3.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenRestaurimi i Kishës së Shëlbuemit në Rubik
HomeDioqeza RrëshenRestaurimi i Kishës së Shëlbuemit në Rubik

Restaurimi i Kishës së Shëlbuemit në Rubik

Kanë përfunduar punimet për restaurimin e Kishës së T’Shëlbuemit dhe me këtë rast u bë dhe një aktivitet përurues ku morën pjesë; ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, ministrja e kulturës znj. Elva Margariti, Drejtuese e UNOPS në Shqipëri, Znj. Pamela Lama, kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, përfaqësues të disa ambasadave etj.

Në takimet me ambasadorin Soreca dhe ministren e Kulturës znj. Margariti, kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj i falenderoi ata për angazhimin serioz në këtë projekt restaurues të trashëgimisë kulturore nga më të rëndësishmet në vendin tonë, për më tepër që ky është i pari vend i trashëgimisë kulturore në Shqipëri që restaurohet me sukses falë mbështetjes evropiane.

Në fjalën e tij të përshëndetjes Ipeshkvi i Dioqezës Rrëshen, Imzot Gjergj Meta, duke përgëzuar për punën e bërë nga të gjithë punëtorët e specialistët për restaurimin profesional, komunitetin europian për financimin e projektit dhe gjithë ata që janë marrë me zbatimin e tij nga projektuesit tek zbatuesit, u shpreh se kjo kishë ka rëndësi të madhe për Mirditën, kalimi i Rrugës së Kombit përbri saj, e bën ndër monumentet më të rëndësishëm që na lidh me vëllezërit dhe motrat tona, është si një “letërnjoftim i Mirditës” për të gjithë ata që vijnë nga viset e tjera të vendit në drejtim të Kosovës.

Ndër të tjera ai evokoi dhe ngjarjen e 1 dhjetorit 1912, kur pikërisht në truallin e kësaj kishe, Krerët e Veriut, të mbledhur përreth famullitarit franceskan At Pal Dodaj, ngritën flamurin kombëtar. Kjo kishë nuk është si një “shtatore e vdekur” që ngjallet vetëm kur ka turistë, këtu është ndryshe, këtu është një tempull i Shpirtit, një hapësirë ku njerezit takohen me Zotin dhe njëri-tjetrin, ndaj tempuj të tillë e meritojnë të jenë kështu të bukur, siç është kjo kishë.

Znj. Pamela Lama, drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri, duke falënderuar pjësëmarrësit tha se është kënaqësi që gjendemi bashkë në përurimin e restaurimit të kishës Manastir të Rubikut. Ajo tha se ky projekt është një nga investimet më të mëdha të BE-së në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe përmes këtij projekti ato monumente të prekura nga tërmeti i 2019-s do të restaurohen dhe rijetëzohen për ta bërë turizmin një forcë shtytëse për zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Më tej ajo tha se është kënaqësi për të gjithë ne që po e përurojmë këtë restaurim para Krishtlindjeve, që ky vend të vizitohet e të ndjehet prej të gjithë besimtarëve të krishterë. Punimet e kryera kanë prekur çatinë, fasadat, dhe brendinë e kishës, e cila na ka shfaqur gjithë traditën dhe pasurinë e traditës së ndërtimtarisë që nga shekulli i 12-të, rindërtimit të shekullit 16-të dhe pamjen që ka marrë sic është sot në shekullin e 19-të. Çdo shtesë apo ndërhyrje na ka zbuluar pasurinë historike që ka vetë ndërtesa. Në gjithë këtë punë të vështirë ku janë ruajtur muralet, afresket, duhet përmendur fakti se punëtorët dhe specalistët kanë qenë shqiptarë dhe prej Rubikut, duke dhënë ndikimin ekonomik për zonën këtu. Më tej ajo tha se do të ketë një skemë grantesh të tjera duke thënë se përmes tyre do të stimulohen edhe studentët. Ajo falenderoi projektuesit, arkitektët, financuesit, BE-në, ndjekësit e përditshëm të punimeve që nga arkitekët dhe mjeshtrit, famullitarin e kësaj kishe dom Genc Çupi dhe drejtuesit e specialistët vendorë si dhe autoritetet e kulturës të Drejtorisë rajonale Shkodër dhe Ministrisë së Kulturës, etj.

Ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti, u shpreh se objekti i parë që po përurojmë është një kishë, ndaj uroj të jetë një ogur i mirë. Ky manastir nuk është thjeshtë një objekt kulti apo monument kulture, por mbi të gjitha është një objekt shprese dhe e ka treguar më së miri nga qasja që ka pas komuniteti. Këtu ndishesh si në një vend legjendash, ku prej këtu sipër në shkëmbin e bardhë duket sikur një Vigan e ka vënë me dorën e vet pikërisht këtu në mes shkrepash të bardhë këtë Kishë të mrekullueshme. Një vend i bekuar nga Zoti, që ka shumë për të treguar me të gjitha misionet që ka kaluar ndër vite e shekuj, furtunat që e kanë prekur, e ku tërmeti i shtatorit të para dy viteve ishte i fundit, por ama ishte i pari që bëri që ky vend të shihet më mirë për nga madhështia e tij. Ky restaurim dhe rijtetëzim përcjell një mesazh shprese për kohët e vështira që kalojmë, i gjithë programi i Eu4culturë ka përcjellë shpresë. Ka qenë i pari partner që iu afrua kërkesës sonë, jo vetëm për të restauruar, por pikërisht për të sjellë shpresën, ndaj projekti i kësaj kishe duhet parë nën emrin e një objekti të shpresës dhe optimizmit. Besoj se kjo e bën Rubikun dhe Mirditën më të njohur nga ne, ta vendosim më afër ku të sjellim dhe fëmijët tanë për t’u treguar këtu copëza të historisë sonë shqiptare. Ashtu siç po bëjmë dhe në zonat e tjera.

Ambasadori i BE-së Z. Luigi Soreca, u shpreh se të gjithë ne ndihemi nën emocione të papërshkruara në këtë buzëmbrëmje në këtë Manastir të hershëm, objekt hyjnor, të cilit përmes këtij projekti i është kthyer shkëlqimi i shekujve. Kur e kemi diskutuar atë ide, që fillimisht dukej si një “çmenduri”, për të restauruar dhe rijetëzuar objekte e trashëgimisë kulturore apo fetare në Shqipëri në shenjë solidariteti për Shqipërinë. Por ne ia arritëm të shohim frytet e bashkëpunimit. Kur ne themi se do rindërtojmë sëbashku, e bëjmë këtë të gjithë sëbashku.

Faleminderit shumë edhe kryetarit të bashkisë z. Dedaj, për diskutimin që patëm sëbashku në “Javën e Europës” në Mirditë kur po mereshim me projektin,  ndaj ja ku jemi sot me këtë realizim të shkëlqyer. Gjithsesi, dua të shtoj se sot nuk jemi këtu sepse përfundoi gjithçka, ne sapo kemi filluar.

Pas një “brifingu” nëpër mjediset e restauruara dhe panoramën që përcjell kisha Manastir mbi Shkrepin e Bardhë të Rubikut me pamjen mahnitëse për nga lugina e Fanit dhe udhës transballkanike për Kosovë, zbulimi i pllakatit te restaurimit u bë nga nga ministrja e kulturës znj. Margariti dhe At Pashk Gojçaj, Kustod i Françeskanëve të Kustodies “Zoja Nunciatë”.

Më pas në mjedisin e brendshëm të kishës u dha një koncert i bukur me pjesë klasike nga artistë të Universitetit të Arteve në Tiranë.

Duhet theksuar fakti se një pjesë e rëndësishme e punimeve të konservimit kishte të bënte edhe me stabilizimin emergjent të asaj çka ka mbetur nga pikturat murale.

Kisha e Rubikut është sit-i i parë që sapo përfundoi me sukses restaurimin dhe konservimin e përmasës njëmijëvjeçare të krishtërimit të dokumentuar, nga abati i Shelbuemit të Rubikut (1166) deri te Fishta, Doçi, Gjeçovi, Dodaj, Marlaskaj, Palaj, Kabashi, edhe si një amanet i misionarëve të shekujve në këtë Tempull të Shenjtë.

“Restaurimi i kishës së T’Shëlbuemit në Rubik, paraqet një moment shumë të rëndësishëm për programin EU4Culture të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”, thuhet në postimin e bërë nga Bashkia e Mirditës në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme