8.5 C
Tirana
HomeKISHPërkujtimi i të vdekurve. «Vdekja? Përmbushje autentike e jetës»
HomeKISHPërkujtimi i të vdekurve. «Vdekja? Përmbushje autentike e jetës»

Përkujtimi i të vdekurve. «Vdekja? Përmbushje autentike e jetës»

Reflektim

Nëse vdekja vjen në fundin e një ekzistence plot vite dhe kënaqësi, është e lehtë ta çmojmë atë si pasojë të natyrës njerëzore dhe ta pranojmë si fatin e pashmangshëm. Por, nëse vdekja godet afektin tonë me vdekjen e parakohshme të anëtarëve të familjes ose miqve, ose edhe më keq, për shkak të mizorisë dhe ligësisë së njeriut, atëherë ndizet protesta dhe rebelimi i brendshëm.

Arqipeshkvi i Sanna-s e rilexon këtë ditë nën dritën e mendimit të teologut Karl Rahner

Kontributi më i plotë i Karl Rahner (1904-1984) mbi kuptimin e vdekjes së të krishterit gjendet në dy ese “klasike”: Mbi teologjinë e vdekjes (1958) dhe Të vdekurit e të krishterit (1976). Me këtë shënim të shkurtër, do të doja të tërhiqja vëmendjen mbi rolin e veçantë që ai i atribuon përvojës së vdekjes. Njëmend, në një artikull mbi rrugët e qasjes për të kuptuar misterin njerëzor-hyjnor të Jezusit, ai e çmon përvojën e vdekjes si një nga këto rrugë, krahas rrugës së dashurisë për të afërmin dhe asaj të shpresës në një të ardhme me karakter absolut.

Duke e lidhur rrugën e përvojës së vdekjes me atë të dashurisë për të afërmin, ai reflekton mbi faktin se karakteri absolut i një dashurie të tillë vihet në pikëpyetje pikërisht nga mundësia e vdekjes së njeriut që e dashuron. Në të vërtetë, siç shkruan Gabriel Marcel, t’i thuash një personi: unë të dua, është sikur t’i thuash atij: unë dua që ti të mos vdesësh kurrë, që ti të jetosh gjithmonë. Që ky karakter absolut dhe përfundimtar i dashurisë të mos vihet në pikëpyetje, është e nevojshme të pohohet ekzistenca e një personi, i cili garanton të jetuarit përgjithmonë. Domethënë, përvoja e vdekjes kërkon që personi i dashur të jetojë në amshim. Jezusi është njeriu i dashur që jeton në amshim.

Mirëpo, përvoja e vdekjes vë në pikëpyetje edhe jetën dhe ekzistencën e personit që do. Pasiguria e jetës dhe siguria dhe pashmangshmëria e vdekjes prekin në mënyrë të barabartë si personin që dashuron ashtu edhe personin që dashurohet. A mund të jetë, pra, në historinë dhe në jetën e atyre që duan, shpresa konkrete se vdekja nuk e fshin përfundimisht dashurinë, por e bën atë të çelë në lumninë absolute të dashurisë së Hyjit dhe në amshimin e tij?

Për Rahner-in, përgjigja është po. Kjo shpresë ekziston, nëse ekziston një njeri, “ngjallja” e të cilit, e kuptuar si përmbushje absolute e jetës, mund të përjetohet në fe si përmbushje e vdekjes sonë. Domethënë, nëse ka një njeri që dëshmon dhe dokumenton se vdekja nuk është fjala e fundit e fatit njerëzor, por vetëm e parafundit; që dokumenton se premtimi i Hyjit është realitet dhe që, për rrjedhojë, përbën në vetvete një bartës eskatologjik të shpëtimit.

Tani, kjo shpresë e krishterë nuk mund të bazohet mbi pasjen e sigurive materiale, të stigmatizuar nga fjalët e Jezusit në shëmbëlltyrën e pasanikut që grumbullon pasuri pa pushim (Luka 12,20). Shpresa e krishterë, nga ana tjetër, themelohet mbi sigurinë që, kur të mos jemi më, do të jemi edhe më shumë dhe se vdekja nuk është zhdukje në asgjë, por takimi përfundimtar me Hyjin e jetës. Ajo ushqehet nga lutja, që mban të gjallë në zemrën tonë dhe në dashurinë tonë, praninë e njerëzve që i duam.

Për ne të krishterët, vdekja gjen kuptimin e saj përfundimtar në personin e Jezusit. Njëmend, Shkrimi Shenjt na siguron se «nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, pasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit» (Letra drejtuar Hebrenjve 4,15). Ungjijtë sjellin tri ndërhyrje të mrekullishme në njerëz të vdekur: e bija e Jairit (Marku 5,35-43), djali i vejushës së Nainit (Luka 7,11-17), miku i Betanisë Lazri (Gjoni 11).

Përpara këtyre të vdekurve, Jezusi tregon një dhembshuri të madhe njerëzore që shpërthen në lot për humbjen e mikut, por, në të njëjtën kohë, ai dëftohet si Biri i Hyjit. Njëmend, është e vërtetë se të vdekurit që i thërret sërish në jetë nuk ngjallen përfundimisht, sepse vajza e Jairit, djali i vejushës së Nainit dhe Lazri do të vdesin përsëri. Mirëpo, Jezusi, duke i thirrur ata sërish në jetë, qoftë edhe përkohësisht, zbulon në mënyrë reale dhe konkrete, fatin [cakun] përfundimtar të njerëzimit, me fjalë të tjera, gjalljen për jetën e amshuar në Hyjin. Sipas Shën Gjonit ungjilltar, mrekullitë e Jezusit janë “shenja” që zbulojnë natyrën e tij hyjnore dhe, në këtë rast, pushtetin e tij mbi vdekjen fizike.

Megjithatë, Jezusi, pavarësisht se me natyrë hyjnore, vuan përballë vdekjes dhe përballet me të në të gjithë dramën e saj. Shën Marku shkruan se në Kopshtin e Ullinjve, Ai «mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë, e u tha: “Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!”» (Marku 14,33-34); «U largua pak, ra përmbys për dhe lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast» (Marku 14,35-36). Me fjalë të tjera, Jezusi, duke përjetuar përvojën e vdekjes, me peshën e njerëzishmërisë së tij pohon përmasën e errësirës dhe dhimbjes. Por, njëkohësisht, me pushtetin e hyjnisë së tij ai e rrezaton atë me dritën e përjetësisë. E Premtja e Madhe e kryqëzimit dhe e Shtuna e Madhe e varrimit, shenja vendimtare të Mishërimit, hapen ndaj së Dielës së Pashkëve, që është agimi i një dite që s’perëndon, hyrja në banesën e Qytetit të amshuar.

Për ne të krishterët, drita e fesë ndriçon shtegtimin tokësor veçanërisht në momentin e sprovës dhe momenti më i fortë i saj është padyshim vdekja prindërve, familjarëve, e mikut tonë. Kur dëgjojmë nga mediat lajme për vdekje në Ukrainë, vdekje nga Covid-19, për vdekje në aksidente rrugore, për arsye të fatkeqësive natyrore, të episodeve të pashpjegueshme të dhunës vrasëse, komentojmë: “vdes njeriu”, duke folur në mënyrë jopersonale. Mirëpo, kur na vdes babai, nëna, një miku ynë, perceptimi i misterit dhe dhimbjes ndryshon rrënjësisht, sepse ne jemi të përfshirë personalisht.

Porse, pikërisht kur zija hyn në shtëpitë tona, duhet të tregojmë se vizioni i krishterë mbi jetën dhe vdekjen motivon dhe orienton sjelljen tonë. Nëse vdekja vjen në fundin e një ekzistence plot vite dhe kënaqësi, është e lehtë ta çmojmë atë si pasojë të natyrës njerëzore dhe ta pranojmë si fatin e pashmangshëm. Por, nëse vdekja godet afektin tonë me vdekjen e parakohshme të anëtarëve të familjes ose miqve, ose edhe më keq, për shkak të mizorisë dhe ligësisë së njeriut, atëherë ndizet protesta dhe rebelimi i brendshëm.

Ignazio Sanna është arqipeshkëv i nderit i Oristanos dhe president i nderit i Akademisë Papnore të Teologjisë (Path)

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme