Imzot George Frendo O.P.
Ernst Bloch, një filozof marksist shumë i njohur, është rrëfyer se, kur ishte i ri, habitej kur anëtarët më fanatikë të partisë, në prag të vdekjes, fshehtazi e thërrisnin priftin. Ata që e kishin ungjillëzuar popullin me ideologjinë ateiste duke e mësuar se religjioni është opiumi i popullit, tashti, në prag të vdekjes, dyshojnë se ndoshta kishin gabuar … e pra … thërrasin priftin!
Të gjithë njerëzit në çdo kulturë dhe në çdo epokë, edhe ata jo-besimtarë, tregojnë një farë respekti ndaj kufomës. Është një respekt që, të paktën në shumë raste, tregon se njeriu, nga vetë natyra e tij, është i bindur se vdekja nuk është aventura e tij përfundimtare.
Tmerri i Vdekjes
Më 2 nëntor, Kisha Katolike në mbarë botën përkujton të gjithë të vdekurit. Veçanërisht në këtë ditë i kujtojmë të vdekurit tanë në lutje. Shumë besimtarë shkojnë atje ku janë varrosur të afërmit e tyre, që në lutje të tregojnë respektin e tyre ndaj të vdekurve, eshtrat e të cilëve gjenden në atë banesë të fundit.
Megjithatë këtë e bëjnë pikërisht sepse janë të bindur se vdekja nuk është shkatërrimi, por vetëm ndryshimi i jetës. Në fakt edhe në gjuhën shqipe përdoret shprehja “ndërroi jetën” si një eufemizëm në vend të fjalës “vdiq”.
Vdekja është e tmerrshme, e dhimbshme. Vetë Jezusi qau përpara varrit të mikut të tij Lazër. Por zëri i Jezusit ishte zëri i vetmi që dëgjohej dhe pranohej nga kufoma e Lazrit. Jezusi bërtiti: “Lazër, dil jashtë!” Dhe ai që gjendej i vdekur në atë varr doli jashtë.
Vetë Jezusi e pranoi vdekjen. Ai që qau për Lazrin e vdekur, u tremb përpara vdekjes që e priste. Në agoninë e tij në kopshtin e Gjetsemanit është lutur që të lirohej nga vdekja e tmerrshme mbi kryq. Por mbi kryq ai nuk u dëshpërua, dhe fjala e fundit të tij ishte: “Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”.
Besojmë në jetën
Duke pranuar vdekjen, Jezusi ka ndryshuar fizionominë e saj, në atë mënyrë saqë e shndërroi në burim jete. Sepse atje ku, e në atë çast kur Jezusi po e dorëzonte shpirtin, ka lindur njeriu i ri. Dhe varri ku u vendos kufoma e Jezusit është bërë kraharori nga doli jeta e re. Atëherë besimtarët kanë të drejtë të thonë: “Besoj në jetën”, jo “në vdekjen”; madje “në jetën e pasosur”.
Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve shën Pali ka shprehur mirë shpresën e besimtarëve me këto fjalë: “Kur ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt: ‘Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’”
Por këto fjalë, duke na dhënë shpresë se do të marrim pjesë në fitoren e Krishtit, na kujtojnë gjithashtu përgjegjësinë tonë që të përdorim mirë kohën që kemi në dispozicionin tonë, si dhe dhuratat që vetë Zoti na i ka dhuruar.
Në Solidaritet me të Vdekurit tanë
Pse lutemi për të vdekurit? Sepse jemi të bindur se lutjet tona janë në dobi të të vdekurve. Në Librin e dytë të Makabenjve lexojmë se Juda Makabeu, “i shtyrë nga mendimi i ngjalljes”, mblodhi dy mijë drahma të argjendta, dhe i dërgoi në Jerusalem të kushtohet flia për mëkatet e atyre që ishin vrarë në luftë. Shkrimtari komenton: “Ai e kishte parasysh se një shpërblim tepër i bukur i priste ata që vdesin në hirin e Zotit: mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm”.
Është e bukur të jetosh gjithmonë në shpresë. Është shpresa që nuk zhgënjen. Dhe duke shpresuar në një jetë ku Zoti Hyj “do ta zhdukë vdekjen dhe nga çdo fytyrë do të fshijë lotin” Isaia 25,8, vlerësojmë më shumë jetën tonë tokësore, si një mision ku, me përdorimin e mirë të dhuratave të Zotit, së bashku mund të ndërtojmë një botë më të denjë për njeriun.