16.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPunonjësit e Caritaseve qё shërbejnë nё Shqipёri udhёs drejt Krishtlindjes
HomeJeta e KishësPunonjësit e Caritaseve qё shërbejnë nё Shqipёri udhёs drejt Krishtlindjes

Punonjësit e Caritaseve qё shërbejnë nё Shqipёri udhёs drejt Krishtlindjes

Punonjësit e Caritaseve qё shërbejnë, nё emёr tё Kishёs Katolike, nё Shqipёri patёn njё takim pёrgatitje shpirtërore, nё kёtё kohё liturgjike tё Ardhjes, pёr festёn e Lindjes sё Krishti qё po afrohet. Takimi, qё u mbajt nё fshatin e Paqes nё Shkodёr, mё 2 dhjetor, pati momente reflektimi dhe kremtimin e Meshёs, udhёhequr nga dom Gjovalin Simoni, drejtor i Caritasit tё kryedioqezёs sё Shkodёr dhe famullitar i Kishës sё “Të Shëlbuemit”, në Dajç të Bregut të Bunës. Takimi është një cikël prej tre takimesh përgjatë kohëve tё forta liturgjike nё përgatitje tё Sinodit qё Papa ka ftuar gjithë Kishën.

Shumë njerëz përgatiten në mënyra të ndryshme për këtë kohë e sidomos për Krishtlindjen që është kulmi i saj, por janë të pakët ata që ndalen e sodisin autorin ose më mirë personazhin kryesor të kësaj kohe: që është Krishti fëmijë. Një fëmijë i varfër, i pambrojtur e i mënjanuar. Mund të themi si shumë njerëz të ditëve tona. Prandaj, misteri i Krishtlindjes është sa hyjnorë, aq edhe konkret, i mishëruar në botën tonë, në ata persona që na rrethojnë çdo ditë“, tha mes tjerash nё homelinё e rastin dom Gjovalin Simoni.

 Meditim për Kohën e Ardhjes

“Jezusi, i varfëri i Nazaretit e samaritani i mirë”.

 “Kush në jetën e tij, i ka ndezur edhe vetëm një qiri dikujt që ka pasur nevojë,  jeta e tij nuk ka qenë e kotë”.
(Shën Tereza e Kalkutës)

 “Me bamirësinë ndaj të afërmit, i varfëri është i pasur dhe pa bamirësinë ndaj të afërmit, i pasuri është i varfër”. (Shën Agustini)

Kemi filluar Kohën e Ardhjes, një kohë e cila na zhyt menjëherë në atmosferën e pritjes së Krishtit fëmijë. Shumë njerëz përgatiten në mënyra të ndryshme për këtë kohë e sidomos për Krishtlindjen që është kulmi i saj, por janë të pakët ata që ndalen e sodisin autorin ose më mirë personazhin kryesor të kësaj kohe: që është Krishti fëmijë. Një fëmijë i varfër, i pambrojtur e i mënjanuar. Mund të themi si shumë njerëz të ditëve tona. Prandaj, misteri i Krishtlindjes është sa hyjnorë, aq edhe konkret, i mishëruar në botën tonë, në ata persona që na rrethojnë çdo ditë.

Jezusi, i varfëri i Nazaretit, zgjedh pikërisht rrugën e përvujtërisë, të thjeshtësisë e të varfërisë për t’u bërë solidarë me të gjithë njerëzit, pa lënë pas vetës asnjë të varfër. Që nga lindja e tij në një shpellë të thjeshtë, i varfër e i pambrojtur, ka treguar dashurinë dhe empatinë e tij për të gjithë ata që si ai kanë fatin e jetës të lindin në kushte të tilla varfërie edhe në ditët e sotme.

Më pëlqen ta shoh ardhjen e Krishtit si ardhja e Atij që sjell revolucionin e dashurisë, nëse deri para Krishtit ndoshta mbizotëronte ligji i kategorizimit të njerëzve, kush është më i miri, më i forti më i pari, pse jo edhe më fetari, ndërsa Jezusi vjen për të përkrahur të fundit, të varfrit e të dobëtit e madje identifikohet me to. Ky është edhe mesazhi i pjesës së ungjillit të Samaritanit të mirë që kam menduar ta paraqes sot.

Ungjilli i Lukës 10,25-37.

25 Kur qe, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: 26 “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” 27 Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” 28 Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” 29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” 30 Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e lanë veç gjallë. 31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxorri dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ 36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” 37 Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!”
 

Dialogu mes Jezusit dhe dijetarit, hapet me pyetjen që ky i fundit i drejton Krishtit: Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Duket sikur, jeta e pasosur është vetëm sforco e veprave njerëzore, por pa dashur të hyjmë në këtë analizë, Jezusi e dinte mirë që tradita hebreje, ishte rigoroze në mbajtjen e 613 rregullave Biblike. Duke parë këtë saktësi të ftohtë përgjigjeje, që nuk kishte të bëjë aspak ndoshta me ndjenjat dhe qëllimet e thella fetare, Jezusi përpiqet për t’i dhënë një fytyrë personale atij “të afërmit” për të cilin pyet dijetari. Pra, Jezusi e kalon argumentin nga aspekti objektiv: kush është i afërmi?; në aspektin subjektiv: kush ka vepruar si i afërm?. Në personin e gjakosur, të rrahur dhe të braktisur gjendet njerëzimi i grabitur e plaçkitur në dinjiteti i vet. Afër tij kalojnë një levit dhe një meshtarë, te dy që sipas traditës nuk mund të “ndotnin” duar me gjakun e të plagosurit, sepse kështu thoshte ligji, rregullorja e religjioni i tyre. Duhet të kalonte një “i huaj”, samaritanas, që t’ju jepte shembullin e shërbimit. Është pikërisht ky samaritanas në të cilin Jezusi e personifikon të afërmin. Ky është i afërmi, ai që e lejon veten të preket në zemër.

I afërmi nuk është vetëm ai i mishit e i gjakut, i religjionit, i fisit, i klanit, i atij që mendon si ti. I afërmi në këtë rast bëhet “i huaji”. Ajo që e shtyu pikërisht këtë samaritanas, që të kujdesej për të, ishte mëshira. Ky samaritanas, nuk ka bërë diçka shumë të veçantë në fund të fundit, por mendoj se dy gjëra spikasin: a) liria e brendshme, që edhe pse ndihet i huaj, merr përsipër rrezikun e akuzave dhe fjalëve nga vendasit për gjestin që bën; b) kohen që i dhuron, merret disa ditë me të.

Papa Françesku në enciklikën e tij të fundit: “Vëllezër të Gjithë”, duke komentuar këtë pjesë thotë: “në këtë periudhë që po jetojmë, me një rritem gati të shfrenuar, e kemi të kushtueshme kohen, dhe me shumë vështirësi arrijmë t’ia dhurojmë dikujt falas, duke prishur kështu interesat tona”. Ndoshta është bamirësia më e veçantë t’i dhurosh dikujt kohën tënde, sepse në fund të fund të fundit po i dhuron pjesë nga jeta jote, po tregon dashuri dhe respekt për të.

Të jetosh bamirësinë e krishterë sot nevojitet të hapesh sytë e të shohësh të plagosurit e ecjes sate, që nuk janë domosdoshmërish ata të aksidentuarit e largët dhe të kronikave televizive, por të jesh i ndjeshëm ndaj personave që vuajnë shpirtërisht, njerëzisht e ndoshta më shumë se sa materialisht. Përballë këtyre situatave, vazhdon Papa: “rrezikojmë që të jemi të përqendruar shumë mbi nevojat tona. Të shohësh dikë që vuan, me siguri që na shqetëson, na vë në siklet, sepse nuk duam të humbim kohë me problemet e të tjerëve. Këta janë sintoma të një shoqërie të sëmurë, sepse mendon të ndërtojë një kulturë që i sjell shpinën dhimbjeve”. Në fakt, kjo është kultura që përjashton vuajtjen, duke idealizuar mirëqenien, përjashton kryqin duke jetuar një ringjallje artificiale.

Duke marr shkas nga kjo pjesë ungjillore që patjetër na prek në ndërgjegje të gjithëve kur gjendemi përballë apelit të Krishtit në Ungjillin e Mateut 25, “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.” Dëshiroj të ndalem në dy dimensionet klasike të jetës sonë kishtare e komunitare: ad intra dhe ad extr

a)     Bamirësia ad intra (brenda)

–  Kisha/Caritasi. Mendoj se kemi nevojë që herë pas herëtë ngremë shikimin edhe përtej rrethimit të kishës sonë famullitare/ departamentit tonë/Caritasit tonë etj. Të shohim e të ndiejmë me gjithë kishën. Besoj se hapi i parë është kujtesa apo “anamnesi” në gjuhën biblike. Kemi bërë shumë gjëra këto vite. Me siguri do të ishin bërë shumë më tepër, por nuk është e drejtë që me këtë logjikë të “pangopurës”, të humbet edhe ajo e mirë që realisht është bërë në kishën tonë e në Caritas. Mendoj se edhe kjo është një formë bamirësie që mund t’i japim botës, të falënderojmë Zotin, bamirësit e njëri- tjetrin për të mirat që kemi marrë e kemi dhënë në kishë.

Nga anamnesi lind edhe mirënjohja. Ky kriter vlen edhe në aspektin shpirtërorë. Vetëm kur të kujtosh të mirat që Zoti ka bërë në jetën tënde, do të arrish ta falënderosh thellësisht Atë. Sa veprat të mira i bën secili në misionin e vet! E misioni i Caritasit, ndoshta është edhe ky, një kujtesë falënderuese për secilin që me mundë e sakrificë iu gjendeni pranë shumë të varfërve me vepra e shenja të pranisë së Zotit që kujdeset për botën. Ndoshta ky është ilaçi më i mirë që shëron kritikën ankuese që vetëm dëmton, apo edhe “mosngopjen” e vazhdueshme që nuk di të falënderojë asnjëherë. Një ushtrim i mirë mund të jetë që vihemi para Zotit, t’i kalojmë ndërmend të gjitha këto dhe ta falënderojmë Atë, me gjithë zemër.

–  Njëri-tjetri. Aspekti i lartpërmendur kishtarë/komunitar (eklesial) por edhe falënderues, ndikon shumë pastaj edhe në dy aspektet tjera, qoftë në atë relacional, si edhe na atë personal. Pa dyshim që forma më fisnike e bamirësisë në Kishë është edhe kujdesi reciprok për njëri-tjetrin, për Ipeshkvin, kolegun e punës, bashkëpunëtorët e projektit, për motrën, për besimtarin. Kjo nuk do të thotë që të mbyllesh në rrethin e ngushtë, por të dish që ta shohësh “të afërmin” e parë që ke ndër sy, pa pasur nevojë të shkosh në një vend të largët. Ndoshta vetëm duke u kujdesur për këto “të afërm” mund të fillojmë të hyjmë në logjiken mishëruese të Ungjillit, që nuk lë jashtë asnjërin por secilit i gjendet pranë.  Secili prej nesh ka ato “plagosjet” që janë shenjë e një përpjekje për të ecur, për t’u rritur.

Jemi “samaritanë të mirë”, jo vetëm ndaj mijërave personave që ju shërbejmë në spitale ose në famullitë tona, por le të jemi samaritanë të mirë edhe ndaj plagosjeve dhe dobësive të njëri-tjetrit. Të kemi shumë respekt për dinjitetin e secilit, të kemi shumë maturì ndaj fjalëve dhe (para)gjykimeve. Papa Françesku në enciklikën e tij: “Vëllezër të gjithë”, na kujton se mirësjellja dhe respekti i lirojnë marrëdhëniet njerëzore nga mizoritë e ndryshme e nga inatet.

Një ushtrim i mirë shpirtërorë mund të jetë: lutja e vërtetë për njëri-tjetrin, vizitat, takimet e sinqerta, ndeshjet sportive, bashkëndarjet e ndryshme. (krh.Kol. 3,12-16)

–  Vetvetja. Kjo ndoshta është forma e bamirësisë më e çuditshme edhe pse ne jemi edukuar me formën e shenjtë të dhurimit për të tjerët. Por efikasiteti i këtij dhurimi varet edhe nga dashuria, kujdesi, respekti që tregojmë edhe ndaj vetës. Ky nuk është egoizëm. Shpesh herë e marrim për të mirëqenë faktin se kemi kujdes për veten, por nuk mjafton vetëm ai kujdesi bazë fiziologjik, por duhet më shumë. Është e nevojshme që të mos harrojmë secili statusin e vet, thirrjen, profesionin, prandaj edhe përgjegjësia e kujdesit nuk është vetëm bazik, por duhet të jetë në proporcion edhe me statusin dhe shërbimin e shenjtë që zhvillojmë. Prandaj nuk duhet të harrojmë që të jemi bamirës edhe ndaj vetvetes: me kujdesin fiziologjik e shëndetësor, njerëzor dhe shpirtëror. Pastaj, është gjë e mirë dhe e shenjtë t’i japim vetës edhe momente të denja argëtimi e pushimi në përputhje me dinjitetin e statusit tonë. Por edhe në këtë aspekt personal, është shenjë dashurie vëllazërore nëse e shohim një vëlla ose motër të shkujdesur dhe i këshillojmë.

Ja pra Jezusi fëmijë, i varfëri i Nazaretit e samaritani i mirë dëshiron të na vizitojë në këtë kohë të ardhjes në këto situata që ndodhemi: në Caritas, në marrëdhëniet tona e të na vizitojë personalisht brenda vetes sonë.

b)  Bamirësia ad extra (jashtë)

–  Fytyra e Kishës: shërbëtor të të varfërve të botës.

Natyra më e thellë e Kishës është shprehur në përgjegjësinë e saj të trefishtë: në të shpallurit e Fjalës së Zotit (Kerygma-martyria), në të kremtuarit e sakramenteve (liturgia), dhe në të ushtruarit e shërbimit të bamirësisë (diakonia).

Me siguri se i tërë misioni i Kishës është bamirësì, pra dashuri. Misioni i kishës është rrezatimi i dashurisë dhe i bashkimit të saj. Sikur të mos ishin këto parime, do të rrezikohej të ishte organizatë jofitimprurëse. Është e rëndësishme edhe pikëpamja e jonë ndaj Kishës, dhe ndaj shërbimit tonë si njerëz të kishës. Në fakt nuk duhet të harrojmë kurrë se misioni ynë si kishë është një shërbim i cili si i tillë ka vlera ungjillore. Edhe Shën Pali, në fakt, kur flet për priftërinjtë parapëlqen të përdorë sinonimin “mbarështues” ose siç mund ta quajmë edhe ndryshe administrator edhe në gjuhën e sotme. Për këtë arsye ata përkufizohen nga ai si “shërbëtor të Krishtit dhe mbarështues të mistereve të Hyjit” (krh.1Kor 4,1). Mendoj se këta dy terme janë udhërrëfyesit tanë: shërbim dhe bamirësi, ose të shërbesh falas, me dashuri. Pra nuk jemi pronarë ,drejtues, urdhërues, por jemi thjeshtë shërbëtor.

– Dora e Kishës: duar të shtrira dhe duar përkëdhelëse.

 Tani po jetojmë në një kohë të pazakontë  për shkak të pandemisë, ku varfëria është më e dukshme dhe më e prekshme. Për këtë arsye edhe Papa Françesku në mesazhin e tij të përvitshëm kushtuar Ditës Botërore të të Varfërve, të vitit të kaluar, e ka titulluar“Shtrija dorën tënde të varfrit” (krh. Sir 7,36). Ja çfarë na porositë Papa: T’ia shtrish dorën: është një shenjë që na kujton menjëherë afërsinë, solidaritetin, dashurinë. Në këto muaj ku e tërë bota është prekur nga një virus i cili ka shkaktuar dhimbje dhe vdekje, pikëllim e shqetësim, sa duar të shtrira kemi parë! Dora e shtrirë e mjekut që përkujdeset për pacientin duke u përpjekur të bëjë më të mirën. Dora e shtrirë e infermierit, që edhe pse jashtë orarit të punës, është e gatshme për të mjekuar të sëmurët. Dora e shtrirë e punëtorit që përkujdeset në punë të ndryshme për të siguruar jetën e sa e sa njerëzve. Dora e shtrirë e meshtarit që bekon me gjithë zemër. Dora e shtrirë e vullnetarit që u shërben atyre që jetojnë nëpër rrugë, të cilët edhe pse kanë një shpi, por nuk kanë për të ngrënë. Dora e shtrirë e burrave e grave që ofrojnë shërbimin e tyre thelbësorë e të sigurt.”

Vetëm në këtë mënyrë e luftojmë kulturën e mospërfilljes siç e thekson edhe Papa: “Shtrija dorën tënde të varfrit”, bën që të shpërthejnë ata të cilët i mbajnë duart e veta në xhepa dhe nuk mallëngjehen nga varfëria, ku shpesh herë janë edhe shkaktarë të saj. Mospërfillja dhe tallja janë ushqimi i tyre i përditshëm. Është krijuar kështu një globalizim mospërfilljeje, vetëm me vetëm për të mbajtur një stil jete që i përjashton të tjerët. Gati pa e vënë re, bëhemi të paaftë për ta ndier britmën e dhimbjes së të tjerëve; nuk qajmë më nga drama e tjerëve dhe as nuk kujdesemi më për to, sikur të mos ishte më një përgjegjësi e jona, që na takon neve”( Nxitja Ap. Gëzimi i Ungjillit, 54).

–  Zemra e Kishës: bamirësia dhe dashuri.

 Shën Tereza e Jezusit fëmijë,  në autobiografinë e saj, pas shumë përpjekjesh shpirtërore tregon në rrëfimet e saja se thirrja kryesore e jetës është të jesh dashuria në zemrën e Kishës. “ Kuptova më në fund se dashuria përqafon dhe përfshinë çdo thirrje; që dashuria është gjithçka, që shtrihet në çdo kohë e në çdo vend. Me një fjalë: dashuria është e përjetshme. Vetëm atëherë, e ngashënjyer nga gëzimi mafjepsës thitha fort: O Jezus, dashuria ime! E gjeta thirrjen e jetës sime. Thirrja ime është dashuria. E gjeta vendin tim në Kishë, këtë vend, që ma ke dhuruar Ti o Zoti im. Në zemrën e Kishës, nënës sime, unë do të jem dashuria; dhe do të përpiqem me gjithë zemër që ta bëj realitet”.

Me siguri që Shën Tereza frymëzohet nga letra e Shën Palit drejtuar Korintasve:

“Dhe, ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon! Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk është mendjemadhe, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë” (1Kor 13,1-8).

 Na shoqëroftë Nëna e Tenzot, që më shumë se gjithçka është edhe Nëna e të Varfërve. Me Krishtin Fëmijë në krahët e saj, na mbushë me dashurinë e saj amnore. Virgjëra Mari i njeh nga afër vështirësitë dhe vuajtjet e atyre që janë të mënjanuar, sepse vetë ajo ka sjellë në dritë Birin e Zotit në një shpellë.

Maranà-tha: Eja o Zot Jezus, në këtë botë të plagosur e sille dashurinë tënde!

Dom Gjovalin Simoni

Marrё nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme