Në Marsejë po zhvillohen takimet mesdhetare, të organizuara nga Arqidioqeza e Marsejës.
Takimet do të zhvillohen nga data 18 deri më 24 shtator 2023, duke përfunduar me vizitën apostolike të Papa Françeskut. Me këtë rast marrin pjesë 120 ipeshkvinjë katolikë, gjithashtu ipeshkvinjë përfaqësues nga Shqipëria, Arqipeshkvi i Shkodrës mons. Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Tiranës mons. Arjan Dodaj dhe Ipeshkvi i Administraturës Apostolike të jugut mons. Giovanni Peragine. Po ashtu të rinj të të gjitha besimeve nga 30 vende të Mesdheut do të mblidhen për të shkëmbyer dhe punuar mbi sfidat aktuale (varfëria e lartë, migrimi, pluraliteti fetar, mjedisi, kultura e paqes… )
Kjo ngjarje do të bashkojë gjithashtu të gjithe rektorët e Shejtnoreve të Mesdheut në Bazilikën Notre-Dame de la Garde, ndër të cilët merr pjesë dhe rektori i Shejtnores së Zojës së Këshillit të Mirë, Dom Artur Jaku
Gjatë këtij takimi rektori i Shejtnores do të flasë mbi rolin dhe vlerat historike e shpirtërore që mbart kjo Shejtnore por dhe sfidat që ka hasur ndër shekuj e vazhdon deri më sot.
“Shejtnoret vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, në të gjithë botën, si një shenjë dalluese e besimit të thjeshtë dhe të përulur të besimtarëve, të cilët gjejnë në këto vende të shenjta dimensionin themelor të ekzistencës së besimtarit të tyre.
Këtu, ata përjetojnë në një mënyrë të thellë afërsinë e Zotit, butësinë e Virgjërës Mari dhe shoqërinë e shenjtërve: një përvojë shpirtërore e vërtetë që nuk mund të zhvlerësohet nën ndikimin e Shpirtit Shenjtë dhe të jetës së hirit. ” thotë Papa Françesko duke theksuar rëndësinë shpirtërore që mbartin shejtnoret në botë.