10.5 C
Tirana
HomeKryesorSelia e Shenjtë uron Myslimanët për fillimin e muajit të Ramazanit
HomeKryesorSelia e Shenjtë uron Myslimanët për fillimin e muajit të Ramazanit

Selia e Shenjtë uron Myslimanët për fillimin e muajit të Ramazanit

DIKASTERI PËR DIALOGUN NDËRFETAR
MESAZHI PËR MUAJIN E RAMAZANIT DHE ‘ID AL-FITR
1444 H. / 2023 A.D.
Të krishterë dhe myslimanë:
nxitës të dashurisë dhe miqësisë

Të dashur vëllezër dhe motra myslimanë,

Muaji i Ramazanit është i rëndësishëm për ju, por edhe për miqtë, të afërmit dhe besimtarët e feve të tjera, në veçanti për të krishterët. Miqësitë ekzistuese forcohen dhe ndërtohen të reja, duke hapur rrugën për një bashkëjetesë më paqësore, harmonike dhe të gëzueshme. Njëmend, kjo përkon me vullnetin hyjnor për bashkësitë tona, për të gjithë anëtarët dhe bashkësitë e së vetmes familje njerëzore.

Jemi të vetëdijshëm, të dashur miq, se bashkëjetesa paqësore dhe miqësore gjendet përballë sfidave dhe kërcënimeve të shumta: ekstremizmi, radikalizmi, polemikat, mosmarrëveshjet dhe dhuna me sfond fetar. Kërcënimet ushqehen nga kultura e urrejtjes. Kësisoj, kemi nevojë të gjejmë mënyrat më të përshtatshme për ta kundërshtuar dhe mposhtur këtë kulturë, duke përforcuar dashurinë dhe miqësinë, veçanërisht ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, në sajë të lidhjeve që na bashkojnë. Për këtë arsye ne e pamë të udhës që të ndajmë me ju disa reflektime në këtë drejtim, duke shpresuar që të marrim edhe tuajat.

E gjitha kjo buron nga qëndrimi ynë ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht kur ka dallime fetare, etnike, kulturore, gjuhësore apo politike mes nesh.

Dallimet mund të perceptohen si një kërcënim, por secili ka të drejtën e identitetit të vet specifik me përbërësit e tij të ndryshëm, megjithatë pa shpërfillur apo harruar atë që kemi të përbashkët: “Popujt e ndryshëm përbëjnë një bashkësi të vetme. Ata kanë një zanafillë të vetme, meqenëse Hyji ka bërë që krejt gjinia njerëzore të banojë në të gjithë sipërfaqen e tokës kanë edhe një qëllim të fundit, Hyjin, Provania, dëshmitë e mirësisë dhe plani i shpëtimit i të cilit janë për të gjithë derisa të zgjedhurit do të mblidhen në qytetin e shenjtë, që lavdia e Hyjit do ta ndriçojë dhe ku popujt do të ecin në dritën e tij (Deklarata mbi marrëdhëniet e Kishës me religjionet jo të krishtera, Nostra Aetate, 28 tetor 1965, nr. 1).

Fatkeqësisht, qëndrimet dhe sjelljet negative ndaj atyre që janë të ndryshëm nga ne janë të shumta: dyshimi, frika, rivaliteti, diskriminimi, përjashtimi, persekutimi, polemika, fyerjet dhe përgojimet, për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Platformat e mediave sociale janë hapësira të përbashkëta të sjelljeve të tilla të dëmshme, duke e zvetënuar rolin e tyre nga mjete komunikimi dhe miqësie në mjete armiqësie dhe lufte. Në lidhje me këtë, Papa Françesku ka thënë: “Pikërisht ndërsa mbrojnë izolimin konsumistik dhe të rehatshëm vetjak, personat zgjedhin të lidhen në një mënyrë të vazhdueshme dhe obsesive. Kjo favorizon gëlimin e formave të pazakonta të agresionit, të fyerjeve, të keqtrajtimeve, të ofendimeve, të fshikullimeve verbale deri në prishjen e figurës së tjetrit, me një mospërmbajtje që nuk mund të ekzistojë në kontaktin trup me trup, sepse do të përfundonim duke shkatërruar njëri-tjetrin. Agresiviteti social gjen te pajisjet e lëvizshme dhe te kompjuterat një hapësirë të pashembullt përhapjeje” (Fratelli Tutti, 3 tetor 2020, nr. 44).

Të kundërtat e sjelljeve negative të sipërpërmendura janë respekti, mirësia, bamirësia, miqësia, kujdesi i ndërsjellë për të gjithë, falja, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët, ndihma ndaj të gjithë atyre që gjenden në çfarëdolloj nevoje dhe kujdesi për mjedisin, me synimin për ta ruajtur “shtëpinë tonë të përbashkët” si një vend të sigurt dhe të këndshëm për të jetuar së bashku në paqe dhe gëzim.

Ne nuk mund ta parandalojmë dhe ta luftojmë kulturën e urrejtjes dhe të promovojmë një kulturë dashurie dhe miqësie pa një edukim të shëndetshëm të brezave të ardhshëm në të gjitha hapësirat ku ata edukohen: në familje, në shkollë, në vendet e kultit dhe në mediat sociale.

Një botë ku mbretëron drejtësia, paqja, vëllazëria dhe begatia, kënaq të Gjithëpushtetshmin dhe dhuron gëzim, duke nxitur kështu angazhimin tonë të sinqertë dhe të përbashkët.

Të dashur vëllezër dhe motra myslimanë, i gëzofshi bekimet e shumta të të Gjithëpushtetshmit gjatë Ramazanit dhe e festofshi ‘Id al-Fitr në gëzimin që buron nga besnikëria dhe dashuria për të Gjithëpushtetshmin dhe për të gjithë njerëzit me të cilët jetoni ose që takoni.

Nga Vatikani, 3 mars 2023
Miguel Ángel Cardinal Ayuso Guixot, MCCJ
Prefekt
Mgr Indunil Kodithuwakku Janakaratne Kankanamalage
Sekretar

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme