10.5 C
Tirana
HomeEditorialPsalmet – dëshmi e besimit në Hyjin dhe e mistereve të dashurisë
HomeEditorialPsalmet – dëshmi e besimit në Hyjin dhe e mistereve të dashurisë

Psalmet – dëshmi e besimit në Hyjin dhe e mistereve të dashurisë

ANTON NIKË BERISHA

Pjesa 1

Besëlidhja e Vjetër përmban në vete një përvojë të jashtëzakonshme të besimit në Hyjin, përvojë shumështresore diturore, filozofike dhe jetësore. Psalmet janë dëshmia më e mirëfilltë e rëndësisë së besimit të njeriut në Hyjin dhe e besëlidhjes me të: “Qiejt rrëfejnë lavdinë e Hyjit, / veprat e duarve të tij i shpall kupa e qiellit” (Ps 19, 2); “Lum ai që banon në shtëpinë tënde: / i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5). Ato bashkë me Këngën e këngëve dhe Jobin janë ndër krijesat më poetike të Besëlidhjes së Vjetër që kanë zgjuar interesimin e jashtëzakonshëm të një varg teologësh dhe studiuesish të periudhave e të moshave të ndryshme dhe teksti i tyre përligj një rrafsh të lartë të vlerave poetike shprehëse dhe të komunikimit poetik, të pasura me simbole dhe të shtjelluar mirëfilli; një teologji e lutjes, një përsiatje e nënkuptuar e takimit me Hyjin. Në to shqiptohet gjithë përshpirtëria e Besëlidhjes së Vjetër dhe lidhja e ngushtë me përjetimin shpirtëror të Popullit të zgjedhur me Hyjin e Besëlidhjes.

Është thënë me të drejtë se Libri i Psalmeve është “[…] libri më i njohur dhe më i dashur i Biblës në Qumran, në komunitetet e hebrenjve helenikë dhe në Besëlidhjen e Re” po dhe “më i përdoruri në antikitet”. Përdorimi i tij vijoi dhe më vonë dhe është i tillë edhe sot e gjithë ditën. Janë me dhjetëra e qindra punime që i janë kushtuar këtij libri, gjë që do të ndodhë edhe në të ardhmen. Këtë dukuri e kanë kushtëzuar dhe e kushtëzojnë qenësia e Psalmeve për njeriun e secilës periudhë dhe natyra e gjuhës hebraike, sidomos gjuha e pasur poetike e përdorur në to dhe se “Me Psalmet dhe me Këngën e këngëve, Bibla u hapi hullinë e hyrjes dy forcave më të mistershme me të cilat Hyji e ka pajisur njeriun: forcën e Lutjes dhe atë të Dashurisë […] këngët e Psalmeve dhe të Këngës bëjnë pikat e përjetshme të rigjetjes së mistereve më të thella të zbulimit dhe të ndriçimit”.

Psalmet janë lutje, himne, lavde, hartuar rreth 3000 vjet më parë që u përdorën në rrjedhën e shekujve nga hebrenjtë dhe (më vonë) nga të krishterët. Në qenësinë e tyre ato janë lutje individuale dhe kolektive, janë thirrje – grishje  drejtuar Hyjit shpëtimtar dhe hirit të tij. Në Psalme këmbehen “[…] netët e botës dhe netët e shpirtit, shpirti i jepet këndimit të psalmeve, identifikohet me njeriun unik që sython dhe vuan, që pëson goditjen e shqetësimit dhe që përgjak e që është martirizuar dhe nuk resht të këndojë në qartësinë fantastike që e mbush. Shpirti është bartur (transportuar) nga magjia e ritmeve hebraike, dalëngadalë shpirti i Psalmtarit bëhet shpirti ynë, lufta e tij, lufta jonë, dhimbja e tij, dhimbja jonë, agonia e tij, agonia jonë, ajo e gjithë njerëzve, në shekuj të shekujve, e përcaktojnë jetën në këtë flakë të gjallë. Dalëngadalë shpirti ynë futet (depërton) dhe ushqehet nga shpirti i përjetshëm i këngëtarit të Izraelit, shkëlqimi që e trondit, e tejshpon, drita të cilën ai e kërkon, ndriçon, i shndërron errësitë tona në një gëzim të pashprehshëm. Një zë banon në ne dhe na rrëmben, i mënjanon kufizimet tona, bën të kapërcehen muret e burgjeve tona, na bashkon me shkëlqimin e përpjekjet tona më të afërta nga neve na përkasin; një fytyrë nga ndriçon, një prani na përtërit (zhvillon), dhe në rrugë të njohjes së vërtetë një këngë na bart në fundin e natës, në dritën tënde, Jerusalem”.

Hebrenjtë i çmojnë Psalmet si lavde Hyjit në zemër të natës; ata lindin bashkë me to, si thotë studiuesi hebre dhe përkthyesi i Besëlidhjes në gjuhën frënge, André Chouraqui: “Ne lindim në rropulli me këtë libër. Një libërth: njëqind e pesëdhjetë poezi, njëqind e pesëdhjetë shkallë të lartësuara midis vdekjes dhe jetës; njëqind pasqyra (shëmbëllime) të revoltave tona dhe të besueshmërive tona, të agonive tona dhe të rilindjeve tona. Më shumë se një libër, një qenie e gjallë që flet – që të flet – që vuan, që sython dhe vdes, që ringjallet dhe këndon, në pragun e amshimit – dhe të merr, të bartë ty dhe shekujt e shekujve, nga fillimi në fund […] Fsheh një mister, mbasi moshat nuk pushojnë të kthehen te kjo këngë, të pastrohen në këtë burim, të përimtohet secili varg, secila fjalë e lutjes së lashtë, thuajse ritmet e saj rrokëzojnë regëtimat e botëve […] Meqenëse rrëfen historinë e të gjithëve, është bërë libër i të gjithëve, ambasadore e palodhur dhe depërtuese e fjalës së Hyjit tek popujt e tokës […] Psalmet kanë ditur të flasin në të gjitha gjuhët, me të gjithë njerëzit, çdo ditë, për të frymëzuar prapësitë e tyre më kundërshtuese, guximet e tyre më frytdhënëse”. Psalmet “[…] po ashtu janë ruajtur si pjesë e kanunit – rregulla të besimit të popullit hebre, për arsye se ato janë edhe Fjala e Zotit për njeriun si dhe pjesët e tjera të Biblës”. Pra, në tërësinë e tyre Psalmet u përdorën si “libër i këngëve dhe i lutjeve”, po njëherit edhe “libër për mësim e për jetë”. Hebrenjtë “E kanë marrë me vete këtë libër në mërgimet e tyre: në mishin e tyre, në gjakun e tyre duke e përjetuar secilin varg”. “Psalmtari është një memorial i historisë së Izraelit, libër i lirimeve universale”.

Në rrafshin e cilësive dhe të vlerave të tekstit mund të thuhet se “Psalmet janë poema religjioze ose më mirë shprehje poetike të përvojës religjioze. Janë tekste ritmike dhe ekspresive. Kanë cilësi të çdo poezie: një përmbajtje të veçantë, një formë të veçantë, një ndikim të veçantë […] Nuk është e mundur të interesohesh për kuptimin e psalmit duke lënë anash përmasën estetike, sepse kuptimi dhe bukuria janë ngushtë të ndërvarura”. Shën Toma nga Akvini i cilësonte Psalmet si sublimim i gjithë Shkrimit të Shenjtë: “[…] Libri i Psalmeve në universalitetin e vet përfshin gjithë materien e teologjisë. Arsyeja pse ky libër biblik është më i përdoruri nga Kisha është se përmban në vete gjithë Shkrimin (e Shenjtë). Veçantia e tij është ajo që përsërit, nëpërmjet formës së lavdërimit, gjithë atë që librat e tjerë e shtjellojnë nëpërmjet mënyrave të rrëfimit, të këshillimit e të shqyrtimit. Qëllimi i tij është të nxitë të lutesh, ta lartësosh shpirtin deri tek Hyji nëpërmjet kontemplimit të madhërisë së tij të pamatur, nëpërmjet meditimit të përsosmërisë së lumturimit të amshuar, nëpërmjet komunikimit me shenjtërinë e Hyjit dhe imitimin e vijueshëm të përsosmërisë së tij”. André Chouraqui thotë: “Krijimi poetik synon të lirojë nga gjërat kalimtare; ai përqafon (ngërthen) gjithë plotninë e konkretes që shquan të përgjithshmen e reales pa mbështetje tek ndonjë rregull logjike formale […] Një libër ku çdo lexues jeton dhe vallëzon si një zjarr i gëzimit”.

Psalmet janë një mozaik i pasur dhe i dendur mendimesh dhe se “Në luftën kundër bishës (të keqes) Psalmtari ndërtonte vendruajtjen (depozitimin) e armëve të vërteta të luftimit; çdo varg, çdo fjalë ishte një shpatë, edhe çdo shpatë kishte fuqinë e vdekjes mbi demonët […] Psalmtari e di atë që thotë: e shpreh me një zotërim dhe me një kursim të fjalëve që e bëjnë këtë përmbledhje një monument unik në historinë e shpirtit, një takim me përjetësinë […] Psalmtari nuk lodhet të këndojë Hyjin, transcendent dhe imanent, që ai i shërben dhe e do” për arsye se “Gjithçka vjen nga Ai, gjithçka është në Të, gjithçka shkon tek Ai”.

Me një fjalë, Psalmet janë “lavd në shumë zëra drejtuar Zotit”; dëshmojnë ndërhyrjen e tri poleve të kulturës së lashtë të Orientit: Babilonisë, Egjiptit dhe Kanan-it, të përfaqësuar sidomos prej Ugarit. Është thënë me të drejtë se në Psalme “[…] që nga fillimi ballafaqohemi me një botë që e përjashton indiferencën. Janë tri dukuri që i veçojnë dhe mbipeshojnë në botën e tyre: Rruga e errësirës, Gjyqi i Hyjit dhe Rruga e dritës.

Natyra e Psalmeve është mjaft e ndërliqshme: ato përbëhen nga tekste të hartuara në rrethana dhe nga njerëz të shtresave të ndryshme të shoqërisë së hebrenjve: “[…] linden nga gjendje konkrete, nga vuajtjet dhe gëzimet e jetës së përditshme, nga ngjarje të historisë: për këtë përfshijnë lavde, lavdërime, rënkime, kremtime, mësime, dhe shprehin ndjenjat e njerëzve të të gjitha kohëve. Janë hartuar nga të gjitha shtresat shoqërore, nga priftërinjtë e deri te besimtarët e rëndomtë, nganjëherë të ndikuara nga himnet religjioze të kulturave me të cilat rrethohet Izraeli, po përherë të pastruara nga çdo element politeist”. Pra, “Të lindura për të qenë shpesh të kënduara, edhe të hartuara individualisht, Psalmet janë bërë trashëgimi e kultit publik së pari hebraik e pastaj të krishterë, për qenësinë e tyre të pakundërshtueshme të ‘fjalës së Zotit”.

Shkrimin e Shenjtë thuhet se çdo vepër e Hyjit është dëshmi e dashurisë dhe është e bukur: edhe kur e krijoi dritën, edhe kur i krijoi Qiellin dhe Tokën, edhe kur e krijoi njeriun “Zoti pa se ishte gjë e mirë… se ishte gjë shumë e mirë”(Zan 1, 12 dhe 31 dhe 1Tim 4, 4). Kjo shprehet në mënyrë sublime dhe në Psalmin 118 (119).

Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im,

sipas premtimit që i bëre shërbëtorit tënd. (76)

Është e madhe dashuria jote, o Hyj:

më bëj të jetoj sipas gjykimeve të tua. (156)

Shiko se unë i dua rregullat e tua:

Hyj, sipas dashurisë sate, ma jep jetën. (159)

Qenësinë e Psalmeve na e thotë vetë titulli i përmbledhjes së këtyre 150 krijesave: tehillìm, domethënë “lavde” ose “himne lavdërimi”. Fjala është nxjerrë nga hyrja e Psalmit 145: “lavde të Davidit”. Sipas traditës greke Psalmet janë këngë që këndohen me instrumente me tela.

Psalmet janë trashëguar nga kisha e parë si libër i liturgjisë zyrtare hebraike. Ato qenë kopjuar në numër të panumërt dhe në rrjedhën e bartjes së tyre nëpër kohë u pasuruan gjatë rileximeve dhe rrethanave të jetës personale dhe ambientale.

Libri i Psalmeve në qenësinë e vet është libër i përsosur lutjesh, “një shkollë e lutjes”, për çdo kohë e rrethanë që përligjet si një formë, si një “model” i lutjeve “[…] që tradita biblike i dhuron popullit të besimtarëve që të bëhen të tij, lutja jonë, mënyra jonë për t’iu drejtuar Hyjit e të vënies së marrëdhënies me të. Në këtë libër gjen shprehjen e vet gjithë përvoja njerëzore me gjithë shumësinë e vet të shfaqjes, me gjithë gamën e ndjenjave që e shoqërojnë gjallimin e njeriut. Në Psalme gërshetohen dhe shprehen gëzimi dhe vuajtja, dëshira për Zotin dhe perceptimi i padenjësisë vetjake, lumturia dhe kuptimi i dhënies, besimi në Hyjin dhe vetmia e dhembshme, plotësia e jetës e frika nga vdekja”.

Studiuesit i ndajnë Psalmet në grupe të ndryshme (dijetarët e hebraizmit i ndajnë në pesë libra, ku secila përfundon me një varg që e lavdëron Hyjin). Brenda tyre dallohen psalmet himne, të cilat e lavdërojnë Yhwh (Hyjin) dhe veprat e tij shpëtimtare, krijimin e mistereve, pastaj psalmet lutjet, kur shfaqen çaste të vështira të jetës, psalmet e besimit, të pendesës, të falënderimit, të diturisë, historike, liturgjike etj.

Psalmet shpesh janë studiuar si krijesa të mëvetësishme, si shtjellime të veçanta tekstore shprehëse dhe kumte të qenësishme, që shqiptojnë dashurinë e njeriut ndaj Hyjit dhe dashurinë e pafund të Hyjit ndaj krijesës së vet; kërkesat konkrete të njeriut dhe përmbushja e tyre nga i Tejlarti dhe i Tejfuqishmi. Në të vërtetë, Psalmet duhet të lexohen si krijesa të veçanta. Përkundër këtij fakti, ato duhen vështruar dhe interpretuar edhe si tekste të njësuara, si një tërësi organike. Kjo dëshmohet nga e dhëna se “[…] në këto dhjetë vjetët e fundit vëmendja e studiuesve gjithnjë e më tepër po bartet nga analiza e psalmeve të veçanta tek ajo e Psalmeve vështruar si tërësi. Në këtë mënyrë i dilet më mirë të përfshihet një horizont i kuptimit plotësues, jo të pranishëm në secilën psalm të lexuara veç e veç”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme