Zhvillohen takimet mesdhetare nga datat 18-24 shtator në Marsejë: “Mesdheu, kufi i paqes”

Arqipeshkvi ynë, Imzot Arjan Dodaj F.d.C. po merr pjesë këto ditë në një mbledhje të rëndësishme “Rencontres Méditerranéennes”, mbi temën e emigracionit. Bëhet fjalë për takimet mesdhetare të organizuara nga Arqidioqeza e qytetit bregdetar francez Marsejë, të cilat kanë filluar të dielën, më 17 shtator e do të përfundojnë në datën 24, me vizitën apostolike të Papa Françeskut.

Kjo nismë vjen pas dy takimeve të tjera të reflektimit e të përshpirtërisë, me titull “Mesdheu, kufi i paqes”, që u mbajtën fillimisht në Bari, më 2020 dhe më pas në Firence, më 2022. Këto Takime Medhetare, bashkojnë liderët kishtarë dhe civilë, për të promovuar rrugët e paqes, bashkëpunimit dhe integrimit rreth “mare nostrum”, me vëmendje të veçantë ndaj fenomenit migrator – sfidë jo e lehtë, siç e shohim edhe nga lajmet e ditëve të fundit.

Në Marsejë janë mbledhur ipeshkvijtë e pesë brigjeve të Mesdheut, nga Afrika e Veriut, Lindja e Afërt ndërmjet Detit të Zi dhe Detit Egje, Ballkani dhe Evropa latine: një mundësi më shumë për pjesëmarrësit, ipeshkvijtë dhe të rinjtë, që të punojnë së bashku për dialogun dhe kulturën e takimit në brigjet e Mesdheut.

Imzot Arjani pati mundësi të paraqesë, duke folur gjatë tryezës rrumbullake, një profil fetaro- historik të Shqiperisë, të shënuar nga izolimi total, por duke theksuar njëkohësisht atmosferën vëllazërore që përjetohet në vendin tonë. Ndërkohë, duke folur për misionin dhe shërbesën e Kishës, ai nënvizoi disa sfida të reja me të cilat duhet të përballet sot: sfida e inercisë, e infokracisë dhe e rezultateve të shpejta.