Nga Anton Nikë Berisha
Psalmet kanë një rëndësi të jashtëzakonshme edhe si art i fjalës; ato i shqiptojnë dukuritë përmes strukturës tekstore poetikisht të lartësuar. Kjo e shton vlerën e tyre si mesazhe dhe si mundësi ndikimi në marrësin, domethënë kushtëzojnë një komunikim shumëfish më të qenësishëm e më gjallërik. Në tekstin e Psalmeve fjalët janë “[…] plot të ngarkuara me fuqi: në qartësinë e simboleve ato fillojnë nga realiteti i Hyjit. Është vështirë të imagjinohet një intensitet më i madh i mendimit, një koherencë më e fortë e të shprehurit, e përcjell (e bartur) me një shkëlqim më të lirshëm sesa në këtë burim të pashtershëm të jetës”. Rëndësia e shumëfishtë e Psalmeve përligjet edhe nga këto fjalë të André Chouraqui: “Dy mileniume e disa shekuj na ndajnë nga autorët e Psalmeve; ata, pa pikë dyshimi, nuk do ta kishin njohur botën në të cilën jetojmë; ne ende nuk reshtim të gjendemi në këngët e tyre; koha nuk i ka shthurur (prishur) përfytyrimet e tyre dhe mesazhet e tyre nuk pushojnë te jenë aktualë”.
Studiuesi i shquar i Psalmeve, Luis Alonso Schökel, thotë se hebrenjtë i çmuan tekstet e Besëlidhjes së Vjetër si shkrime të shenjta dhe si tekste letrare poetike “[…] ruajtja me xhelozi e legjendave, e tregimeve epike, e këngëve lirike, e imitimit të poemave dhe përdorimi i vetëdijshëm i mënyrave (rrjedhave) letrare, dëshmojnë se këto tekste për hebrenjtë patën një rëndësi jo vetëm fetare, po edhe letrare” dhe se Bibla ishte për ta një burim ku i morën temat dhe motivet për hartimin e teksteve letrare, pa mohuar faktin se mësuan dhe nga përvojat dhe veprat letrare të popujve të tjerë. Dukuria e rëndësisë së vlerave letrare të Psalmeve mund të lidhet me mendimin e J. G. Herder-it për poezinë si kreativitet që shpreh dhe ndriçon shpirtin e një populli
Schökel thekson se në letërsinë biblike pjesën më të madhe e bën lirika; ajo nuk përmban as epope dhe as dramë përkundër faktit se nuk mungojnë tregime me karakter epik dhe këngë me karakter heroik. Poezia biblike është një thesar i simboleve transcendentale dhe në themel është poezi fetare. Pra, Psalmet janë “[…] lutje dhe poezi, më drejt poezi fetare, shprehje poetike të përvojës religjioze. Kjo domethënë se për t’i kuptuar mirë psalmet duhet një ndjeshmëri e mirë estetike: për shembull fjalori i veçantë, format e ndryshme të paralelizmit, përsëritjet, strukturat koncentrike, efektet tingëlluese, ritmi e sidomos shumësia dhe llojshmëria e tablove midis të cilave veçohen ngjashmëria, metafora, alegoria dhe simboli, që dikush e ka përcaktuar si protagonist të madh të Psaltarit”. Në poezinë përshkruese hebrenjtë “[…] nuk e përdorin asnjëherë përshkrimin si qëllim për vetë atë. Përshkrimi i natyrës del përherë i njësuar (i shkrirë) në lavdin liturgjik ose dituror. Rendomë përshkrimi i zakoneve luan një funksion didaktik ose shërben për predikimin profetik”. Mesazhi lirik i Psalmeve ka si përçues komunikimi përmasën stilistike, metrike, simbolike të poezisë semitike. Që të hysh plotësisht në harmoninë e psalmeve është e domosdoshme një hapje ndaj mendjemprehtësisë së lirë dhe të rregullës së poezisë, një realitet i thjeshtë dhe kompleks[…].
Përdorimi i figurave të ndryshme poetike e stilistike në Bibël, po dhe në Psalme, thotë studiuesi Schökel, në pjesën më të madhe është i lirë, që kushtëzon sa natyrshmërinë, aq dhe shumësinë e kuptimeve që ato shprehin ose mund të shprehin e të shenjëzojnë. Kjo ndodh edhe me dukuritë e tjera që bëhen objekt vështrimi.
Brenda figurave stilistike të poezisë biblike duket se krahasimi është forma më e shpeshtë dhe më e njohura. Atë më tepër duhet marrë si një metaforë për arsye se kuptimi kryesor i krahasimit është hapësinor, zbatohet nga një fakt kohor i të folurit. Pamja – imazhi poetik në librat e Biblës është një nga përbërësit kryesorë; konfigurimi i parë, përfytyrimi ose reflektimi i parë shpirtëror, formulimi i parë komunikues.
Pamja është lavdia, mbase thelbi i poezisë, planeti magjik i fantazisë, galaktika e gjallë dhe e ndryshueshme, pa kohë e kufij. Pamja përherë është e përshkuar nga kontemplimi dhe transcendenca: bota shpirtërore shfaqet përmes ndijimeve që dëshmohen përmes shumësisë kuptimore të fjalëve, ku shprehen e njësohen realitete të shumta e të ndryshme.
Nëse nisemi nga fakti se poetët e vërtetë kishin për detyrë të përcillnin gjithë trashëgiminë e fjalëve, të përvojave, të pamjeve për të folur për Zotin dhe për t’i folur Zotit, atëherë duhet thënë se këtu kemi të bëjmë me njësimin e rrafsheve të ndryshme të shqiptimit, konkret dhe përfytyrues. Edhe kur mungon rrafshi ndërlidhës (korrelativ) duhet të nxirret nga nënteksti. Qenësia e pamjeve poetike të tilla është afrimi shpirtëror i asaj që është e largët, pra bashkimi i pa mëdyshtë i asaj që është e ndryshme; një tërësi artistike mund të kristalizohet në procese të ndryshme. A nuk shprehet kjo nga fjala e urtë: “Shpirti i njeriut është një vravashkë e Hyjit që i vëzhgon (vrojton) të gjithë skajet e fshehta të intimes (Fu 20, 27).
Rëndësia e pamjeve poetike edhe në Psalmet dëshmohet nëse e vëmë përballë poezinë me poezi, ku vërehet dhe modernizimi i poetëve biblikë. Duke folur për vlerën poetike të Psalmeve si lavde, studiuesi L. A. Schökel thotë se “Lavdia (Gloria), është substanca e poezisë […] matanë kufijve të kohës”, pra në librat e Biblës poezia është një thesar i simboleve religjioze, të thjeshta e të mrekullueshme”, është tema e lavdisë, gjegjësisht e doksologjisë.
Shprehjen poetike në Psalme e veçon shumësia dhe drejtpeshimi: “Një nga veçantitë më të rëndësishme të poezisë biblike është prania e një drejtpeshimi të elementeve që e përbëjnë atë. Drejtpeshimi i kuptimit (në kuptim) është fenomeni që rëndom është quajtur ‘paralelizëm’: është përsëritja, ose zhvillimi i një prirjeje poetike, në disa pjesë të vendosura paralelisht, pra argumenti i gjysmë vargut të një vargu është po ashtu argument i gjysmë vargut tjetër, edhe pse të shprehur shpesh me fjalë të ndryshme. Folja e gjysmë vargut ndonjëherë është e ngjashme, kundërshtuese, ose e ndryshme nga folja e gjysmë vargut tjetër: mendimi mund të përsëritet, të kundërvihet ose të zgjatet[25]”. Paralelizmat janë të ndryshme: sinonimikë, antitetikë, sintetikë. Është i njohur një paralelizëm i brendshëm dhe paralelizëm i jashtëm[26].
Kur e analizojnë në rrafshin poetik tekstin e Psalmeve duhet thënë se ai nuk mund të kuptohet krejtësisht; ai ka ato cilësi që nxitin një komunikim të thellë e të gjithanshëm me marrësin, dëgjuesin ose lexuesin. Struktura e mirëfilltë gjuhësore me veçantinë e saj shtjelluese dhe shprehëse poetike, shpesh është e pafund; herë – herë ofron vetëm ata përbërës të qenësishëm që i mundësojnë marrësit ta vazhdojë “zhvillimin” dhe pasurimin e mëtejshëm të kuptimeve të strukturës së tekstit përkatës. Nisur nga përcaktimi se teksti letrar është krijesë e mendjes dhe e përfytyrimit të autorit, atëherë: “Kur shkruhet me fantazi, duhet të receptohet (të pranohet) me fantazi”.
Për të dëshmuar se tekstet e Psalmeve janë krijesa para së gjithash të përfytyrimit, që krijohet përmes strukturës gjuhësore shprehëse, po sjell si dëshmi këtë tekst të veçantë nga Libri i Fjalëve të urta (Proverbat):
Tri gjëra janë shumë të vështira për mua,
ose më mirë katër, që nuk i kuptoj aspak:
rrugën e shqiponjës në qiell,
rrugën e gjarprit në shkëmb,
rrugën e anijes në detin e thellë,
rrugën e burrit në një grua të re (Fu 30, 18 – 19).
Për këto vargje Schökel thotë: “Kush i ka hartuar këto vargje është një poet i madh. E ne përpiqemi të shpjegojmë si ai e shpjegon atë që është e pashpjegueshme?”. Pra, “Pamjet nuk shërbejnë për t’i veshur idetë, po janë të lidhura me perceptimin e realitetit”.
Në qoftë se cilësinë e tekstit poetik duam ta interpretojmë përmes një teksti nga vetë Bibla, atëherë po kujtoj atë që thuhet në Librin e Jobit: “Sikur të heshtni të tërën: kjo ndoshta do të ishte për ju një veprim urtie” (Job 13, 5) ose në Psalmin 77, që lidhet me kalimin e Detit të Kuq:
Rruga jote nëpër det,
shtigjet e tua nëpër ujërat e mëdha,
po gjurmët e tua prapë nuk u bënë të njohura. (Ps 77, 20)
Thuhet se në Psalme, siç ndodh edhe në librin e Proverbave, është njeriu që flet, që nënkupton vetë të Shuguruarin dhe e bën këtë “[…] në formën e këngës, të poezisë e të lutjes. Kënga nuk është vetëm një modalitet praktik i përdorimit të Psalmeve, po është një fjalë që shpreh dhe komunikon në mënyrë të gjallë, të formësuar, ndjenjat njerëzore. Kënga duhet të merret si një ilaç kundër indiferencës, sipërfaqshmërisë me të cilën zakonisht e përballojmë jetën”.
Dukuria e përsëritjeve në Psalme është e shpeshtë dhe e rëndësishme; përsëriten fjalët, shprehjet, pjesë të vargjeve, vargjet, po dhe pjesë të tëra të tekstit. Veprohet në këtë mënyrë për arsye se Psalmet, si lutje, si këngë, si himne, si lavde janë kënduar ose recituar në raste e në rrethana të ndryshme. Në procesin e këndimit ose të recitimit – të lutjes së tyre – përsëritjet i kanë dhënë psalmit bukurinë, ritmin, tingëllimin; e kanë bërë më gjallërik, më të përfillshëm dhe më njësues. Përsëriten sidomos pjesët që Psalmtari ka menduar se janë të qenësishme për lutësin, përkatësisht për afrimin dhe njësimin me Hyjin shpëtimtar. Rreth kësaj dukurie Tizian Lorenzin thotë: Përsëritjet synojnë të tërheqin vëmendjen. Një nga format e përsëritjes është bashkëngjitja: një leksemë, një gjysmë vargu, një varg në fillim të një teksti përsëritet në fund të tërësisë. Kjo ndodh më shpesh në himne dhe në psalmet e dhënies së hirit.
Për t’u bindur për qenësinë e dukurisë së përsëritjes në Psalme mjafton të analizohet Psalmi 119 (118), më i gjati ndër 150 psalmet (me 354 vargje), që është një lloj sinteze e gjithë Shkrimit të Shenjtë, ku përsëritjet e shumta e të ndryshme të fjalëve, të shprehjeve dhe të vargjeve bëjnë qenësinë e tekstit. Në të vërtetë, gjithë psalmi është një përsëritje e veçantë. Përmes përsëritjes përligjet fuqia dhe domosdoja e afrimit dhe e njësimit me Hyjin dhe me mëshirën e tij.
Psalmtari e përligj në mënyrë sa të thellë aq dhe të gjithanshme përdorimin e lavdeve dhe përsëritjen e tyre drejtuar Hyjit, si njëra nga mënyrat e rëndësishme poetike dhe të komunikimit të njeriut me Hyjit, siç përligjet në psalmin 29:
Jepni, Hyjit, o bijtë e Zotit,
jepni Hyjit lavdinë dhe fuqinë.
Jepni Hyjit lavdinë e emrit të tij
përuluni Hyjit në dukjen e tij të shenjtë.
Zëri i Hyjit është përmbi ujërat,
Zoti i lavdisë bubullon,
Hyji mbi ujërat e mëdha.
Zëri i Hyjit është forca,
zëri i Hyjit është fuqia.
Zëri i Hyjit i thyen cedrat. (Ps 29, 1- 5).
ose në psalmet 47 dhe 150:
Këndoni himne Hyjit, këndoni himne,
këndoni himne mbretit tonë, këndoni himne;
(Ps 47, 7 – 8).
²
Lavdërojeni Hyjin në shenjtëroren e tij,
Lavdërojeni atë në madhërinë e kupës qiellore.
Lavdërojeni për veprat e tij,
Lavdërojeni për madhësinë e tij të pafund.
Lavdërojeni me tingëllimën e bririt,
Lavdërojeni me harpë dhe me cetër […]
Lavdojeni me cimbale tingëlluese
Çdo gjallesë le ta lavdërojë Hyjin (Ps 150, 1 – 6).
Përmes përsëritjes shqiptohet dashuria dhe veprimi konkret i Hyjit për t’i mbrojtur të mjerët, të verbrit, të burgosurit, por edhe për t’i penguar të këqijtë në veprimet e tyre të liga:
Hyji i liron të burgosurit,
Hyji u kthen shikimin të verbërve,
Hyji e ngrit atë që është rrëzuar,
Hyji i do të drejtit,
Hyji i mbron të huajt,
ai u ndihmon të mjerëve dhe grave të veja,
po ua ngatërron udhën të këqijve.
Hyji mbretëron përgjithmonë,
Hyji yt, o Sion, nga brezi në brez (Ps 146, 7-10).
Thomas S. Elioti thoshte se Psalmet si tekste poetike janë “kopsht i simboleve dhe i përfytyrimeve[32]”, që dëshmohet nga vetë tekstet e Psalmeve: në to përligjet shkathtësia dhe aftësia poetike e lartësuar e autorëve të tyre, siç vërehet edhe nga këta shembuj:
Ti që na ushqen me bukë lotësh,
që bën të pimë lot me mbushullim. Ps 80,6
²
Më mbërthejnë dallgët e vdekjes,
më rrëmbejnë përrenjtë e ferrit,
njëmend më mbështjellin penjtë e skëterrës
njëmend më shtrëngojnë kurthet vdekjeprurëse. (Ps 18, 5 – 6).
²
i mbështjellë me dritë si me një petk,
ti që i shtrin qiejt si një tendë,
ndërto mbi ujëra vendbanimet e tua të larta,
bëj nga retë karrocën tënde
udhëto mbi krahët e erës,
bëje nga erërat kumtarët e tu
e ministrat e tu nga rrufeja. (Ps 104, 2-4)
Vlerat poetike të mëdha e të shumta të Psalmeve kushtëzuan që ato u bënë burim i rëndësishëm frymëzimi i shkrimtarëve dhe i kompozitorëve të brezave dhe të kohëve të ndryshme[33], jo vetëm pse shqiptojnë ngjarje nga historia shekullore e Izraelit, si popull i zgjedhur i Hyjit, por para së gjithash pse i shprehin ato përmes një sistemi të pasur shprehës poetik dhe për shumësinë e mesazheve që dalin prej tyre.
²
Nga ajo që u tha përmbledhtas në këtë Parathënie kushtuar Psalmeve del se teksti i tyre jo vetëm që e lartëson shpirtin e njeriut drejt Hyjit si dashuri dhe hir, e nxit dhe e frymëzon për vepra të mirëqenies së tij dhe të tjetrit, po e fisnikëron dhe e bën atë më të përsosur e më njerëzor. Pikërisht me këtë qenësi lidhet ky përkthim i im i Psalmeve.