Famullia Shën Jozefi Gjadër, ka qenë vendi mikpritës i takimit të radhës me Personat me aftësi ndryshe, zhvilluar këtë fundjavë, nën organizimin e Caritas Dioqezan Sapa. Ky takim përkoi edhe me festën e Shën Roza Venerinit, themelueses së Motrave “Mësueset Venerini”, të kësaj bashkësie të cilat shërbejnë prej vitesh në këtë famulli.
Të bashkuar së bashku shumë prej famullive të dioqezës shtegtuan me këto persona drejt famullisë Gjadër, ku morën pjesë në kremtimin e kësaj dite.
Si zakonisht takimi filloi me kremtimin e Meshës së Shenjtë udhëhequr nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me famullitarin, dom Alberto Gallimberti. Gjatë fjalës së tij Imzot Simoni “shprehi dëshirën e tij të madhe dhe mirënjohjen e kësaj ecjeje me Personat me Aftësi Ndryshe, që dioqeza e Sapës, famullitë dhe Caritasi e kanë të trashëguar prej vitesh, duke iu gjetur pranë kësaj shtrese. Dhe ky është një shembull i edukimit, i afërsisë dhe mbështetjes për ju sepse jeni pjesë e jona dhe të barabartë sikurse na, jemi si familje dioqezane. E së bashku ne rritemi dhe edukohemi me vlera të krishtera, duke iu ardhur në ndihmë të varfërve, të sëmurëve dhe atyre që kanë nevojë. Ecim dora doras. Ky është mësimi i ungjillit që Krishti e vendos tek secili prej nesh në zemrën tonë. Dhe ia besojmë krejt veten tonë, duke u gjendur aty për ty. Të jemi shpresa e tyre” – përfundoi Imzot Simoni.
Menjëherë pas meshës, nën kujdesin e vullnetarëve të Caritasit, personat me aftësi ndryshe u drejtuan drejt oratorit pranë kuvendit të motrave Venerini, ku kishin përgatitur drekën dhe festën e gëzueshme për to. Me përkrahjen edhe të banorëve të famullisë, nën kujdesin e motër Alma Zogut, gjithçka ishte përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëpërmjet muzikës, humorit dhe pjesëve të tjera artistike, u krijua një klimë vëllazërore dhe gëzueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Violeta Marashi