nga 19 deri më 22 shtator të këtij viti. Në këtë artikull, atë Federico Lombardi e vendos këtë takim në kontekstin e ecjes së bërë nga Kisha deri më tani.

Në botën e sotme, Kisha duhet të përballet me sfida të mëdha. Më themelorja është ajo e fesë dhe e kumtimit të Hyjit dhe Jezu Krishtit në botën e sotme, me shndërrimet e saj tepër të mëdha kulturore dhe antropologjike. Mirëpo, ka edhe sfida specifike të cilat kanë një ndikim shumë të thellë në jetën e Kishës dhe në misionin e saj të ungjillëzimit. Një nga më kritiket në dekadat e fundit, meqenëse ka dëmtuar besueshmërinë e Kishës dhe prandaj autoritetin e saj dhe aftësinë e saj për të shpallur Ungjillin në një mënyrë të besueshme, është ai i abuzimeve seksuale ndaj të miturve prej anës së anëtarëve të klerit. Këto abuzime kanë hedhur një hije inkoherence dhe josinqeriteti mbi institucionin e Kishës, mbi bashkësinë e Kishës në tërësinë e saj. Kjo është përnjëmend shumë e rëndë.

 Me kalimin e kohës dhe përvojës, duke filluar me abuzimet seksuale ndaj të miturve – të cilat janë ato më të rëndat –, ne kemi mësuar të zgjerojmë perspektivën në aspekte të ndryshme, kështu që sot ne flasim më shpesh për abuzimet kundrejt personave “të cenueshëm” dhe e dimë se ato duhet të shihen si abuzime jo vetëm seksuale, por edhe të pushtetit dhe të ndërgjegjes, siç ka këmbëngulur shpeshherë Papa Françesku. Përveç kësaj, është e nevojshme të kujtohet se problemi i abuzimeve, në përmasat e tij të ndryshme, është një problem i përgjithshëm i shoqërisë njerëzore, në vendet në të cilat jetojmë dhe në kontinentet e ndryshme, dhe nuk bëhet fjalë për probleme vetëm të Kishës katolike. Përkundrazi: ata që studiojnë në mënyrë objektive dhe më gjerësisht shohin se ka rajone, vende, institucione shumë të ndryshme ku çështja është e përhapur në mënyrë dramatike.

Në të njëjtën kohë është e drejtë që ne ta shtrojmë në mënyrë specifike problemin e Kishës, për arsye – siç u përmend tashmë – të besueshmërisë dhe koherencës së saj. Kisha gjithmonë ka këmbëngulur shumë në mësimin e saj mbi sjelljen seksuale dhe mbi respektin për personin. Prandaj, edhe nëse vërejmë se nuk është një problem vetëm i Kishës, ne duhet ta marrim atë seriozisht me patjetër dhe të kuptojmë se ai ka një peshë të tmerrshme në kontekstin e jetës kishtare dhe të shpalljes së Ungjillit të Zotit.

Në veçanti, është një fushë në të cilën rrezikohet thellësia dhe e vërteta e marrëdhënies me njerëzit, që janë për t’u respektuar thellësisht në dinjitetin e tyre. Si të krishterë dhe katolikë ne jemi krenarë që ia njohim dinjitetit të personit një rol themelor, sepse personi është shëmbëllim i Hyjit. Tani, fakti se abuzohet ndaj tij, se nuk respektohet, fakti se të tjerët çmohen si objekte, se mungon vëmendja ndaj vuajtjeve të tyre e kështu me radhë, është një shenjë e mungesës pikërisht në një pikë themelore të fesë sonë dhe të vizionit tonë për botën.

Në reformën më të fundit të së drejtës penale kanonike gjendet një aspekt që mund të duket thjesht formal, por përkundrazi është shumë domethënës nga kjo pikëpamje. Krimet e abuzimit janë përfshirë në fushën e krimeve “kundër jetës, dinjitetit dhe lirisë së personit”. Ato nuk janë “gjëra të turpshme” ose “të padenja për klerin”, por vihet në dukje se në perspektivën e Kishës dinjiteti i personit duhet të vendoset në qendër dhe duhet të respektohet sepse është si shëmbëllim i Hyjit. Kjo është absolutisht themelore. Fakti i kthimit për ta marrë shumë më seriozisht dëgjimin dhe respektimin e secilit person në veçanti, qoftë të vogël apo të dobët, është një nga pikat e rëndësishme të ecjes së kthimit dhe të pastrimit të Kishës në kohën tonë, në mënyrë që të jemi të besueshëm.

Takimi i 2019-tës: përgjegjësi, llogaridhënie, transparencë

Pa qenë nevoja të sjellim krejt historinë e ngjarjeve dramatike dhe të qëndrimeve të Kishës mbi abuzimet seksuale, ne, për ta pasur më të lehtë, mund t’i referohemi “Samitit” të shkurtit të 2019-tës. Ai u thirr nga Papa si një moment global, në të cilin mbarë Kisha, nëpërmjet përfaqësuesve të të gjitha Konferencave ipeshkvore, të kongregatave rregulltare mashkullore dhe femërore, të mblidhej së bashku për një moment ndërgjegjësimi dhe angazhimi, për të vazhduar ecjen e ripërtëritjes në mënyrë më efektive.

Organizimi i atij Takimi (punimet e të cilit janë botuar në vëllimin “Consapevolezza e purificazione” [Ndërgjegjësim dhe pastrim], i LEV), vërtitej rreth tre pikave kryesore.

Para së gjithash, ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e problemit, për çështjet që lidhen me abuzimet seksuale ndaj të miturve dhe jo vetëm; rëndësia e të dëgjuarit dhe të kuptuarit thellësisht, me dhembshuri dhe pjesëmarrje, të pasojave, vuajtjeve, të peshës së rëndë të asaj që ka ndodhur dhe ndodh në këtë fushë. Pra: dëgjimi dhe dhembshuria si pikënisje për qëndrimin që duhet mbajtur. Pastaj, natyrisht, nevoja për të bërë drejtësi kundrejt asaj që ishte kriminale dhe e dëmshme për të tjerët. Pra përgatitja për të parandaluar, në mënyrë që këto krime të mos ndodhin përsëri – ose, të paktën, të ndodhin gjithnjë e më rrallë – dhe të kontrollohet ky realitet kaq dramatik. Kjo nënkupton formimin e të gjithëve në rrethin e bashkësisë kishtare dhe gjithashtu veçanërisht të njerëzve kompetentë, në mënyrë që ata të mund të veprojnë dhe të jenë si referim në trajtimin e problemit. Me pak fjalë: ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia në trajtimin e çështjes së bashku.

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme, kyçe, është ajo e “llogaridhënies” (në anglisht flitet shumë për accountability) dhe tejkalimi i kulturës së mbulimit ose fshehjes. Një nga aspektet dramatike të kësaj krize është se ajo ka nxjerrë zbuluar, para publikut, realitete shumë të rënda që – megjithëse ndonjëherë dihej se ato po ndodhnin – u mbajtën nën hije mënyrë sistematike (dhe shpesh me një qëndrim pothuajse “të natyrshëm”) ose të mbuluara, nga turpi ose për të mbrojtur nderin e familjeve ose të institucioneve të përfshira, e kështu me radhë. Prej këtu atëherë lind nevoja për të tejkaluar qëndrimin e të fshehurit, dhe në vend të kësaj të jepet llogari për atë që bëhet, edhe prej anës së atyre që janë në krye. Meqenëse ky realitet i fshehjes ishte i përhapur në të gjitha nivelet, por edhe më rëndë në nivelin e atyre që ishin përgjegjës – eprorë të bashkësive, ipeshkvij e kështu me radhë – fakti i nxjerrjes në dritë në mënyrë që të gjithë të jepnin llogari për veprimet e veta, e prandaj të ishte ajo siguri se po shkohej drejt një situate qartësimi, përgjegjësie dhe drejtësie, është një tjetër nga hapat absolutisht të nevojshëm.

Vjen pastaj “transparenca”, dhe kjo është pika e tretë për të cilën u fol shumë në atë Takim, e cila është pasojë e asaj që kemi thënë. Transparencë nuk do të thotë vetëm të merret vesh se ka pasur dhe ka krime, të flitet për to dhe të vihet theksi mbi to. Sigurisht, njohja e të vërtetës së fakteve është thelbësore, por transparenca nënkupton gjithashtu të dish dhe të bësh të ditur se çfarë po bëhet për të reaguar, cilat janë procedurat me të cilat Kisha, në të gjitha dimensionet e saj, trajton këto situata, cilat janë masat që merr, cilat janë përfundimet e gjykimeve kundrejt fajtorëve, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë edhe bashkësia kishtare dhe civile bëhet e vetëdijshme se jo vetëm që janë parë fajet dhe krimet, por se ekziston një rrugëtim i tërë në të cilin bashkësia është përfshirë me vetëdije dhe me të cilin u përgjigjet këtyre problemeve.

Hapat e rëndësishëm të ndërmarrë pas Takimit të 2019-tës

Por nëse takimi i vitit 2019 duhej të ishte një pikënisje e përbashkët, duhet pranuar se pas tij u ndërmorën konkretisht shumë hapa, të cilët kanë përmbushur të gjitha angazhimet kryesore të marra në vitin 2019 nga Papa dhe organet qendrore të Kishës. Kujt i referohemi?

Para së gjithash, në fund të marsit të vitit 2019 janë shpallur ligjet dhe udhëzimet e reja në lidhje me Vatikanin dhe Selinë e Shenjtë, duke zgjeruar qasjen, përveç abuzimeve me të miturit, edhe te “personat e cenueshëm”. Më tej, më 9 maj të 2019-tës, u shpall një ligj i ri shumë i rëndësishëm për mbarë Kishën, Motu proprio: Vos estis lux mundi – “Ju jeni drita e botës” -, në të cilën Papa urdhëroi që në të gjitha dioqezat të organizoheshin zyrat për të pranuar denoncimet dhe për të nisur procedurat në përgjigje të abuzimeve. Jo vetëm kaq: por ka përcaktuar detyrimin për të gjithë priftërinjtë dhe rregulltarët që të denoncojnë abuzimet për të cilat ata vihen në dijeni, dhe ka ftuar që edhe anëtarët laikë të Kishës të denoncojnë. Tani, të gjithë priftërinjtë dhe motrat janë të detyruar në ndërgjegje që të denoncojnë rastet e abuzimit ndaj të miturve për të cilat ata janë në dijeni, dhe jo vetëm ato që përfshijnë të miturit, të cilat janë më të rëndat, por edhe ato kundër personave të tjerë të cenueshëm apo abuzime të tjera të kryera me dhunë. Laikët janë gjithashtu të ftuar ta bëjnë këtë, dhe duhet ta dinë vendin e saktë ku mund të paraqesin denoncimin e tyre. Ky është një hap shumë vendimtar. Sigurisht, është e nevojshme të verifikohet nëse një gjë e tillë është vënë plotësisht në praktikë, por tashmë është ligj për mbarë Kishën. Është një hap absolutisht themelor i ndërmarrë nga Papa, mbase më i rëndësishmi në këtë fushë për gati njëzet vjet. Jo vetëm kaq: por i njëjti ligj përcakton gjithashtu procedurën në lidhje me denoncimet e eprorëve të rangut më të lartë – eprorët rregulltarë gjeneralë, ipeshkvijtë, kardinalët … – jo vetëm për abuzimet, por edhe për rastet e “mbulimit”. Prandaj, çështjet e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies janë trajtuar rrënjësisht.

Përveç kësaj, në dhjetor të 2019-tës, u shfuqizua “sekreti papnor” mbi veprimet në lidhje me çështjet e abuzimeve seksuale, e ky fakt lejon bashkëpunimin edhe me autoritetet civile në një mënyrë më të qartë dhe më të lirshme se më përpara. Pra, më shumë “transparencë”. Pastaj u saktësua mirë dhe u publikua, më 2 korrik të 2020-tës, Vademecum-i i famshëm, i cili ishte kërkuar aq fort dhe ishte caktuar nga vetë Papa ndër objektivat e parë të Takimit të vitit 2019. E ka përpiluar Kongregata për Doktrinën e Fesë: një dokument mjaft i mirë, shumë i pasur, që nuk sjell risi të mëdha, por i rëndit më së miri dhe shpjegon qartë, për përdorimin e çdo ipeshkvi dhe çdo përgjegjësi, të gjitha pikat që ai duhet të dijë dhe çfarë duhet të bëjë në situata të ndryshme. Një mjet që ishte vërtet i nevojshëm. Kur doli nuk u fol shumë për të, por ishte një nga pikat thelbësore të kërkesave të Takimit të vitit 2019, dhe ashtu u bë.

Së fundmi, për Rrëshajë të këtij viti (2021), u botua Libri VI, i ri, i Kodit të së Drejtës Kanonike, i cili përmban si të thuash tërë të drejtën penale të Kishës, të riformuluar dhe organizuar në mënyrë që normat e reja, të cilat ishin përcaktuar gjatë rrjedhës së viteve në fushën e abuzimit si dhe në fushat e tjera, tani ato janë mbledhur në Kodin e së Drejtës Kanonike në mënyrë të rregullt, ndërsa më parë kishin mbetur të “shpërndara” në një seri të tërë ndërhyrjesh dhe dokumentesh.

Tani – ne këmbëngulim – mund të thuhet se këto gjëra janë pikërisht ato kryesoret që duhet të prisnim nga Papa dhe Selia e Shenjtë pas Takimit të vitit 2019. Dhe ato janë bërë.

Mund të shtohet se po në të njëjtën periudhë, në nëntor të 2020-tës, u botua edhe “Raporti McCarrick”, voluminoz, pasi që, me dëshirën e Papës, ishte studiuar në detaje krejt ngjarja e skandalit shumë të rëndë që tronditi Kishën e Shteteve të Bashkuara dhe mbarë Kishën: si ishte e mundur që një fajtor për abuzime të ketë arritur në krye të përgjegjësive kishtare, si Arqipeshkvi i Uashingtonit dhe kardinal. Edhe ky botim mund të konsiderohet një hap i dhimbshëm, por shumë i guximshëm, në drejtim të transparencës dhe vullnetit për të dhënë llogari për krimet dhe përgjegjësitë deri edhe në nivelet më të larta të Kishës.

Prandaj, ne jemi përballë një problemi mjaft të madh, të vështirë dhe të dhimbshëm, që ka të bëjë me besueshmërinë e Kishës. Porse, nuk është aspak e vërtetë se nuk është bërë asgjë apo se po bëhet pak e aspak. Mund dhe duhet thënë me siguri e qartësi se Kisha universale e ka trajtuar dhe e trajton këtë problem, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe ka caktuar normat, procedurat dhe rregullat për t’u marrë me të në mënyrë korrekte.

Rruga përpara nesh: nga normat te praktika

Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që është bërë gjithçka, sepse, siç e dimë, një gjë është të vendosësh normat, kuadrin e referimit, tjetër gjë është të ndryshosh realitetin duke i vënë ato në praktikë. Takimi i radhës i Kishave të Evropës Qendrore dhe Lindore në Varshavë, në shtator, për mbrojtjen e të miturve dhe personave të cenueshëm, shkon pikërisht në këtë drejtim. Njëmend, në çdo zonë gjeografike dhe kishtare, e cila ka aspekte dhe probleme të përbashkëta nga pikëpamja historike dhe kulturore, duhet të reflektohet mbi piken ku gjendet dhe se cilat janë mënyrat konkrete për t‘i përkthyer në realitet, në mënyrë të efektshme, udhëzimet e Kishës universale. Në rajone të tjera është vepruar: për shembull, ka pasur një Takim të madh në Amerikën Latine, në Meksikë, rreth një vit më parë. Pastaj pandemia prishi shumë programe dhe shkaktoi vonesa. Sidoqoftë, në kontinente dhe rajone të ndryshme, po bëhet – ose tashmë është bërë – ajo që aktualisht është në program për Evropën Qendrore dhe Lindore. Prandaj bëhet fjalë për një hap themelor të një udhëtimi të përbashkët të Kishës universale që ka të bëjë, me specifikën e vet, me këtë zonë gjeografike, kulturore dhe kishtare.

Në përfundim. Është bërë shumë, në nivelin e rregulloreve të përgjithshme dhe gjithashtu në nivelin e përvojave konkrete. Në disa vende më shumë, në disa vende më pak. Takimi është i nevojshëm për të qarkulluar njohuritë dhe për të kuptuar mënyrat konkrete dhe efektive për t’u përballur me problemet. Jemi në rrugëtim dhe do të mbetemi në rrugëtim, por në një rrugë që, thelbësisht, është mjaftueshëm e qartë, në të cilën është e nevojshme të lëvizet me të shpejtë dhe duke shmangur pasiguritë, për të shëruar vuajtjet, për të bërë drejtësi, për të parandaluar abuzimet, për të rikthyer besimin dhe besueshmërinë e bashkësisë së Kishës brenda saj dhe në misionin e saj për të mirën e botës.

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme